Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, teksa ka folur në një lidhje live për Report TV mbi përmbytjet e ditëve të fundit, ka bërë thirrje që kanalet kulluese të merren nën administrim nga Ministria e Bujqësisë.

Këtë kërkesë Panariti e argumentoi me arsyetimin se bashkitë nuk i hedhin fondet përkatëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtyre kanaleve.

“Unë ndoqa me shumë vëmendje kronikat tuaja dhe ndoqa edhe ministrin. Dhe do i sugjeroja ministrit që t’i kërkojë qeverisë së tij që të marrë në administrim rendin e kanaleve të dyta dhe të treta, të cilat ai nuk i ka në administrim. Sepse ato administrohen nga bashkitë, të cilat nuk i kanë dhe s’kanë për t’i pasur ndonjëherë prioritet mirëmbajtjen e tyre. Bashkitë nuk i hedhin fondet në këto kanale, por i përdorin në drejtime të tjera. Dhe duhet të ketë një hetim për këtë nga Prokuroria, sepse ato para janë dhënë për kanalet, për thellimin e tyre dhe për argjenaturat. Ajo që do i sugjeroja ministrit, gjë që unë kam ngulmuar me shumë forcë kur isha anëtar i qeverisë, është që rrjeti i kanalizimeve kullueze dhe vaditëse duhet të jetë nën administrimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë. Përsa kohë që do të jenë të ndara, atherë sistemi do të jetë i shkalafitur dhe çoroditur, dhe do vijojmë të kemi situata të tilla”, tha mes të tjerash Panariti.

Panariti foli gjithashtu për hidrovorët që duhet të tërheqin ujërat gjatë përmbytjeve, duke thënë se vërtetë ata mund të punojnë, por sipas tij, nuk tërheqin ujin.

Duke marrë shembull përmbytjet e fundit në Durrës, Panariti tha se hidrovori i Porto Romanos është jashtë çdo standardi. Kjo pasi sipas tij, ai është ndërtuar në disnivel me ujërat dhe pompat nuk thithin ujë por ajër.

Panariti kishte kritika për investimet në hidrovorë, duke thënë se ato duhet t’i marrin në dorë specialistët.

“Hidrovorët mund të punojnë, por a thithin ujë apo jo, kjo është një tjetër çështje. Hidrovori i Porti Romanos në Durrës që ishte një investim i ri, u bë jashtë çdo lloji kontrolli teknik. Ai është vendosur në disnivel me ujërat. Pompat nuk thithin, thithin ajër, por jo unë, sepse janë në disnivel. Kush i merr në dorë këto investime? Ke shira në vazhdim”, shtoi Panariti.