Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto në një intervistë për "A1 Report", sqaron situatën me koncesionet dhe ndërhyrjet që qeveria parashikon në infrastrukturë. Haxhinasto në lidhje me koncesionet argumenton se qeveria parashikon t’i respektojë kontratat, dhe se është kundër prishjes në mënyrë arbitrare. Ai ndalet edhe tek diskutimet për koncesionin e kolaudimit, duke thënë se po monitorohet kompania.
 
“Ne do të respektojmë kontratën me kompanitë, pasi jemi kundër prishjes së kontratave me koncesionarët. Tani është koha që kompanitë të ofrojnë standarde, ne nuk do të  nuk do tolerojmë në cilësi e standarte”, ka thënë Haxhinasto në intervistë për "A1 Report". Ai ka theksuar se dënon deklarata që kërkojnë prishje të njëanshme të kontratave.
 
Sa i përket cilësisë së ndërtimit të rrugëve, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës ka thënë se 50% e veprave që kanë pësuar amortizim.
 
“Do ndërhyjmë në sinjalistikë në mënyrë urgjente, e sidomos në elementët e sigurisë”, ka thënë Haxhinasto. Ministri ka theksuar se prioritet ka  pagesa ndaj kompanive që kanë përfunduar rrugët.
 
Për debatet rreth rrugës së Kombit, Ministri Haxhinasto ka thënë se kjo rrugë do të jepet me koncesion mirëmbajtje por çmimet do të jenë të përballueshme  për qytetarët. Ai ka theksuar se shpejti do të nis dhe  projekti hekurudhor Tiranë- Rinas.


Intervista e plotë e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto për A1 Report

Çfarë po ndodh aktualisht me koncensionin e kolaudimit?

Siç e dini ka një kontratë konçensionare sipas të cilës ne kemi detyrimin ligjor që ta respektojmë atë dhe të monitorojmë po në bazë të kësaj kontrate performancën e kësaj kompanie që quhet SGS, një kompani evropiane tashmë e njohur dhe e specializuar në këtë veprimtari.  Ajo që ne bëjmë në mënyrë të vazhdueshme dhe të fokusuar është që të monitorojmë performancën, sigurisht që kemi vërejtjet tona, përveç vërejtjeve kemi edhe ide se si të përmirësojmë punën gjë që ja kemi bërë të ditur edhe shoqërisë konçensionare, dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta duke referuar detyrimet që ata kanë në përmbushje të kontratës konçensionare.  Përsa kohë kompania (SGS) reagon pozitivisht në drejtim të plotësimit të detyrimeve kontraktore, apo realizon investimet pa diskutim që ne kemi detyrimin që të mbesim partnerë legal të kësaj kontrate.  Ne si çështje parimore do të kishim dashur që tregu të ishte i hapur edhe me operatorë të tjerë në këtë fushë, dhe kjo nuk përjashtohet si mundësi, realiteti aktual është që ne duhet të respektojmë kontratën sikurse në të kundërt kompania ka të gjitha të drejtat për të shkuar në arbitrazh dhe për të ngarkuar qeverinë në këtë kontratë me detyrime të mëdha financiare.

Po përsa i përket një vlerësimi të përgjithshëm për konçensionet, si do ti konsideroni, si do ti vlerësoni ato?

Qëllimi në thelb i dhënies me konçension është që të ofrohet një shërbim që nuk mund të ofrohet nga institucionet publike, pra të ofrohet një cilësi më e lartë se ajo publikja. Situata në Shqipëri është komplekse përsa i takon konçensioneve ashtu siç e përmenda më lartë ka disa detyrime kontraktore të cilat nuk mund të injorohen pasi pasojat e zgjidhjes së kontratës janë shumë të mëdha përsa i takon impakteve mbi detyrimet ligjore dhe financiare, por ajo që ne përpiqemi të bëjmë është që nëpërmjet të gjithë të drejtave ligjore që përmbajnë kontratat të ushtrojmë kontrollin tek konçensionarët që ata të performojnë sa më mire dhe të garantojnë ato shërbime të cilat duhet të ofrohen ne baze te kontratave.  Unë mund të them që ne përpiqemi të japim një përqasje dhe fokus të ri të gjithë atyre operatorëve që kanë kontrata konçesjonare, ata duhet të kuptojnë që sot Shqiperia ka nevojë për cilësi më të lartë të shërbimeve që ato duhet të japin nëpërmjet kontratave të tyre, dhe padiskutim u japim atyre vazhdimisht mesazhin që duhet të performojnë sa më mire, sa më në përputhje me kontratën me qëllim që ato të justifikohen. Unë jam kundër deklarimeve të papërgjegjëshme, për prishje të kësaj apo atij konçensioni, kjo mund të vij nëse kemi shkelje të detyrimeve ligjore të këtyre kontratave dhe nuk mund të bëhen me vullnete subjektive, se pastaj kanë kosto jashtëzakonisht të larta për shtetin dhe për vendin.

Do të doja t'ju pyesja pak për reformën rregullatore sinjalistika në rrugë, çfarë parashikoni dhe çfarë mund të thoni si i gjeti rrugët e Shqipërisë ky sezon turistik që tashmë po hyn në pjesën kulmore të tij ?

Ju ngritët disa çështje shumë të rëndësishme në pyetjen tuaj, unë do të përpiqem ti marrë me rradhë ato. Së pari ju pyesni për refomën rregullatore besoj një nga fushat shumë të rëndësishme me të cilën është angazhuar aktualisht Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, këtu diskutojmë jo vetëm për plotësimin dhe miratimin formalisht të standarteve të rrugëve të ujësjellës kanalizimeve, të sistemeve të tjera por flasim gjithashtu edhe për çertifikimin dhe monitorimin e gjithë shërbimeve që ofrohen nga Ministria dhe institucionet ne varesi te saj, siç është Drejtoria e Përgjithëshme e Shërbimeve të Transportit, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Hekurudha Shqiptare, apo dhe institucione të tjera. Ka nevojë për të mbushur një vakum të madh në plotësimin e këtij kuadri, rregullator, ka nevojë të ndërhyet, të reformohet ky kuadrër rregullator, me qëllim që ne të ecim me hapa të sigurt drejt një cilësie të re në zbatimin e veprave publike, në shërbimet që përfitojmë nga ndërtimi i infrastrukturës fizike, si ajo rrugore, hekurudhore, infrastruktura e transportit në përgjithësi por edhe sistemet e ujësjellës kanalizimeve por edhe për të arritur një cilësi shumë më të lartë të asaj që i ofrohet publikut, qytetarëve dhe ky është në fakt objektivi kryesor që ne kemi për punën tonë. Një drejtim shumë i rëndësishëm do të jetë reformimi i mënyrave të prokurimit, dhe monitorimi i veprave të prokuruara me qëllim që çdo operator aktual apo i ardhshëm do të kuptoj që Shqipëria është një vend ku nuk mund të bëhet
shaka me zbatimin e detyrimeve kontraktore, duhet të zbatosh standartet, ato më të larta, me qëllim që produkti i çfardo lloj vepre të kontraktuar të jetë i cilësisë më të lartë, i cilësisë europiane pasi standarti europian është standarti me të cilin ne krahasohemi.
Vijmë pastaj tek veprat konkrete që ju pyesni, situata është e tillë ku rreth 50% e veprave janë në situata që kanë pasur një amortizim nga përfundimi i tyre dhe shtrirja e realizimit të tyre në kohë shumë të gjatë. Sigurisht që për këtë duhet të ndërhyet në mënyrë të vazhdueshme, kompensohen humbjet, kostot që janë krijuar nga mos përfundimi i këtyre veprave. Një zhvillim shumë i rëndësishëm cilësor është pagesa e borxheve ndaj kompanive që kanë punuar dhe këtë ne jemi duke e realizuar, e përfundojmë gjate këtij viti me qëllim që të krijohet një mardhënie e re midis autoriteteve kontraktuese siç është në rastin konkret Ministria e Transportit dhe kompanive të cilat realizojnë kontratat apo veprat e ndryshme të infrastrukturës.
Përsa i takon situatës në rrugë, mund të them që rrugët tona, veprat e infrastrukturës rrugore duhet të plotësohen me element të munguar veçanërisht me elementët e sinjalistikës të standartit europian sipas standartit të nevojshëm për to, elementet e sigurisë duhet të jenë pjesë e këtyre veprave veçanërisht gardrelet ose shinat mbrojtëse dhe elementet e tjerë të sinjalistikës rrugore, po kështu ne jemi përqëndruar për realizimin e plotësimin me sinjalistikë për këtë vit në një segment tepër të rëndësishëm për rrjetin tone rrugor dhe për potencialet turistike që ka vendi, segmenti Durrës - Sarandë.
Për këtë është realizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar një proçes tenderimi dhe unë jam optimist që shumë shpejt aty do të kemi një situatë krejtësisht tjetër me një standart shumë të lartë të sinjalistikës dhe të sigurisë në rrugë që jam i bindur do të ndikojë edhe në shërbimin që do të përfitojnë përdoruesit e rrugës së këtij segmenti shumë të rëndësishëm për komunikimin por edhe për turizmin veçanërisht në zonën jugore.

Po për sa i përket konçesioneve? Gjatë takimit tonë të fundit që kemi patur në Prizren, ju deklaruat se disa nga rrugët kryesore do të jepen me konçesion. Kam parasysh këtu Rrugën e Kombit por edhe disa rrugë të tjera. Kur do të jepen me konçesion këto rrugë dhe një pyetje edhe si qytetar në këtë rast: A do të rëndojnë këto për xhepin e shqiptarëve, do të kemi tarifa të larta apo të pranueshme për qytetarët?

Duhet t’i ndajmë në dy kategori konçesionet. Së pari janë konçesionet për investime dhe së dyti janë konçesionet për mirëmbajtje.
Për rastin e Rugës së Kombit, flasim për një konçesion për mirëmbajtjen e saj dhe për realizimin e disa investimeve për ta përfunduar këtë rrugë e cila akoma mbetet e pa përfunduar. Jemi duke komunikuar me konsulencën e huaj që janë përfaqësues të IFC, e cila është degë e Bankës Botërore dhe është e specializuar veçanërisht për partneritetet publike dhe private (PPP), që të realizojmë tenderin së shpejti. Deri tani ka patur interes nga kompani ndërkombëtare, të cilat janë të specializuar në këtë lloj aktiviteti. Besoj që ky tender apo kjo kontratë konçesionare do krijojë mundësinë që shërbimi apo mirëmbajtja e kësaj rruge të jetë në nivelet më të larta dhe shërbimi që përftojnë operatorët e saj, ata që e përdorin rrugën pra të jetë gjithashtu i cilësisë shumë të lartë dhe të kemi një normë amortizimi shumë të vogël. Për sa i takon kontratave të tjera mund të përmend Rrugën e Arberit. Edhe për këtë rrugë jemi në diskutim me kompani të interesuara për realizimin e saj dhe shpresoj që do të jetë një zgjidhje positive, një formulë positive për kompanitë e interesuara. Për sa i takon çështjes nëse vendosja e pagesave mund të ndikojë në xhepat e Shqiptarëve, mendoj se këto pagesa janë të rëndësishme për të garantuar atë nivel mirëmbajtje që duhet të ketë një rrugë. Sigurisht kjo ka një kosto, ka një vlerë të caktuar, por jam i bindur që vlera e kësaj kostoje është vlerë e cila i shërben qytetarit, është një shërbim që i mungon qytetarit sot, por që nesër do ta ketë dhe sigurisht që çdo cilësi shërbimi ka koston e saj. Unë mund t’ju garantoj që në përcaktimin e niveleve të pagesave për këto rrugë, ne do të kemi parasysh mesataret rajonale të pagesave. Ato nuk do të jenë aspak më të larta se sa mesataret rajonale dhe kështu do të kemi dhe përputhshmëri të kostove për të gjithë operatorët e rrugës.

Të gjithë qeveritë e kaluara kanë patur nga një vepër të madhe infrastrukturore. Po gjatë mandatit tuaj qeverisës, do të kemi ndonjë vepër të tillë duke e lidhur këtu edhe me deklaratat që ju bëtë pasi morët postin e Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës se objektivi kryesor do të jetë përfundimi i rrugëve aktuale pastaj do të kemi ndërtimin e tyre. Pra do të kemi ndonjë rrugë të re? Dhe për sa i përket sinjalistikës rrugore a do të kemi një ndërhyrje në ato akse që janë problematike dhe tani që vendi ka hyrë në fazën kulmore të turizmit?

Mendoj që përfundimi i rrugëve aktuale është një sfidë shumë e madhe pasi pavarësisht nga milionat dhe miliardat që janë investuar, sot shumë nga projektet janë të papërfunduara. Ato duhet të përfundojnë me qëllim që të justifikohet ai investim i madh kapital që është bërë. Po kështu mund të them që duke filluar që nga ky vit do të kemi projekte të reja në infrastrukturën rrugore. Një prej tyre është segmenti Qukës - Qafë Plloç, një projekt i rëndësishëm i investuar nga Banka Islamike për Zhvillim. Po kështu fillojmë një vepër tjetër të rëndësishme që është By Pass i Vlorës. Sapo ka filluar By Pass i Fierit dhe sigurisht kemi biseduar me shumë kompani të interesuara për segmente të tjera të rëndësishme siç janë: Korridori i Kaltër që shkon paralel me bregdetin. Segmente të veçanta të tij kanë patur interes veçanërisht nga kompani të huaja. Po kështu në jug të vendit segmenti Gjirokastër-Sarandë por edhe segmente të tjera. Dyfishimi i rrugës Tiranë-Durrës është një nga projektet që është diskutuar dhe mjaft projekte të tjera të cilat janë në proçes vlerësimi dhe unë uroj që do të realizohen duke filluar që nga ky vit.

A ka potencial transporti hekurudhor në Shqipëri dhe çfarë mund të rezervojë e ardhmja në lidhje me këtë transport, për të cilin duhet theksuar se ka 20 vjet që është pothuajse inekzistent?

Gjykoj se transporti hekurudhor është akoma në letargjinë e tij të dy dekadave të fundit. Ai duhet të rigjallërohet. Ka shenja të mira që kjo mund të ndodhë. Ka një përqasje krejtësisht tjetër ndaj aseteve aktuale që ka hekurudha. Ato nuk shihen si asete që të shiten dhe të çohen për skrap por shihen si asete të cilat mund të futen në përdorim, mund të rinovohen dhe të përdoren duke ofruar shërbim qoftë për transportin e mallrave ashtu edhe për ate te pasagjerëve. E rëndësishme është gjithashtu që të rigjallërohen të gjithë kapacitetet që ne kemi në këtë sektor të rëndësishëm, si kapacitete teknike ashtu dhe ato njerëzore me qëllim që të krijojmë edhe mundësi punësimi edhe për personat e specializuar për hekurudhën apo të aftë të angazhohen në aktivitete të tjera të operimit të saj. Po kështu ne jemi të qartë edhe për sa i takon prioriteteve që duhet të ndjekim për hekurudhën në drejtim vecanërisht të segmenteve që duhet të marrin investimet në mënyrë prioritare. Mund të flas për segmentin Tiranë-Rinas-Durrës. Së shpejti do të realizohet projekti teknik i tij dhe më pas do të realizohet besoj gjetja e financimit për të. Po kështu jemi duke parë mundësinë e një studimi të mirëfilltë fizibiliteti për lidhjen e Durrësit me Maqedoninë apo më pas për përmirësimit të lidhjes me Malin e Zi. Të gjitha këto janë zhvillime të rëndësishme për hekurudhën. Unë jam optimist që shumë shpejt ajo do të ketë një fytyrë të re, një volum të ri aktiviteti dhe do të reduktojë në mënyrë progresive edhe kontributin që shteti aktualisht jep për ta subvencionuar ate, duke sjellë do të thoja pse jo edhe të ardhura për buxhetin e shtetit ose të paktën për të rigjallëruar vetveten




 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)