Historia e një psikologeje shqiptare që pandemia e bëri paciente

Historia e një psikologeje shqiptare që pandemia e bëri paciente

Foto ilustruese

“Ankth dhe stres në të njëjtën kohë. Kisha dy halle mbi supe”, tregon e buzëqeshur psikologja K.L. 29-vjecare.

Natyra na përball me gjëra që ndonjëherë edhe nuk i mendojmë, qoftë kjo edhe për ata që e ndjejnë veten të fortë mendërisht. K.L është një psikologe e cila përpara pandemisë ka punuar në një nga shkollat e kryeqytetit, por më pas ndihmoi edhe persona të tjerë për të kaluar gjendjen e pandemisë.

Ajo tregon se Covid-19 goditi fort mbi të edhe pse në sy të pacienteve të saj ajo dukej e lumtur edhe e qetë.

“Ne terapistët jemi të mësuar dhe ndoshta të vetë-krijuar për të fshehur emocionet. Këtë duhet të bëjmë përpara pacientëve tanë në fund të fundit.

Pandemia tek unë krijoi të njëjtën gjendje si tek pacientët e mi edhe pasi e kalova Covid-19. Kisha ankth dhe stres pavarësisht se unë dija teknika për t’u qetësuar ndryshe nga pacientët e mi”, tha ajo.

Psikologja tregon se në një kohë kur ajo duhet të ishte mbështetje për të tjerët, kishte nevojë vetë për mbështetje psikologjike. Me telefonin që nuk pushonte dhe me problemet e pafundme që dëgjonte dita ditës të cilat rrotulloheshin vetëm ndaj pandemisë dhe sëmundjeve, psikologja përjetoi gjendje ankthi dhe tregon se metodat që kishte mësuar për t’u qetësuar nuk po ndihmonin aspak.

Në tregimin e saj ajo i mëshon faktit se kishte raste kur në mëngjes kur binte telefoni nga ndonjë pacient, ngrihej me sy të fryrë se kishte qarë gjithë natën. E shpesh arsyeja ishte se ndjehej në faj se nuk kishte zgjidhje konkrete për pacientët e saj.

“Puna jonë kryesore është që njerëzit të na besojnë, por kur unë nuk kisha besim te vetja, nuk mund të isha e mirë për pacientët e mi. Tani kujtoj ditët, kur gjatë paradites trajtoja pacientët në ankth, në depresion, i këshilloja flisja me ta për problemet e tyre, i mësoja si të kalonin gjendjen e vështirë.

Flisja me persona të tjerë e i bëja që të më besonin problemet e tyre, por në darkë shpërtheja në të qara e kisha mendime të frikshme”, thotë K.L.

Psikologja tregon se profesionin e saj e ka pasur ëndërr gjithë jetën.

Ka qenë një ndër pasionet e saj më të mëdha e punën e saj e bën me dëshirë. Sipas saj ndërveprimi në komunikim me njerëzit për psikologët që e duan punën është një qetësi për ta, por këtë herë nuk ishte.

Siç e përcakton psikologja, këtë herë “i kishte dalë situata nga duart”. Që prej fillimit ajo shpjegon se kishte ditë kur anulonte bisedat sepse e humbte kontrollin. Tregon se qëndronte gjithë kohën vetëm duke qarë e duke mos gjendur arsyen pse deri kur kishte vendosur që të merrte ndihmë nga profesionistë.

“E gjitha çfarë më shqetësonte më shumë ishte se po e humbja kontrollin mbi veten, mbi gjendjen time”, shton ajo.
Pandemia mes orareve kufizuese, izolimeve, apo shpesh herë edhe shpërthimeve të njerëzve për liri dhe vdekjeve të njëpasnjëshme, krijoi një situatë të vështirë për të gjithë.

Raportet të ndryshme përgjat një viti pandemi tregojnë se cdo sferë e jetës u ndikua. Fakti që kjo gjendje po vijon ende dhe nuk i dihet se kur do të ketë një përfundim nxit edhe më tej gjendjen e vështirë mendore. Situata në vendin tonë gjatë pandemisë ishte tepër e vështirë.

Rreth dy muaj më parë të dhënat zyrtare të raportuara treguan se rreth 46.000 pereona kanë marrë këshillim psikologjik dhe ekspertët shëndetësorë në vendin tonë konfirmuan se pandemia ka dhënë efekte të drejtpërdrejta në shëndetin mendor.

29-vjeçarja tregon se gjatë fillimit të pandemisë kishte një rritje të menjëhershme të rasteve me probleme të ndryshme të shëndetit mendor me të cilët bisedonte dhe nuk e ndjente peshën e vetes, por më vonë u detyrua që të fliste me një miken e saj psikologe, duke mashtruar realitetin.

“Ka pasur shpesh rast gjatë këtij viti kur thoja, “boll nuk do t’i hap më askujt telefonin do qetësoj veten fillimisht”, por kur shihja njerëz që më besonin dhe përveç meje nuk kishin askënd qoftë edhe për të folur stepesha sepse mendoja që bëja keq. Por më pas u detyrova të ndaloja sepse nuk ishte diçka e kontrollueshme për mua.

Tashmë jam në një tjetër fazë. Kur mendoj se çdo gjë ka qenë një moment i keq dhe unë isha e mbingarkuar”, tregon më tej psikologja.

Të dhënat e përgjithshme nga urdhri i psikologut kanë shpjeguar më herët 70% e telefonuesve kanë qenë femra dhe ato që e kanë përjetuar më shumë këtë situatë kanë qenë nënat me fëmijë të moshës 30-35 vjeçe për shkak të ngarkesës së shumtë qoftë të punës online edhe të përkushtimit të fëmijëve edhe mësimit të tyre online, ndërkaq rrallë është ditur se mes tyre gjendjen e depresionit dhe ankthit e ka vuajtur edhe një psikologe.

“Gjendja im tashmë është e qetësuar fal miqve të mi në të njëjtin profesion, por ajo kohë ka qenë tepër e vështirë dhe ka qenë hera e parë kur jo vetëm i kam kuptuar pacientët e mi, por edhe kam ndjerë çdo fjalë të tyre”, përfundon ajo./ Gazeta"SI"

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë