MIRDITE - Asnjë zgjidhje nuk është dhënë për punëtorët e hidrocentralit të Qafë Mollës në Mirditë të cilët prej 10 ditësh qëndrojnë në protestë për kushtet e punës. Ndonëse kërkesat e tyre punëtorët ja kanë parashtruar firmës turke prej disa kohësh, kjo e fundit nuk ka reaguar. Përballë kësaj situate punonjësit janë ngritur sërish në protestë, teksa kërkojnë që instancat përkatëse të kthejnë sytë nga ata.

“Në kuadër të gjithë tentativave tona në gjithë këto kohë dhe të Këshillit Sindikal dhe Sindikatës së Industrisë, ka qenë e pamundur që të zgjidhet problemi, megjithëse punëtorët kanë kërkesa tërësisht minimale ligjore. Kanë kërkesa tërësisht të zbatueshme. Në këtë rast i bëj thirrje qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama që të hapin veshët dhe të dëgjojnë minatorët e këtij tuneli.” tha Kol Nikolla.
 
HEC-i i Qafë Mollës që më nisjen për ndërtimin e tij është shoqëruar me konflikte ku banorët pretendojnë pronësinë,ndërsa firma turke thotë se kontrata është lidhur me shtetin shqiptar. Para pak ditësh jehonë e punës për këtë HEC mori një tjetër zhvillim negative,pasi humbën jetën në një galeri tre punonjës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)