Historia e trishtë e një prej familjeve shqiptare të persekutuara/ Internohet në moshën 13-vjeçare, e bija rrëfen tmerrin e përjetuar në kampin e Tepelenës…( VIDEO)

TIRANË- Gjatë periudhës rreth gjysmë shekullore regjimi i drejtuar nga diktatori Enver Hoxha ekzekutoi, internoi dhe burgosi për arsye politike dhjetëra mijëra shqiptarë në burgjet dhe kampet e internimit në mbarë vendin.

Persekutimi komunist në Shqipëri ishte më i përhapur në vendet e vuajtjes së dënimit, në burgje dhe në kampet e internimit, ku të ndëshkuarit vuajtën nga torturat më të rënda. Jo pak familje vuajtën persekutimin e këtij regjimi. Në një intervistë në emisionin “ Rreze Dielli” Ardita Repishti, drejtoreshë e mbështetjes shkencore dhe edukimit qytetar në AIDSSH tregoi historinë e familjes së saj, e babait të internuar që e kaloi fëmijërinë mes torturave të internimit, plagët që i  shkaktoi kjo ngjarje familjes së saj dhe dëshmoi edhe njëherë tjetër krimet makabre të këtij regjimi.

“Unë vij nga një familje e mirënjohur në Shkodër Repishti, në familjen tonë ishte e rëndësishme të mendoje në mënyrë të hapur, mund ta them qe gjyshi im Hafiz Brahim Repishti ishte një deputet i parlamentit shqiptar. Në frymën e tij u rritën fëmijët e tjerë, mes të cilit xhaxhai im Saimir Repishti shkon të studiojë në Firence dhe kthehet prej andej me vdekjen e të atit” tha ajo.

Pas burgosjes së vëllait të madh Samiut në vitin 1945 dhe më pas me arratisjen e vëllait tjetër Fahriut, i cili arratiset për t’i dhënë vetes mundësinë e lirisë, nis kalvari i vuajtjeve për pjesën tjetër të familjes, e cila me një urdhër internohet në kampin famëkeq të Tepelenës:

“Njoftimi erdhi në mënyrë të beftë, iu kërkua që brenda orës të merrnin sendet personale, të merrnin ç’ka kishin, dhe do të largoheshin nga qyteti, pa e ditur se ku. Familja u largua bashkë me familjen e dajës, pa e ditur se ku, dhe i kërkojnë gjyshes që për një orë të mbledh çfarë i nevojitet dhe të hip në kamion.Ndërkohë që gjyshja mblidhet me vrap tenxheret, mjetet e tjera të cilat ajo mendonte se do duheshin për tu ushqyer, për t’u veshur kurse ai ( babai) si 13 vjeç shkonte vinte nëpër shtëpi, me një çantë të vogël, në të cilën të fuste librat që do merrte me vete, sepse kishte dal i pari i shkollës dhe mendonte se ato libra do t’i duheshin atje ku shkonte’’ u shpreh ajo.

Po çfarë ndodhte brenda kampit famëkeq të Tepelenës?

“Ndër të vetmet histori për të cilat fliste është ajo ku bashkë me kushëririn kërkojnë për t’u ushqyer të marrin diçka jashtë telave të kampit, sipas tij në një orar që nuk ishte i lejuar, gjatë ditës bënin punë të detyruara të tipit, kalonin në një zonë  të caktuar malore, merrnin qoftë drru ose mjete të caktuara i ngarkonin në shpinë si të ishin kafshë pune dhe kthehesin në kamp dhe ishin të detyrur të konsumonin ushqime që nuk mund të imagjinohen. Ai tregon se pa dicka përjashta dhe shkon ta merrte që të ushqehej dhe lëviz me vrap bashkë me kushëririn e marrin dhe futen prap brenda duke menduar se askush nuk i pa, në të vërtët i kishin parë dhe për t’i bërë shembull dhe  që askush mos të arratisej i lidhin, i lënë gjithë natën jashtë me raste dhe i godasin me kamizhikë dhe  ai kalon një natë jashtë në të ftohtin e Tepelenës sepse guxoi të kalonte telat me gjemba për të marrë dicka për të ngrënë. Ai nuk e përsëriti më kurr historinë sepse e vuante shumë të tregonte sesa i poshtëruar ndihej në atë kohë, sa i shtypur ishte” rrëfeu ajo.

Një histori internimi që vazhdoi edhe pas mbarimi të dënimit në kamp, pasi poshtërimi, përndjekja dhe mos lejimi i këtyrë familjeve, për të bërë një jetë dinjitoze, për të vazhduar shkollimin dhe marrja e pronave, mallit e gjithçka tjetër vazhdoi deri në fund:

“ Tenton të bëjë shkolla të ndryshme, e largojnë nga gjimnazi sepse ishte me biografi të keqe, i provon të gjitha del shkëlqyeshëm me këto por e largojnë praktikisht nga cdo shkollë. Kështu që cdo përpjekje për t’u integruar, për të ndërtur vetveten, për të qënë ai që synonte pritet në mes për zgjedhje të cilat nuk ishin të tijat” përfundon ajo.

 

 

D.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja