Besarie Muça është vetëm njëra prej dhjetëra grave kryefamiljare hasiane që po lufton për mbijetesë. 31-vjeçarja nga fshati Liken i Kuq në bashkinë e Hasit, e cila është e ndarë nga burri, jeton me djalin e saj 9-vjeçar në një banesë që rrezikon të shembet dhe në varfëri ekstreme.

Sikur të mos mjaftonte skamja dhe vështirësitë ekonomike, Besaria na thotë se vuan edhe nga sëmundja e veshkave. E vetmja e ardhur që ka është ndihma ekonomike prej 30 mijë lekesh të vjetra, pasi në zonën e varfër të Hasit është e pamundur të gjesh një punë.

Ajo jeton me djalin e mitur në një dhomë të vogël, pa ngrohje, pa ujë dhe në vend të dritareve janë vetëm ca plastmasë. I ftohti dhe shiu depërtojnë në çdo kënd të dhomës, e cila rrezikon të shembet për shkak të çarjeve në mure.

Ka qenë vëllai i saj, i cili jeton në po të njëjtat kushte të vështira ekonomike, që i ka lëshuar Besaries këtë dhomë të vogël, të errët dhe të ftohtë për të jetuar me djalin e saj të mitur.

Apeli i kësaj nënë i drejtohet të gjithëve dhe me sytë me lot kërkon ndihmë për një shtëpi normale, që t’u shpëtojë ngricave të dimrit që është në prag bashkë me djalin e saj. Ajo thotë se djalin e rrit vetëm me të ardhurat e saj, pasi ish-bashkëshorti nuk i ndihmon ata.

“S’kam të ardhura. Shtëpi nuk kam, një ndihmë ekonomike 30 mijë lekë marr. E ndarë jam nga burri. Jetoj në një dhomë të vëllait. Në një dhomë të vjetër e të keqe, çfarë bie jashtë bie brenda. Edhe atë duhet ta liroj, s’mund të jetoj gjithmonë aty sepse edhe ai është në hall për vete sepse 5 veta jetojnë në të. Çfarë të mundet dikush të më ndihmojë, se jam edhe vetë e sëmurë vuaj nga veshkat dhe nervi”, shprehet Besaria.
 
“Libra kam, mi ka blerë disa mami disa gjyshi. Lekë s’kemi, unë kërkoj një shtëpi”, thotë vogëlushi 9-vjeçar.

Hasi dhe Kukësi janë ndër zonat më të varfra në Shqipëri. Me dhjetëra familje jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com