Deklarata erdhi nga zëvendskryeministri Niko Peleshi, gjatë inaugurimit të përfundimi të punimeve të rrugës Balëz-Letan, në Komunën Bradashesh të Elbasanit; një zonë e njohur për potencialin e saj turistik dhe bujqësor.
“Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi Zhvillimit të Rajoneve janë dy mekanizma të qeverisë për të mbështetur zhvillimin lokal. Këtë vit ne e rritëm shumë mbështetjen për qytetet. Të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, në zonat me potencial turistik, në total u investuan nga qeveria 100 milionë dollarë këtë vit. Të dy këto organizma do të jenë akoma më të fuqishme tani me bashkitë e reja. Një nga problemet që kanë bashkitë tona janë kapacitetet për projekte. Duke filluar nga buxheti i këtij viti ne do të hapim një llogari për secilën prej 60 e ca bashkive të reja tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të financuar projektimin”, tha Peleshi.
Në një takim me banorë të fshatit Letan, Zëvendëskryeministri diskutoi mbi përfitimet që do të sjellë për këtë zonë reforma administrative territoriale duke shtuar fondet.
“Sot jemi një ditë mbas një ngjarje shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, që është Reforma Territoriale Administrative. Tani do kemi bashki më të mëdha, më të fuqishme, me kapacitete më të shtuara, por edhe me më shumë para dhe fonde, edhe nga qeveria, por edhe shumë fonde që çlirohen nga kursimet e reformës”, u shpreh zv/kryeministri Niko Peleshi.
Sakaq, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini i pranishëm në këtë inaugurim u shpreh ndarja e re territoriale e vendit do të sjellë dhe decentralizimin e kompetencave.
“Ajo që u bë me këtë reformë administrative shpresoj që do të japë një imput shumë të madh. Nuk është thjesht një bashkim mekanik, për mua që kam qenë partizan i kësaj pune, por shpresoj që do të kemi edhe decentralizimin e kompetencave dhe do të japë një zhvillim shumë të madh”, tha Sejdini.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)