‘Hijet’, që pengojnë shtetin të bëhet

‘Hijet’, që pengojnë shtetin të bëhet

Kuvendi i Shqipërisë

Sot të gjithë po merren me fadromat e Irfanit, “sulmin kibernetik”, “skandalin e djegësave”, po merren me organizimin e protestave nga një opozitë e zhurmshme dhe pa bereqet, por askush nuk merret me problemin më të madh që kemi, me ata që pengojnë shtetin ligjor të bëhet. Kemi 32 vjet që hartojmë, rihartojmë, miratojmë dhe anullojmë ligje, projektligje, drafte dhe rezoluta, kemi 32 vjet që në këmbët tona rrokulliset shpura e pseudopolitikanëve, e atyre që pasi i ndjenë lezetin PPSH, u kthyen në “demokratikas”, formuan partinë e tyre (sepse e tyre është) u pasuruan dhe pengojnë me çdo mjet shtetin të bëhet.

Një dyzinë me moderatorë dhe “shkencëtarë” të realitetit, japin leksione dhe rrëfenja mbi “zgjidhjen e situatave politike, mbi planet dhe projektet se si opozita mund të rrëzojë Ramën”, marrin rryshfete nga të moçmit e katastrofave, dhe kaq. Askush nuk del dhe thërret me të madhe “kush pengon shtetin të bëhet”, kush pengon vendin të zhvillohet, shqiptarët të shkollohen dhe ligji të zbatohet ? Askush nuk del dhe të kërkojë largimin e “çibanëve” që kanë mbërthyer politikën, partitë, anëtarësinë e përgjegjshme, dhe kërkon rikthimin në situata dramatike të jetës së shqiptarëve. Kërkuam drejtësinë e re, dhe ja tek po bëhet. Por politika e pengimit të bërjes së shtetit, e pengon atë të veprojë. I sulen dhe ç’nuk i thonë, i damkosin dhe sikterrisin, vetëm e vetëm sepse ndjejnë tu afrohet qelia. Sot “armiku” nuk është Edi Rama (siç thotë ish-lideri), por ai dhe ata që kanë 3 dekada që na mbajnë nën thundrën e tyre.

Na mbajnë larg Europës, pranë korrupsionit, na mbajnë larg zbatimit të drejtësisë, pranë anarshisë dhe kaosit popullor. Janë ata u mësuan me poste, irate dhe çifliqe, që u mësuan me pasuri dhe miliona të pamerituara, dhe sot frigohen sepse mund t’ja u marrin. Dhe populli, atë pret. T’ja u marrin, dhe ti ndëshkojnë sipas ligjeve të drejtësisë së re. Një fjalë e urtë thotë “kur diçka vonon, nuk vjen fare”. Çdo ditë që vonon ndëshkimin ndaj atyre që pengojnë shtetin të bëhet, është “oksigjen” për tu zgjatur jetën politike një takëmi, që kanë futur në qorrsokak shqiptarët dhe të ardhmen e vendit. Asnjë problem tjetër, nuk është më i rëndësishëm, se sa bërja e shtetit. Jemi të fundit në Europën postkomuniste, që të konvertuarit në “demokratë”, i trajtojmë si shenjtorë.

Ata sot janë të paprekshëm, dhe fatin e tyre, duket sikur e kanë lidhur me fatin e gjithë shqiptarëve. Deri ditën që ata të jenë në politikë, deri ditën që ata të kenë hapësira të dalin në ekrane dhe tu flasin shqiptarëve mbi “ndershmërinë, lirinë dhe demokracinë”, ky vend nuk ka gjasa të bëhet. Ata janë “hijet” që pengojnë gjithçka munden, nxijnë çdo arritje dhe ndryshim cilësor në jetët tona, dhe kapardisen majë zyrave dhe partive, përballë një drejtësie të vonuar.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eri: 12/09/2022 16:34

    Sakte ajaz

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zelensky: Rusia plan për të ndaluar punimet e samitit të paqes në Zvicër

Zelensky: Rusia plan për të ndaluar punimet e samitit të paqes në Zvicër