Vatikani ka thënë se mund të jetë i nevojshëm përdorimi i forcës për të ndaluar sulmet e militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Lindjen e Mesme, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike.

Kryepeshkopi Silvano Tomasi, diplomat i lartë i Vatikanit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, ka thënë se xhihadistët janë duke kryer “gjenocid” dhe ata duhet të ndalohen.

“Të krishterët, jazidët, shiitët, sunitët, alavitët, të gjithë janë qenie njerëzore, të drejtat e të cilëve duhet të mbrohen”, ka thënë Tomasi.

Sipas tij, çdo koalicion duhet të përfshijë shtetet myslimane nga Lindja e Mesme dhe duhet të udhëhiqet nga OKB-ja. Vatikani tradicionalisht ka kundërshtuar ndërhyrjen ushtarake në rajon.

Militantët kanë kryesisht në shënjestër pakicat fetare në territoret që kontrollojnë në Siri dhe Irak. Mijëra njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë.