Histori nën ujë, betejat detare në 
Durrës, fati i anijeve të fundosura

Histori nën ujë, betejat detare në <br />Durrës, fati i anijeve të fundosura
Gjiri Durrësit ka qënë një gji strategjik në të cilin që nga lashtësija janë zhvilluar beteja detare të fuqishme. Këto beteja, përveç atyre të lashtësisë, kanë qënë prezente në këtë  teatër  ushtarak edhe gjatë luftës se parë dhe të dytë botërore.

Ne thellësite e detarve shqiptare ndodhen rreth 14 anije të mbytura ne konfrontimet detare ose nga aviacioni. Lidhur me këtë problematikë me ngarkesa të medha historike , historiani ushtarak Shefqet Kërcelli thotë: Sa herë diskutohet kjo temë më vjen në mëndje një shprehje e historianit Tozer, i cili ka thënë se, “Kur të shkruhet historia e përgjithëshme e lundrimit botëror, ujërat e brendshme të Shqipërisë, do të japin material shumë interesant që u përket kohërave më të lashta të historisë së lundrimit”…

Tashmë është vërtetuar konkretisht se, ashtu si nëntoka jonë që është e mbushur me dëshmi historike, ashtu dhe thellësitë e ujërave Joniano-Adriatikase strehojnë anije, mjete detare dhe materiale që dëshmojnë ekzistencën e një trafiku detar dhe tradite detare të spikatur të kombit shqiptar.

S’dua të zgjatem me këto histori, sepse i kam trajtuar gjerë e gjatë në tre vëllimet e “Antologjisë së Detarisë së Popullit Shqiptar”, por vlen të theksojmë se qysh në antikitet, në mesjetën e vonë, Luftën e I-rë dhe të II-Botërore,  në hapësirat detare të vendit tonë, për arësye të trafikut detar, piraterisë, dyndjeve apo luftrave të ndryshme, ka anije të mbytura ose mbetje të tyre të cilat janë një pasuri e cmueshme për popullin shqiptar, shpesh herë të krahësueshme me atë në tokë.

Gjej rastin të përshëndes punën plot pasion të ekipit shqiptaro-amerikan, bashkë me ekuipazhin e anijes “Herkules”, të cilët hodhën dritë mbi trafikun detar të antikitetit në ujërat tona. Ndërkohë duhet inkurajuar dhe përkushtimi i mjaft studjuesve tanë si M.Zeqo, H.Ulqini, A.Anastasi dhe zhytësave profesionistë të këtyre viteve, që kanë eksploruar një pjesë të pasurisë nënujore të vendit tonë.

Madje ata kanë hedhur idenë e krijimit të hartës së anijeve të mbytura në pjesën adriatiko-joniane të vendit tonë, me koordinata të sakta, të cilat të arkivohen dhe ruhen nga shteti shqiptar. Dhe ato nuk janë pak, ndaj duhet krijuar një database i vecantë.

Natyrisht, në këtë histori, anijet e mbytura gjatë dy Luftrave Botërore zenë një vend të vecantë.  Fuqitë ndërluftuese në trojet shqiptare, shpesh herë e kanë zhvendosur luftën në det, kështu qysh në Luftën e parë botërore kemi prezencën e anijeve franceze, italiane dhe austrohungareze, përfshi dhe nëndetset.
 
Lufta e parë botërore: Tragjedia e “Bregenz”
Viti 1918. Në gjirin e Durrësit, në përfundim të Luftës së Parë Botërore, ka ndodhur një tragjedi. Një avullore austro-hungareze me 1200 ushtarë në bord, ndërsa po i afrohej portit të Durrrësit, është siluruar në mesnatë nga torpedot italiane të cilat kanë ardhur befasisht nga porti i Brindizit. Mjeti detar është mbytur shumë shpejt për shkak të dy silurave që kanë goditur në shenjë, ndërsa mjetet goditëse të imbarkuara në një destrojer që qëndronte në distancë janë larguar drejt bazës së nisjes. 94 vite më vonë anija fatkeqe “Bregenz” do të zbulohej në thellësi të gjirit të Durrësit nga një ekspeditë e përbashkët italo-shqiptare. Pesë vite më parë shtypi italian ka pasqyruar kërkimet nënujore.Mjeti i mbytur është zbuluar nga  shqiptari Igli Pustina dhe nga zhytësi Mauro Pazzi me ekipin italian. Zbulimi është publikuar nga portali asso-net.
 
Zbulimi i anijes së mbytur
Avullorja “Brengenz” është mbytur në një përballje detare më 13 maj 1918. Një ekspeditë nënujore  ka bërë zbulimin e madh të anijes që gjendet prej vitesh nën ujrat e Adriatikut. Për gjetjen e tij ekspedita ka kryer zhytje dy ditore. Identifikimi është bërë gjatë zhytjeve të kryera në datat 25 dhe 26 qershor 2012. Relikti u identifikua që i përkiste anijes austriake “Bregenz” që në momentin e goditjes po kryente transportin e 1200 trupave ushtarake. Ai u fundos nga njësia detare italiane MAS, theksonte njoftimi i bërë 99 vite më parë në shtypin italian. Zbulimi i rëndësishëm, i  realizuar nga  Igli Pustina dhe Mauro Pazzi, kreu  i kompanisë BLUSUB, i cili ka njohuri të thella mbi ujrat e bregdetit shqiptar dhe është  fotografi i dytë i specializuar në reliktet nënujore, ka qenë rezultat i kërkimeve disamujore, dhe studimeve në arkivat italiane dhe austriake të Luftës së Parë.Pustina ka konfirmuar se avullorja nuk ishte identifikuar deri në ditët tona. Realisht fakti që në këto thellësi ndodhej një relikt, prej kohësh dihej nga peshkatarët shqiptarë, por asnjëherë nuk ishte arritur të identifikohej se cila anije ishte për shkak të kushteve të këqija në të cilat ndodhej objekti. Vetëm gjetja e bërë gjatë një zhytjeje eksploruese, të një dylbie të prodhimit austriak të përdorur nga një oficer, bëri të mundur fillimin e zbërthimit të misterit të identitetit të anijes duke u nisur edhe nga koordinatat e ngjarjes, karakteristikat teknike. Të gjitha këto bënë që të arrihej siguria se objekti i zhytur ishte avullorja austro-hungareze “Brengenz”, e goditur nga një njësi detare MAS e Marinës Mbretërore Italiane. Në këtë tragjedi kanë humbur jetën 234 ushtarë austro-hungarezë. Gjatë eksplorimit, fotografi Mauro Pazzi  ka grumbulluar një dokumentacion të rëndësishëm fotografik të cilin e ka krahasuar  me imazhet e periudhës së luftës dhe ka arritur të bëjë identifikimin korrekt të anijes së zbuluar.  Avullorja “Bregenz” është prodhuar në tetor 1908, me porosi të marinës ushtarake austro-hungareze. Ajo ishte e gjatë 108 m, me 15 m gjerësi dhe tonazh rreth 3905 tonë. Ishte e pajisur me një motor me avull  fuqi prej 3,350 HP,  që i lejonte një lundrim me një shpejtësi maksimale prej 13.5 nyje.
 
Beteja e mesnatës dhe mbytja nga MAS
Në mesnatën mes datës 12 dhe 13 maj 1918, avullorja i ishte drejtuar Durrësit dhe po transportonte rreth 1.200 ushtarë austro-hungarezë, por pak para hyrjes së tij brenda fortifikimeve të portit, një shpërthim shkaktoi një të çarë të madhe dhe pak çaste më vonë anija është tronditur nga një tjetër shpërthim në kazanat e kaldajës, të cilat sollën fundosjen e pashmangshme me një pjesë të trupave që ndodheshin në bord.

Anija u mbyt nga silurueset TBT 84 dhe 98 dhe kaçatorpedinieri Dukla menjëherë rekuperoi 958 ushtarë në ujrat e detit, ndërsa viktimat rezultuan 234 vetë të mbytur. Aksioni u realizua nga lejtnanti italian Mario Azzi që komandonte MAS 99 së bashku me komandantin Gennaro Pagano Melito dhe më pas kaluan në bordin e MAS 100. Anijet MAS ishin vetëm disa metra të gjata, me autonomi të vogël, por me aftësi të mëdha manovruese, për shkak të fuqisë së madhe motorike kundrejt peshës së kufizuar me shumë pak karburant.

Për shkak të autonomisë së kufizuar të lundrimit,  dy mjetet MAS janë larguar nga Brindizi për në Durrës nga destrojerët italianë Nievo e Bronxetti dhe më pas, duke lundruar në mes të natës, arritën fortifikimet e jashtme të portit. Pasi kryen sulmin MAS 99 që komandohej nga Pagano Melito mbeti viktimë e një dështimi, ndërsa komandanti Azzi në bordin e njësisë tjetër ishte në gjendje për të lëvizur rreth 200 metra afër anijës së armikut dhe lëshoi 2 silurat në objekt.

Anijet siluruese që shoqëronin anijen “Bregenz” identifikuan mjetet italiane dhe hapën zjarr menjëherë, por Azzi shfrytëzoi mjetin e vogël  të tij , duke kaluar me shpejtësi rrezen e zjarrit armik dhe doli në det të hapur.  Ndërkohë edhe MAS 99, pasi eleminoi shpejt difektin, lë zonën ku rrezikohej, për të arritur te destrojerët të cilët ishin duke pritur, për t’i kthyer në Brindizi.

Të dy komandantët italianë patën kohë për të parë goditjen në shenjë të silurave dhe zhytjen e shpejtë të anijes. Ishte ora 2.30 e datës 13 maj 1918. Pas pak, jashtë portit të Durrësit u bashkuan me konvojin ushtarako-detar italian dhe dy anijet u imbarkuan dhe arritën në Brindizi në orën 7.30 të mëngjesit.
 
Gjatë Luftës së II-Botërore. Histori e shkurter e mbytjes së anijes Antonjetta Costa në vitin 1940
 Deri ne fillim të viteve 70 banoret e Durresit mbajne mend direkët e një anije te mbytur 2 milje larg portit. Ishin direket e anijes  italiane Antonjetta Costa, e cila u godit nga nendetësja britanike “ Regent”  që komandohej prej Kapiten Hugh Cristofer  Brajën.Ngjarja ka ndodhur ne oren  17:37 më 4 tetor, 21 milje në perëndim të Durrësit. Lidhur me këtë ngjarje, historiani  ushtarak  Shefqet kercelli, autor i nje enciklopedie detare të vendit tonë thote në intervisten e tij eksluzive  për “ Te sheshi” se anija  Antonjeta Costa është goditur 60 milje larg Barit dhe është rimorkiuar dhe afruar rreth 2 milje ne afrësi të  portit te Durrësit pasi mendohej se mund të shpetonte, por me pas u braktis. Anija u mbyt në më pak se dhjetë metra e ujit, duke lënë  mbi siperfaqe vetëm pak meter oxhak si dhe direket. Tashmë sipas verifikimeve të bera anija Antonietta Costa  gjendet dy milje nga bregu i Durrësit, tre metra nën sipërfaqen e ujit.
 
Kercelli: Adriatiku dhe Joni sheshbeteja të fuqishme detare
Duke i u referuar historianit ushtarak Kërcelli, mesohet se detet periferikë dhe ngushticat u shndrua në një betejë të vërtete midis të gjithë fuqive ndërluftuese. Në këto beteja flota britanike, italiane, franceze, gjermane, amerikane, ruse, etj, morën pjesë me të gjitha mjetet detare që posedonin. Vlen të theksojmë se, operacionet e flotës britanike kundër anijeve dhe konvojeve italiane që furnizonin ushtrinë italiane gjatë pushtimit të Shqipërisë dhe më pas sulmit mbi Greqi, ishin një faktor kyc në dështimin e ushtrisë italiane. Janë bërë disa studime për konfliktin italo-grek, por po ti hyjme shifrave, thekson Kercelli, dëmi që i shkaktoi flota britanike flotës italiane në njerëz, armatime e logjistikë, që në vendbazimet e saj në Toronto, Bari, Brindizi dhe lëvizjes së saj në Jon e Adriatik ishte i pallogaritshëm. Kjo ndryshoi raportin e forcave në dobi të grekëve dhe për pasojë fitoren e tyre të përkohëshme, deri në ndërhyrjen e gjermanëve. “Viktimë” e këtyre operacioneve ishte dhe anija e transportit “Antonietta Costa”. Sipas burimeve britanike, që citon Kërcelli,  anijen e transportit, 5900 t “Antonietta Costa”, e goditi ND e Marinës mbretërore britanike HMS Regent {N41}, më 4 tetor1940, në kordinatat 41o05’’N dhe 17o45” E, rreth dy milje nga porti i Durrësit.
 
Itinerari i Betejes
Nëndetesja britanike HMS Regent lëvizi nga porti i Aleksandrisë më 23 shtator 1940. Më 3 tetor 1940, ajo mori urdhër të lëviste në Adriatikun e Sipërm. Më 4 tetor HMS Regent ndiqte kursin Bari-Durrës. Po këtë ditë një konvoj anijesh italiane i përbërë nga “Antonietta Costa”, “Oreste” dhe “Premuda”, shoqëruar nga kryqëzori RAMBIII, po lundronte nga Durrësi në Bari. Por konvoji ishte i pafat, sepse në orën 03.30 të mëngjesit, sapo u larguan nga porti i Durrësit, anija “Antonietta Costa” u godit nga një silurë e lëshuar nga HMS Regent. Sic e përshkruajnë të mbijetuarit e anijes në fjalë, menjëherë mbas goditjes së silurës ndodhi një shpërthim nënujor që tronditi krejt anijen. Pjesë të trupit të anijes u zhvendosën dhe ranë në ujë. Ndërsa tronditjen e ndjenë dhe anijet e tjera të konvojit. Pamvarësisht përpjekjeve e manovrave të kapitenit të anijes për ta nxjerrë në cekinë, ishte e pamundur, “Antonietta Costa” u zhyt në thellësitë e Adriatikut për tu bërë pjesë e trashëgëmisë nënujore të këtij deti sa të bukur, aq dhe të frikshëm. Shpëtuan rreth 56 detarë dhe pasagjerë, kryesisht ushtarakë me uniformë. Kercelli vëren se që nga ajo dite tragjike, “Antonietta Costën”, e përshëndesin dhe e përdorin si pikë referimi detarët dhe pilotët që kalojnë shpesh në atë drejtim, duke i bërë homzhe dhe viktimave të saj, të atij agim tetori të vitit 1940. Ndërkohë që Kërcelli  thekson përsëri  domosdoshmërinë e krijimit të hartës me të gjitha anijet e mbytura në ujërat shqiptare, të cilat duhet të arkivohen, vëzhgohen dhe ruhen nga autoritetet përkatëse të shtetit shqiptar, pasi jane pjesë kulturore e historike e shtetit tonë.
 
Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit