Negociata e gjatë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është e çuditshme, pasi është plot me kontradikta e falsitete. Formalisht, është Shqipëria ajo, që ka kërkuar të aderojë në Bashkimin Evropian, por politikisht është Bashkimi Evropian, i cili, që nga viti 1992 (madje edhe më parë) i është vardisur Shqipërisë që kjo të aderonte në familjen e madhe evropiane. Nga njera anë, është Shqipëria, e cila përpiqet t’u përshtatet standardeve të imponuara nga Evropa për të kaluar provimet e Brukselit, por, nga ana tjetër, është Brukseli, i cili i kërkon Shqipërisë që t’u përshtatet atyre standardeve, pa të cilët edhe Evropa do të pësonte dëme. Nga njera anë, janë vendet e Bashkimit Evropian (të cilëve u qendrojnë pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës), që po bëjnë gjithshka për ta mbajtur Shqipërinë larg vardisjes së Rusisë dhe fuqive të tjera lindore, por, nga ana tjetër, nëse Shqipëria kërkon të hyjë në Bashkimin Evropian, po ata vende e mbajnë jashtë.

E parë në këtë këndvështrim, aderimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është një çështje që i takon vetëm Shqipërisë, por është një çështje edhe e të gjithë Unionit. Kjo është një martesë, që u intereson të dy bashkëshortëve, të cilët e kanë dashur dhe e kanë kërkuar atë. Por, në retorikën e Brukselit, duket se gruaja është ajo që është dashuruar dhe është e gatshme të bëjë gjithshka, ndërkohë që burri ditë pas dite rrit çmimin për të shtyrë dasmën. Jo, e vërteta është ndryshe. Ato vende të Unionit, të cilat shohin pa u shqetësuar shpresat e integrimit të Shqipërisë, bien në mëkatet e mëndjemadhësisë dhe hipokrizisë. Pasi, në rast se Shqipëria do të kishte zgjedhur, ose të zgjidhte, një rrugë të ndryshme nga Bashkimi Evropian, për ato dhe për të gjithë Unionin, do të ishte shumë më keq.(c.b.)