Nesër ndoshta do të kuptohet sa e fortë mbetet dëshira e Trump për paqe, pas suksesit të arritur në Lindjen e Mesme, dhe për ta zbuluar këtë do të shërbejë rezultati i takimit me Zelensky në Uashington. Megjithatë, deklaratat e Sekretarit të Luftës së SHBA, Hegseth, drejtuar Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës — i cili u mblodh pas samitit të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s — po japin shpresë, ndonëse kujdesi mbetet i madh në selinë qendrore të Aleancës.

Masat e nevojshme

Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të ndërmarrin masat e nevojshme për të "imponuar ndaj Rusisë kosto për agresionin e saj të vazhdueshëm", nëse lufta në Ukrainë nuk përfundon. Ai shtoi se "nëse do të duhet të ndërmarrim këtë hap, Departamenti i Luftës i SHBA është gati të bëjë pjesën e tij në mënyra që vetëm Shtetet e Bashkuara mund t’i bëjnë".

Në NATO nuk është diskutuar furnizimi i Kievit me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, që do të jetë në qendër të bisedimeve të nesërme, sepse — siç shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm Rutte — "është një çështje dypalëshe" midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Hegseth u bëri thirrje aleatëve të rrisin investimet në programin e Listës së Kërkesave me Prioritet për Ukrainën (PURL), që ka zëvendësuar donacionet amerikane të armëve për Ukrainën dhe parashikon që tani të jenë aleatët ata që paguajnë për dërgesat e armëve amerikane: "Të gjitha vendet që janë ulur në këtë tryezë — tha ai — duhet të kontribuojnë, pa përfitues falas".

Kur iniciativa u lançua, u bashkuan gjashtë vende (Holanda, Danimarka, Norvegjia, Suedia dhe Gjermania), por tani — siç shpjegoi Rutte — numri është rritur në gjashtëmbëdhjetë. Ende mungojnë Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Spanja. Ministri britanik Healey tha se Londra "po vlerëson me kujdes nëse do të marrë pjesë".

Mangësitë ushtarake të BE-së

Ministrat e Mbrojtjes diskutuan mënyrat për të forcuar reagimin e NATO-s pas shumë shkeljeve të hapësirës ajrore evropiane nga Rusia. Debati më pas vazhdoi në nivel të BE-së me përfaqësuesit e njëzet e shtatë vendeve që u përballën me rrugë-hartën për të mbushur mangësitë ushtarake të Unionit deri në vitin 2030, plan që Komisioni do ta paraqesë sot.

Në plan janë përfshirë katër projekte kryesore: nisma e mbrojtjes kundër dronëve, kontrolli i krahut lindor, mburoja ajrore dhe ajo hapësinore. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kallas, shpjegoi se për “murin e dronëve” "planet ushtarake vijnë nga NATO, por furnizimet duhet të bëhen nga shtetet anëtare, të cilat duhet të blejnë pajisjet për të përmbushur edhe objektivat e kapaciteteve të NATO-s".

Këtu hyn në lojë Komisioni, i cili sipas draftit të planit parashikon që deri në fund të vitit 2027, 40% e prokurimeve të mbrojtjes të jenë të përbashkëta.

Mburoja dhe Gjermania

Ndërkohë Berlini është shprehur i gatshëm "të marrë drejtimin e projektit Mburojës së Mbrojtjes Ajrore", siç shpjegoi ministri i Mbrojtjes Pistorius, duke pasur parasysh se "në vitet e ardhshme Gjermania do të investojë 10 miliardë euro në dronë të çdo lloji, si sulmues ashtu edhe mbrojtës, në të gjitha lartësitë", sepse "sjellja hibride e Putinit do të jetë gjithnjë e më agresive"./Corriere della sera