Kush ka frikë nga dosjet?

Kush ka frikë nga dosjet?

Foto ilustruese

Në Tiranë këto ditë po mbahen Ditët e Kujtesës organizuar nga Instituti për Demokraci, Media e Kulturë. Qëllimi i kësaj nisme qytetare dhe historike është ajo cfarë ende nuk na jep qetësinë e merituar për ta lënë pas atë që ne e quajmë të kaluarën tonë të përbashkët.

Të kaluarën komuniste. Regjimin e një epoke që i peshon Shqipërisë aq kohë sa njerëzit e saj akoma nuk pranojnë ta shohin në sy.

Për të kushedisatën herë është rikthyer për diskutim ligji për hapjen e dosjeve, për dekomunistizim, për gjetjen e varreve pa emër, për pronat e vjedhura të viktimave të atij regjimi. E për gjithçka që nuk ju vu në vend asaj shtrese për më shumë se tri dekada. Për gjithçka ju mor me pahir e ku sot në tokat e tyre dremisin në gjumë deponuesit e tyre.

Sa herë afrohen zgjedhjet, aq herë bëhen polemika, hartohen ligje, krijohen komisione (si komisioni Bezhani dhe komisioni Mezini), të gjitha me kryefjalë dosjet. Por dosjet, ato të fshehtat, ato që rëndojnë jo vetëm moralisht por edhe juridikisht, afro tre dekada pas përmbysjes së komunizmit, a vazhdojnë të jenë nën të njëjtin regjim kontrolli dhe gjithaq instrument lufte dhe kërcënimi politik?

Pikërisht e fshehta e këtyre dosjeve shpreh pushtetin e së kaluarës mbi të sotmen. Largimi prej rregullimit ligjor të aksesit mbi dosjet e ish-bashkëpunëtorëve të fshehtë të Sigurimit do të thotë se ligjëvënësit e sotëm nuk janë të lirë të vendosin për ndarjen nga e kaluara. Përmes dosjeve të arkivave të fshehta sigurohet vazhdimësia okulte e klasës së vjetër në qeverisje dhe administrim publik në të gjitha shkallët.

Gjermania është një vend që ka krijuar një filtër të sigurt përmes politikës së aksesit për verifikimin e plotë të fatit të viktimave që elitat politike të pastrohen dhe të dekomunistizohen, mirëpo ne nuk mund të ngulmojmë që modeli gjerman të jetë i vetmi për të dekomunistizuar shoqërinë shqiptare.

Dhe a është ai më i miri?

Hapja e dosjeve na mëson shumë nga e kaluara jonë. Se si ka qenë sistemi i mëparshëm. Si janë përndjekur njerëzit dhe se si kanë arritur ata të ndërtojnë fatin e tyre në kurriz të tjetrit. Kjo është shumë e rëndësishme për viktimat por dhe për brezat që do vijnë.

Po pse tremben ligjëvënësit të njohin të drejtën e viktimës për të ditur pse janë dënuar, kush i ka përndjekur, kush i ka dënuar? Kjo është një e drejtë individuale, që realizohet për secilin më vete dhe nuk ka asnjë efekt të drejtpërdrejtë publik. Efekti i vetëm është ndëshkimi me anë të votës, që në thelb do të thotë refuzimi i atyre individëve që e mbajnë ende shoqërinë shqiptare brenda mendësisë së vjetër dhe nuk lejojnë dekomunistizimin e saj, jo në kuptimin e ndonjë makartizmi të ri, sepse në shoqëritë e hapura ka vend për të gjitha idetë, por thjesht përmes daljes së ish-komunistëve prej pushtetit dhe moslejimit të përdorimit të pushtetit prej tyre në mënyrë okulte.

Kjo do të ishte dhe liria e votës demokratike të tyre.

Nëse e drejta e viktimës është e përgjithshme dhe e pakushtëzuar, individuale dhe jopublike, kjo do të përbënte hapin e parë të ndriçimit të së kaluarës dhe të ndërtimit të profilaksive politike për të mos lejuar përsëritjen e përndjekjes. Prej këndej do të fillonte ai proces që zakonisht quhet “the lustration”, lustracioni, i cili vetëm në Shqipëri nuk është kryer.

Lustracioni nuk mbaron me kaq. Ligji duhet të njohë gjithashtu të drejtën e studiuesve dhe të kërkuesve për të naviguar sipas rregullave rreptësisht standarde në bazën e frikshme të të dhënave që pushtetet dhe qeveritë ose i kanë fshehur me xhelozi të tmerrshme, ose ia kanë kërcënuar njëri-tjetrit me po aq arrogancë.

Janë votuesit ata që, duke e ditur cila ka qenë e kaluara e gjithësecilit, vendosin në mënyrën më demokratike se cilin do të lejojnë të kalojnë në filtrin e votës së tyre dhe cilin do ta ndëshkojnë me mosvotim. Fakti që asnjëra prej këtyre të drejtave as është shqiptuar dhe as pritet të shqiptohet, edhe në këtë edicion rutinë të debatit për dosjet tregon se në administratën e lartë politike të shtetit ka shumë prej atyre që kur u përmend dosjet në fakt i tremben votës, pavarësisht se njëri-tjetrin e kërcënojnë me pseudonime gjithfarëshe, prej atyre rapsodike e deri tek pseudonimet ultramoderne.

Kjo është ndihma më e madhe që i bëjmë vetes në raport me të kaluarën. Qytetarit në agorën e tij.

Unë nuk e di cfarë frike ka ende klasa jonë politike. Por di një gjë, që e vërteta gjithmonë të frikëson.

Dhe te ne ka pasur dhe ka ende shumë njerëz, të cilët kanë frikë nga hapja e dosjeve, lustracioni apo dekomunistizimi.

Është frika nga e vërteta.

Frika nga konfliktet.

Dhe frika nga dhimbja. Dhimbjen nuk e do askush. /Marrë nga facebook

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare