Adoleshentja hebreje, Ana Frank, e cila u bë e njohur për miliona persona në botë për shkak të një ditari të shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq nga sëmundja e tifos në Bergen-Belsen, të paktën një muaj para datës zyrtare të vdekjes së saj, sipas një studimi të publikuar sot.
"Ky studim, i cili bazohet kryesisht te dëshmitarët, zbardh ditët e fundit të Ana Frankut dhe motrës së saj Margot", thekson në një komunikatë institucioni "Ana Frank", me rastin e përvjetorit të vdekjes zyrtare të adoleshentes së njohur.
"Vdekja e tyre ka shumë mundësi të ketë ndodhur në shkurt të vitit 1945", thuhet nga studimi i kryer nga historianët të cilët punojnë për këtë institucion.
Kryqi i Kuq ka konstatuar se periudha kur Ana dhe Margot Frank, të moshës 15 dhe 19 vjeç, kanë vdekur, është mes datës 1 dhe 31 të muajit mars.
Autoritetet holandeze si përfundim kanë vendosur datën 31 mars.
Studimi i fundit gjurmoi udhëtimin tragjik të dy motrave drejt Auschwitz-Birkenaut dhe më pas drejt Bergen-Belsen, ndërkohë që Rusia fitonte terren në Lindje.
Sipas katër të mbijetuarve Ana dhe Margot vuanin nga sëmundja e tifos që nga fundi i muajit janar.
"Numri më i madh i vdekjeve të të prekurve nga tifoja ndodhte 12 ditë pas shfaqjes së simptomave të para", thonë zbuluesit, cituar për Insitutin holandez të Shëndetit Publik.
"Pra, është e pamundur të kenë mbijetuar deri në fund të muajit mars", thekson institucioni "Ana Frank"./atsh/