Me pretendimet se kanë punuar për PS, Arlind Boshku dhe Dritan Burgija u përjashtuan nga grupi i këshilltarëve bashkiakë të Durrësit, pas mbështetjes së tyre kundrejt Ervin Salianjit.
Për analistin dhe gazetarin Ilir Yzeiri, këto pretendime janë mashtrime të hapura. Gjatë një bisede në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, ai e quan Berishën një “mjeshtër mashtrimi dhe gënjeshtre”. Në këndvështrimin e Yzeirit, Salianji s’ka bërë asnjë veprim që të tregojë bashkëpunim me PS, por vetëm ka shprehur një ligjërim ndryshe brenda opozitës.
“Është bërë mjeshtër i mashtrimit dhe i gënjeshtrës sepse në daljet publike të Salianjit nuk ka pasur asnjë veprim ose akt që të shkonte në drejtim të PS. E para, duhet që fjalën tënde ta shoqërosh me një ngjarje, pasi ti ke dalë dhe artikuluar një ligjërim ndryshe brenda opozitës se këtë ka bërë Salianji, ka thënë që PD duhet të ketë një qasje tjetër, të shikojë nga vetja, të mblidhemi, të hapemi, të shikojmë ku i kemi defektet, të bëjmë një analizë të zgjeruar dhe të mbajmë përgjegjësi për ato që nuk kanë shkuar mirë. Ku është bashkëpunimi?”, tha Yzeiri.
Ai shtoi se Berisha i qëndron parimit se kushdo që e kundërshton, duhet larguar.
“Çdo njeri që i del kundër atij duhet larguar, duhet përjashtuar. Fare e thjeshtë. S’ka asgjë në kokë ai. Nuk ka lidhje me demokracinë Sali Berisha. Është humbje kohe të merresh me të”, vijoi Yzeiri.
Protesta e 22 marsit nuk ishte aspak produktive, tha publicisti. Madje, ai veçoi gjestin e turpshëm të Xhelal Mziut, i cili shkeli flamurin kombëtar.
“Një protestë si gjithë të tjerat, e lodhshme, e mërzitshme, pa asnjë mesazh, vetëm me mesazhin e 200 vetëve të nevrikosur që hidhnin molotovë nëpër institucione. Më e turpshmja, shënoi një rekord tjetër kjo protestë që kaloi pa u vënë re, aty u shkel flamuri shqiptar. Ne s’kemi opinion publik, po të kishte opinion publik, do ta kishte detyruar Xhelal Mziun të dorëhiqej nga politika dhe të mos merrej më kurrë me politikë sepse nuk ka fyerje më të rëndë sesa kur një përfaqësues i pushtetit shkel flamurin kombëtar”, tha Yzeiri duke nënvizuar se ndryshe nga Report Tv, asnjë media nuk e nxori në pah këtë moment.
Ai tha se tashmë opozita ka nëpërkëmbur vlerat dhe veç faktit që s’kanë më identitet politik, tani “po shfaqin identitet kriminal.” Sa për flamujt gjermanë në protestën e PD, janë një lojë e ulët politike e Berishës.
“Karagjozllëku më i madh që mund të ndodhë! Një lojë e ulët politike prej Berishës që shfrytëzoi një mungesë vëmendjeje të një përfaqësuesi gjerman që erdhi këtu dhe takoi Berishën dhe ky mendon se duke u identifikuar me Gjermaninë, Gjermania mund të ndryshojë mendim ndaj tij dhe i çon mesazhe që shikoni, unë këtej e tutje do të jem me ju, jo me amerikanët, heq flamujt amerikanë dhe merr flamujt gjermanë”, tha Yzeiri.
Situata ku ndodhet Berisha është delirante, thotë Yzeiri, duke shtuar se ai është mitoman.
“Berisha është në delir, i pabesueshëm në ato që flet. Njerëzit që jetojnë në delir dhe janë të mpirë nga legjendat urbane, fillojnë të besojnë edhe deliret, çmenduritë e tyre. Ajo që thotë Berisha nuk ka lidhje fare me atë që ndodh dhe ua thotë Salianjit e të tjerëve që nuk më hiqni dot, është mitoman”, u shpreh ai.
Komente












