Studentët që kanë studiuar “Shkenca Rehabilitimi” në Universitetin e Sporteve mund të ushtrojnë tashmë profesionin e fizioterapistit. Qeveria ka miratuar ndryshimin e nevojshëm në vendimin për profesionet e rregulluara, duke i njohur zyrtarisht këto diploma.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë një vizite në Universitetin e Sporteve. 

"Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë, me ditë të tëra, me rektorin dhe me dekanin, me Urdhrin e i Infermierit i Shqipërisë, i cili është një hallkë shumë e rëndësishme, siç e dini, si edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë diskutimeve dhe shkresave, dhe pasi rishikuam ligjin, gjetëm mënyrën për ta zgjidhur këtë çështje. Vij sot me shumë kënaqësi, sepse në mbledhjen e javës së kaluar, më 6 mars, qeveria miratoi ndryshimet e nevojshme në VKM për profesionet e rregulluara, duke përfshirë qartësisht për profesionin e fizioterapistit edhe të diplomuarit në Shkencat e Rehabilitimit që lëshohet nga ky universitet. Më vjen mirë që vijmë me këtë konkluzion dhe me këtë lajm të shumëpritur nga ju, duke ju dhënë mundësinë edhe brezave që janë diplomuar, edhe ju që jeni në proces diplomimi”, bëri me dije ministrja .

Ky ndryshim u jep mundësi të diplomuarve të regjistrohen në Urdhrin e Infermierit dhe të punojnë ligjërisht në profesion, një mundësi që më parë nuk e kishin për shkak se diploma e tyre nuk ishte e përfshirë në listën e specialiteteve për fizioterapi.

Kumbaro nënvizoi se ky ndryshim ligjor do të ketë impakt pozitiv edhe në regjistrimet e reja në Universitetin e Sporteve.

“Unë besoj se ky është një lajm i mirë edhe për studentët që do të zgjedhin të regjistrohen në këtë degë. Vjen në kohën e duhur, sepse regjistrimet janë në vazhdim, kështu që ju garanton juve dhe atyre që do të vijnë mundësinë e integrimit në tregun e punës, njësoj si kolegët tuaj që diplomohen për fizioterapi në institucionet e arsimit të lartë të shëndetësisë që ofrojnë këtë formim”, tha Kumbaro.

Në Fakultetin e Shkencave të Rehabilitimit, gjatë tre viteve të fundit akademike janë diplomuar 72 studentë, ndërsa aktualisht janë në studim 256 studentë për vitin akademik 2025–2026.

Rektori i Universitetit të Sporteve, Agron Kasa, e cilësoi këtë vendim një hap të rëndësishëm që u hap rrugë të diplomuarve të integrohen në tregun e punës. Ndërkohë, ministrja Kumbaro theksoi se qeveria do të vijojë mbështetjen për Universitetin e Sporteve, të cilin e konsideroi një aset kombëtar.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 12 Mars, 14:12

    PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, si e vlerësoni?