Analisti Plator Nesturi, dëshmitar i dhunës së egër të ushtruar nga pushteti i ish-Presidentit Sali Berisha në zgjedhjet e 26 majit 2026, ka rrëfyer në studion e emisionit ‘Repolitix’ në Report Tv përjetimet e tij gjatë atyre ditëve të vështira. Nesturi tregoi se në Shkodër policia largonte me forcë komisionerët e opozitës nga qendrat e votimit dhe i dërgonte kilometra larg, ndërsa vendet e tyre zëvendësoheshin nga persona të afërt me PD-në. Sipas tij, në disa zona të thella komisionerët e opozitës mbaheshin të izoluar që një natë para zgjedhjeve, ndërsa në komisione futeshin njerëz të tjerë në emër të PS-së dhe partive opozitare.
Nesturi tregoi se gjatë ditës së zgjedhjeve shoqëronte edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane, i cili ishte edhe eurodeputet dhe kishte ardhur në vendin tonë bashkë me gruan, si vëzhgues në zgjedhje. Pasi ishin kërcënuar të largoheshin nga Shkodra dhe teksa po drejtoheshin për në Tiranë bashkë me drejtuesin e lartë të Partisë Socialiste Europiane, Nesturi tha se u telefonuan nga drejtues të kohës së PS-së dhe u informuan se PS dhe parti të tjera opozitare do të tërhiqeshin nga gara.
“26 maji ka qenë një ditë shumë e rëndë, sepse realisht mua më qëlloi që të isha në disa vende. E kemi nisur në Tiranë, pastaj kemi shkuar në Shkodër. Dhe pastaj në Malësi të Madhe. Në atë kohë unë shoqëroja edhe sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane. Ishte si vëzhgues, eurodeputet dhe ishte bashkë me të shoqen. Kemi hyrë në disa zona që kanë qenë shumë të vështira.
Së pari ishte paniku te popullata. Në Shkodër kishte fenomenin tjetër, vinte policia, hynte në Komision, merrte komisionerët e opozitës dhe i çonte diku në një vend larg Shkodrës, që të vinin që andej në këmbë. Kur vinin aty, ishte bërë çfarë kishin dashur ata, sepse komisionerët nuk ishin. Kurse në zonat e thella lartë, ishte një tjetër fenomen. Atje që një natë më parë i mbanin të mbyllur komisionerët e opozitës. Dhe të nesërmen ishin vendosur komisionerë po nga PD në vend të atyre të PS-së. Pra kishin vënë njerëzit e tyre dhe i kishin quajtur si anëtarë komisioni.
Kur merrnin vesh që ne kishim mbërritur, zbritën nga kodra, male nga ishin fshehur dhe filluan të dilnin dhe kemi vajtur në komision. Por prit se unë jam komisioneri, nga doli emri jot. Ai ishte kushëri i kryetarit të PD-së që ishte futur aty si komisioner i PS, i PSD, apo çfarë ishin pjesa e partive të opozitës. Aty kanë ardhur pastaj furgona policie, na kanë kërcënuar dhe na kanë urdhëruar që duhet të ikim, duke e ditur që ky ishte eurodeputet, na kanë kërkuar të largohemi prej andej. Jemi detyruar të marrim, sepse kishim merakun e atyre komisionerëve, të cilët i kishin shpëtuar një natë më parë ndalimit dhe i kemi marrë me vete. Jemi bërë 2-3 makina ku janë ngjeshur njerëzit njëri pas tjetrit, duke vajtur drejt Tiranës, ndërkohë na marrin në telefon dhe na thonë që PS tërhiqej nga gara”, tha mes të tjerash Nesturi.
Nesturi foli edhe për protestën e 28 majit 1996, ku opozita kundërshtoi procesin zgjedhor. Ai deklaroi se dhuna më e ashpër ushtrohej nga efektivë civilë të armatosur me shkopinj druri dhe tregoi se edhe vetë ishte dhunuar me shkopinj në kokë gjatë përplasjes me policinë pranë Hotel Tiranës.
“Nuk po zhvilloheshin zgjedhje. Reagimi i parë i eurodeputetit ishte një habi e madhe, një protestë e madhe, pastaj ishte aq absurde sa kalonte në të qeshur. Aty vetëm zgjedhje nuk kishte. Na kanë shoqëruar furgonët e Policisë nga Shkodra drejt Lezhës dhe kemi ardhur në Tiranë dhe kemi shpërndarë ata njerëzit në shtëpitë e tyre. Pastaj 28 maji ka qenë komplet gjë tjetër. Ka qenë shpërthim i dhunës. Kam qenë në shesh me një gazetar spanjoll. Më të rrezikshëm nuk ishin ata me uniformë, por civilët. Ata ishin me shkopinj druri. Unë shpëtova, nuk mi qethën flokët si Petro. Por disa shkopinj kokës i hëngra dhe unë bashkë me të. Mezi arritëm të futeshim brenda te Hotel Tirana”, vijoi më tej Nesturi.
Lajmi kryesor:
Dëshmitë për masakrën zgjedhore të 26 majit/ Koçi: U derdh gjak nga regjimi fashist i Berishës, si u rrëmbye Kiço Londo nga SHIK! Nesturi: Policia hiqte me dhunë komisionerët e PS (VIDEO)





