Ish-ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga ka pësuar një hemorragji cerebrale dje rreth orës 11 në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin “Nënë Tereza në Tiranë”.

Nga burime familjare pranë Hajdaragës, Report Tv mëson se në momentin e ishemisë profesori i njohur, i cili jep leksione në një universitett të Strugës në Maqedoni, ka humbur kontrollin e automjetit që drejtonte dhe ka goditur traun e kufirit të Shqipërisë. Punonjësit e policisë kufitare kanë reaguar menjëherë, duke mundësuar kthimin e tij drejt spitalit të Strugës në Maqedoni ku Hajdaraga ka qëndruar për rreth tre orë.

Më pas, ish-deputeti socialist është transportuar me ambulancë për në Prrenjas, nga ku, për shkak të motit të keq, helikopteri i kuq i Ministrisë së Shëndetësisë nuk arriti që të ngrihej. Me ndërhyrjen e deputetit Taulant Balla, u vu në shërbim një helikopter ushtarak i ministrisë së Mbrojtjes, që bëri të mundur transportin e Hajdaragës drejt Tiranës.

Burime nga klinika e neurologjisë bëjmë me dije se gjëndja e tij vazhdon të jetë e rendë dhe se do të priten të kalojnë 48 orë për të përcaktuar hapat e metejshëm. Po të njejtat burime bëjnë me dije se sapo ka mbërritur në QSUT, kanë shkuar shumë eksponentë të jetës politike në vend për t’iu gjendur pranë ish-ministrit.