Zvarritja me javë të tëra e punës për shkak të debateve mes opozitës dhe maxhorancës ka sjellë mungesën e një produkti në kohë në Komisionin Hetimor të Koncesioneve në Shëndetësi që ka marrë në dorë dy koncesionet më të bujshme në sistemin shëndetësor: atë të check-up dhe sterilizimit.
Për këtë arsye, kryetarja demokrate Albana Vokshi tha se afati i Komisionit do të zgjatet.
‘Nuk kemi akoma kontratën e plotë, kemi rënë dakord me kryesinë e vogël që ta shtyjmë.’- tha Vokshi.
Bashkëpunimi zgjati vetëm kaq, dhe në momentin që sallës iu drejtuan dëshmitarët e radhës për të folur mbi koncesionin e sterilizimit, debatet u ndezën.
Mjeku Artan Koni tha se kostot e sterilizimit janë të fryra dhe se sipas përllogaritjeve, sterilizimi mund të ishte bërë me të paktën 10 herë më pak para.
“Sterilizimi është një proces i thjeshtë që nuk merr kohë dhe nuk ka vlerë të lartë monetare. Koncesioni nuk ka vetëm procesin e sterilizimit edhe atë të veglave, por mesatarisht na ka rezultuar që kostoja që duhet për 10 vjet është ajo që ne paguajmë për 1 vit. Pra, afërsisht ajo që paguhet në 10 vjet, ne kemi paguar për 1 vit. Këto janë kosto të përafërta patjetër, por për këtë është hetimi për të parë a është kosto e fryrë apo jo. Kemi bërë një llogaritje nëse marrim për bazë çmimin e një seti, ishte një llogaritje duke matur vetëm një set, rreth 200 euro dhe dilte pak a shumë për setin rreth 80 herë më e lartë, ndërsa për të gjithë shërbimin 10 herë më shumë”- tha Artan Koni.
Ndërsa audituesi i KLSH, Klarenc Xhaferraj tha se për periudhën 2016 deri në 2019, vetëm TVSH për shërbimet e koncesionit të sterilizimit i ka kushtuar buxhetit të shtetit 69.5milionë lekë.
‘Njëlloj si te check-up faturohet me TVSH në faturat mujore të prera nga koncesionari, duke paguar shtesë 20% mbi çmimin e shërbimit mjekësor të prokuruar. Kjo i ka kushtuar buxhetit të shtetit për 2016-4 muajt e parë 2019 69.5milionë lekë.’- tha audituesi i KLSH, Klarenc Xhaferraj.
Dosja e sterilizimit është një nga dosjet e bujshme të hetuara nga SPAK, që ka konstatuar shkelje në koncesionin 10 vjeçar me vlerë 100 milionë euro.
Tashmë dosja ka kaluar për Gjykim ndërsa nën akuzë për shpërdorim detyre është ish ministri Ilir Beqaj, ndërsa bashkë me të masën detyrim paraqitje për sterilizimin është biznesmeni Ilir Rrapaj dhe 7 persona të tjerë.