Një çift gjerman që kishin ardhur për turizëm në Shqipëri është përfshirë në një konflikt me një çift shqiptar në plazhin e Bunecit në Himarë.
 
Sipas policisë 61-vjeçari gjerman me inicialet J.C. është goditur me grusht nga shqiptari 41-vjeç, pasi turisti nuk i kishte dhënë pagesën e parkimit të automjetit "Rulot".
 
Çifti shqiptar nuk ishte pronar i tokës në zonën e Bunecit, por e kishte zaptuar dhe kërkonte para për parkimin e automjeteve.
 
Nga konflikti i moshuari gjerman ka mbetur i dëmtuar lehtë, ndërsa çifti shqiptar është arrestuar disa minuta më pas nga policia në aksin rrugor Himarë - Vlorë pranë Orikumit.

 
Deklarata e policisë Vlorë
Rreth orës 21:50 në zonën e plazhit Bunec, Himarë ka ndodhur një konflik midis dy shtetasve shqiptar dhe dy shtetasve të huaj.
 
Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes ku ka  rezultuar se dy shtetas shqiptar (bashkëshortë), janë konfliktuar fizikisht me shtetasit J.C,  61 vjeç dhe C.C,  59 vjeçe (bashkëshortë) me banim në Gjermani.
 
Në konflikt e sipër çifti shqiptar  ka dëmtuar lehtë shtetasin gjerman J.C, dhe më pas  janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira.
 
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pagesës së parkimit të automjetit gjerman "Rulot", tarifë e cila është kërkuar nga ana e çiftit shqiptar duke mos qenë pronarë të zonës (vendit).
 
Policia e Vlorës në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Himarë janë vënë ndjekje të shtetasve në fjalë dhe kanë bërë të mundur kapjen e tyre në aksin rrugor Himarë - Vlorë pranë Orikumit.
 
Policia ka identifikuar personat e dyshuar si:
1.  L.S, 41 vjeç,
2.  D. N, 28 vjeçe,  të cilët po udhëtonin drejt qytetit të Vlorës me automjetin e tyre tip "Benz".
 
Këta shtetas janë shoqëruar drejt Stacionit të Policisë Himarë për veprime të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.
 
 

d.b/shqiptraja.com