HAVANË - Bashkimi Evropian dhe Kuba ranë dakord për përshpejtimin e ritmit të negociatave në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve, që shpresojnë t'i mbyllin deri në fund të vitit 2015, njoftoi dje shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini
"Ne vendosëm të përshpejtojmë ritmin e negociatave, me shpresën për të arritur nënshkrimin e një marrëveshjeje përsa i përket dialogut tonë (...) deri në fund të vitit", deklaroi për shtypin Mongherini në përfundim të një vizite maratonë në Kubë.
Diplomatja, zyrtarja e parë evropiane e një niveli të tillë që viziton ishullin që prej fillimit të negociatave BE-Kubë u takua me disa ministra dhe zyrtarë të lartë kubanezë duke përfshirë dhe presidentin, Raul Castro me të cilin ra dakord për të rritur ritmin dhe nivelin e takimeve mes Havanës dhe Brukselit.
Ministri kubanez i Punëve të Jashtme, Bruno Rodriguez do të pritet, në këtë kuadër, në Bruksel më 22 prill për diskutime para raundit të katërt të bisedimeve që parashikojnë arritjen e një marrëveshjeje të dialogut politik dhe bashkëpunimit, që synon të lehtësojë marrëdhëniet mes bllokut të 28 vendeve dhe Kubës.
"Kam besim në kapacitetin tonë për të vazhduar punën lidhur me këtë çështje", shtoi ajo duke e cilësuar takimin me Raul Castros pozitiv.
Në kuadër të këtyre negociatave, Cuba kërkon që BE-ja të braktisë "qëndrimin e saj të përbashkët" i cili që prej vitit 1996 kushtëzon bashkëpunimin evropian me regjimin komunist për avancime demokratike./ATSH/