TIRANE- Dhjetë personat e arrestuar për skandalin e Bankës së Shqipërisë ku u vodhën 713 milionë lekë nga thesari në Linzë, rezultojnë të varfër pasi asnjë prej tyre në llogaritë bankare nuk ka asnjë depozitë por vetëm llogarinë rrjedhëse të pagës.
 
Një burim nga prokuroria e përgjithshme tha për “A1 Report” se pas hetimeve 2-javore bankat e nivelit të dytë kanë kthyer përgjigje zyrtare për organin e akuzës. Sipas përgjigjeve nga bankat rezulton se të arrestuarit mes tyre dy të dyshuarit kryesorë të vjedhjes Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, si dhe ish-drejtori i Emetimit të Parave, Dorian Çollaku, i afërmi i Fullanit, nuk kanë asnjë para të vendosur si depozitë në llogari bankare.
 
Po i njëjti burim sqaroi se aktualisht hetimi pasuror për të arrestuarit është ende i hapur, pasi për të përmbyllur fazën paraprake të hetimit duhen edhe përgjigjet e zyrës së ALUIZNI-t, Hipotekave, si dhe të drejtorisë së Pastrimit të Parave.
 
E teksa të arrestuar për skandalin e parave në bankë, në pranga janë 10 persona mes tyre 9 nga stafi i bankës dhe nipi i Ardian Bitrajt, prokuroria sqaron se janë hetimet ato që do të zbardhin përgjegjësinë e ish-punonjësve të bankës.
 
Por paçka prangosjes së këtyre shtetasve të cilët aktualisht ndodhen në paraburgimet 302 dhe 313 në kryeqytet, ende nuk ka asnjë gjurmë se ku mund të jenë shpenzuar paratë e vjedhura, ku sipas pistave zyrtare të Prokurorisë nuk përjashtohet as mundësia se paratë mund të jenë kaluar jashtë Shqipërisë.
 
Pas arrestimit si personi kryesor për vjedhjen e parave Ardian Bitraj do të deklaronte se shumën prej 713 milionë lekë e kishte shpenzuar në bixhoz dhe lotari sportive, por pas verifikimeve të bëra nga Prokuroria e Tiranës rezultoi se kjo dëshmi ishte e rreme.
 
Të arrestuarit pritet që të ripyeten sërish këtë javë nga njësia task-forcë dhe grupi hetimor që po punon me dosjen e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ende asnjë nga masat e sigurisë të apeluara në Gjykatën e Apelit prej të arrestuarve nuk është marrë në shqyrtim.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)