Pjesë e stafit mjekësor për operacionin e heqjes së apendicitit të kryeministrit Edi Rama ishte edhe kirurgu Arben Beqiri, ish ministri i qeverisë teknike Rama-Basha. Në podcast-in ‘Flasim’ ku ishte i ftuar, Beqiri e vlerësoi kreun e qeverisë që zgjodhi një kirurg që përfaqëson edhe një forcë tjetër politike. Rama zbardhi batutën me Arben Gjatën dhe iu përgjigj se nuk e zgjodhi ndërsa më pas tregoi se si shefja e kabinetit i kishte folur me respekt të jashtëzakonshëm për kirurgun që e cilësonte si profesionist të hajrit.

Po ashtu mjekët thanë se kanë operuar shumë figura publike, ministra e zv.ministra, por të gjithë në privat dhe kjo ishte hera e parë që operonin në sistemin publik një person me pozitë kaq të lartë. Gjatë bisedës, Rama tha se u ndje mirë nga komentet që mori pas ndërhyrjes nga mjekët, të cilët e cilësuan si privilegj që operacionin e realizuan në spital shtetëror. 

“Zgjodhët që një kirurg që përfaqëson edhe një forcë tjetër politike, në konkurrencë me tuajën, ishte kirurgu operator, tregon që në fakt kjo është një pjesë e emancipimit ose e arritjes së besimit”, tha Beqiri.

“Unë isha shtrirë kur profesor Gjata erdhi dhe tha; ‘’kemi me vete edhe një ish-ministër shëndetësie’’. Unë thashë largqoftë Nard Ndoka dhe pastaj pashë ju dhe për hir të së vërtetës për arsye të shefes sime të kabinetit që mesa kam mësuar ju njeh prej shumë kohësh, tha, po të paktën një profesionist i lartë, i hajrit. Tani juve mund t’ju akuzojnë për çdo gjë po nuk ka zot t’ju akuzojë për patronazhistë. Prandaj unë mund ta sjell këtu që atë që ju më thatë dhe më ka bërë shumë përshtypje dhe më ka përkëdhel sedrën pak, por edhe më ka prekur në një sens më të gjerë; përpara se të largoheshit erdhët tek shtrati dhe më dhatë dorën dhe më thatë: “ne kemi operuar shumë ministra, zëvendëskryeministra, figura publike etj etj, por fatkeqësisht deri më sot vetëm në spitale private dhe ishte privilegj për spitalin publik që të kishte kryeministrin”. Natyrisht që po ta kishte thënë patronazhisti, nuk do kisha guxu me e sjellë këtu me zë dhe me figurë se do hante dynjanë familjarisht”, tha Rama.

Në operacionin urgjent që kreu kryeministri Rama morën pjesë 5 mjekë. Profesor Arben Gjata sqaroi se nuk iu bë privilegj kryeministrit pasi përgjithësisht janë 3 kirurgë dhe 2 anestezist në operacione, sidomos në operacionet e shkallës së mesme e të lartë të vështirësisë.

"Në appendisit mund të jenë edhe 2 anestezistë e 2 kirurgë. Duke qene se kjo ishte me laparoskopi, ne menduam që të ishim me 3 kirurgë dhe 2 anestezistë dhe jemi brenda standardeve. Nuk kemi bërë asnjë gjë të veçantë. Faktikisht ekipi ishte i përzgjedhur, u përgatit që përpara në mënyrë që ne të kishim mundësinë që t’u ofronim ndihmën më të mirë të mundshme dhe asistencën mjekësore më të mirë të mundshme", tha Gjata.

Mjekët kishin bërë gati një dhuratë për kreun e qeverisë, çipin që tregon videon e operacionit. Rama tha se i pëlqejnë skanerat se i duken vepra arti ndërsa appendisitin e cilësoi të shëmtuar.

Ekipi që operoi kryeministrin Edi Rama

Prof. Arben Gjata, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë, Rektor i Universitetit të Mjekësisë, Mjek kirurg

Prof. Arben Beqiri, Mjek Kirurg

Dr. Dritan Rehovica, Mjek Kirurg

Prof. Krenar Lilaj, Shef i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit

Prof. Ass. Saimir Kuçi, Mjek Anestezist

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:51
Operacioni i Ramës në QSUT, Lilaj: U stresuam pak kur mësuam se kishte apendicit! Kuçi: Po shmangia çdo kontakt se s’doja t’i jepja dorën

 

Dy mjekë anestezistë që ishin pjesë e operacionit për heqjen e apendicitit të kryeministrit Edi Rama kanë rrëfyer emocionet që kishin kur mësuan se para tyre ishte kreu i qeverisë. Prof. Krenar Lilaj thotë se u stresua pak ndërsa Prof. Ass. Saimir Kuçi u shpreh se po shmangte çdo kontakt pasi është supersticioz dhe nuk i jep dorën pacientëve.

Lilaj: Në momentin që morëm informacionin që ishit me apendicit, sigurisht u stresuam pak sepse kirurgjia apo mjekësia në përgjithësi nuk është shkencë ekzakte, përgjegjësia ishte e madhe dhe subjekti ishte i vështirë. Subjekti ka të bëjë shumë.

Rama: Po pse ishte i vështirë? Unë u solla normalisht, kam përshtypjen.

Lilaj: Përveç përgjegjësitë të subjektit por është ndryshe në anestezi të menaxhosh një njeri me peshë normale dhe ndryshe një pacient 1m 98, 124 kile.

Rama: Më i madhi i kuajve për tu shtrirë përtokë, patjetër.

Lilaj: Kështu që ishte e vështirë. Ne ndërtuam me Sajmirin së bashku një plan anestetik. Fatmirësisht, u shfaqët në ekran disa ditë ose të gjitha ditët ku ne prisnim që të vinte puna deri në operacion dhe sa herë shihja në ekran, mendoja si do ta menaxhojmë këtë njeri. Megjithatë, njeri jeni, qenie humane, kështu që ne jemi të aftë të menaxhojmë edhe qenie humane të një rëndësie të tillë, peshe të tillë dhe...

Rama: Më vonuan?

Lilaj: Jo, aspak. Ndërtuam një plan anestetik që nuk ishte e lehtë. Në qoftë se ka kirurgji të vështirë, ka dhe anestezi të vështirë por në qoftë se ka kirurgji të lehtë jo domosdoshmërish anestezia është e lehtë. Anestezia është një proces që do të kruhet brenda disa minutave ku ti ke të gjithë parametrat jetësore në dorë dhe duhet të marrësh në dorë situatën dhe duhet të shmangësh çdo komplikacion të mundshëm i cili në këto momente mund të jetë edhe fatal. Me Sajmirin ndërtuam një plan anestetik që përpara disa ditësh. Sigurisht, kur u paraqitët në spital, emocionet ishin vetëm minutat e para, pastaj ato ranë fare dhe ju u shndërruat në një pacient të zakonshëm. Në momentin e intubimit, nuk kishim fare emocion.

Rama: Një nga informacionet që më erdhën nga shërbimet sekrete ishte që Sajmiri nuk i jep as dorën pacientit para operacionit se është supersticioz.

Kuçi: Po, është e vërtetë kjo. Nuk është e zakonshme që pacienti të jetë kryeministri. Me thënë të drejtën, kishim siklet por sikleti, siç e tha dhe profesor Krenari na iku në momentin kur ne krijuam një kontakt. Me sinqeritet, po shmangia çdo kontakt me ju se nuk doja t’iu jepja dorën. Kjo është e sinqertë.

Rama: Po pse të është krijuar ky supersticion?

Kuçi: Unë punoj në Kardiokirurgji dhe një fatalitet në kardiokirurgji është pacienti vdes, nuk del nga salla e operacionit. Për një koincidencë, më ka qëlluar që shumë pacientëve që u jepja dorën para, qëllonin që nuk dilnin nga salla dhe e bëra taksative që nuk do i jap dorën pacientëve përpara, më dukej sikur ia jepja dorën pacientëve dhe shkonin në botën tjetër.

Ora 09:29
Rama rrëfen pse kërkonte vazhdimisht të ngrihej nga krevati i tij në spital: Doja të shihja tinëz pacientët e tjerë

 

Kreu i qeverisë Edi Rama ka rrëfyer arsyen përse kërkonte vazhdimisht që të ngrihej nga krevati i tij në spitalin QSUT, ku shkoi për të hequr apendicitin.

“Mua më ka bërë një përshtypje të jashtëzakonshme stafi juaj i infermierëve, i infermiereve. Domethënë nuk e di, një shërbim dhe gjëja që bëra, ju thoja vazhdimisht “të shkoj pak në banjë, të shkoj në banjë” dhe më thonin: “jo, jo nuk ka nevojë se është kateteri, s’ka nevojë”, ishte fiksimi për të parë tinëz në radhën e shtretërve ku shërbeheshin pacientët e tjerë dhe për të kapur detaje sado të vogla nëse infermierët bënin të njëjtën gjë, por në fakt pastaj u desh në fund fare ta mësoja se ato që ishin aty në fakt ishin infermiere që i shërbenin dhe atyre”, tha Rama.

Ora 09:03
Rama fton në podcast stafin mjekësor që i hoqën apendicitin, i bëjnë dhuratë çipin që tregon të gjithë operacionin

 

Këtë herë, në podcast-in ‘Flasim’ kryeministri Edi Rama ftoi stafin mjekësor të QSUT-së, që mori pjesë në operimin e tij për heqjen e apendicitit. Që në nnisje, shefi i Shërbimit të Kirurgjisë, Arben Gjata i bëri dhuratë një çip që është video e gjithë operacionit që është bërë.

Gjata: Në fakt unë para se të filloja, do doja t’ju bëja një dhuratë që është një çip që është video e gjithë operacionit që është bërë.

Rama: Me thënë të drejtën unë pashë vetëm një moment vetëm nga skaneri se mua më pëlqejnë shumë skanerat, se janë si vepër arti, por kur më thatë se ky këtu është apendisiti, m’u duk një gjë aq e shëmtuar.

Gjata: Kjo është edhe më e bukur sesa skaneri kështu që..

Rama: Është edhe më i shëmtuar këtu se është më i..

Gjata: Është i edituar këtu po në fakt  është standard, nuk është se u bë ndonjë privilegj. Standard është.

Rama: Pse, gjithmonë ka 3 mjekë, 3 kirugë?

Gjata: Përgjithësisht janë 3 kirurgë dhe 2 anestezist në operacione, sidomos në operacionet e shkallës së mesme e të lartë të vështirësisë, në apendicit mund të jenë edhe 2 anestezistë e 2 kirurgë. Duke qene se kjo ishte me laparoskopi, ne menduam që të ishim me 3 kirurgë dhe 2 anestezistë dhe jemi brenda standardeve. Nuk kemi bërë asnjë gjë të veçantë. Faktikisht ekipi ishte i përzgjedhur, u përgatit që përpara në mënyrë që ne të kishim mundësinë që t’u ofronim ndihmën më të mirë të mundshme dhe asistencën mjekësore më të mirë të mundshme.

Ora 09:00
'Në operacion do jetë dhe një ish-ministër Shëndetësie', Rama zbardh batutat me Arben Gjatën para heqjes së apendicitit: Nard Ndoka?

 

Edi Rama ka zbadhur bisedën Arben Gjatën për ekipin e mjekëve të QSUT që morën pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale për heqjen e apendecitit të kreut të qeverisë. Kur Arben Gjata i tha se do të ishte edhe ish ministri i Shëndetësisë pjesë e ekpit, Rama kishte reaguar duke thënë: ‘Larg qoftë Nard Ndoka’.

Unë isha shtrirë kur profesor Gjata erdhi dhe tha; ‘’kemi me vete edhe një ish-ministër shëndetësie’’. Unë thashë largqoftë Nard Ndoka dhe pastaj pashë ju dhe për hir të së vërtetës për arsye të shefes sime të kabinetit që mesa kam mësuar ju njeh prej shumë kohësh, që nga koha e studimeve mbase dhe flet me një respekt të jashtëzakonshëm, kur u bë ajo qeveria që unë në fakt nuk mora pjesë në asnjë mbledhje, s’jemi takuar asnjëherë as si kryeministër dhe as si ministër, tha, po të paktën një profesionist i lartë, i hajrit, kështu që e para”, tha Rama.