Historia, ku gabon Blendi Fevziu

Miku im gazetari Blendi Fevziu boti dje një shkrim interesant mbi debatin që ka ditë që ka pushtuar disa nga gazetat e përditshme shqiptare. Rishikimi i Historisë në këtë 100 vjetor të Pavarësisë. Shkrimi i cili sigurisht i drejtohej të gjithë atyre që reagun nga fjala e Kryeministrit Berisha, ndër të cilët edhe unë, është realist dhe pjesë pjesë i saktë. Por gjithsesi do të thosha që Fevziu ka harruar apo qëllimisht i është shmangur thelbit të debatit. Pyetja është: A ka të drejtë një Kryeministër kushdo qoftë ai të mbledhë historianët e këtij vendi dhe tu japë udhëzime se si duhet të shkruhet historia? Mendoj se ky veprim i nxituar dhe arrogant ndaj historisë është thelbi i debatit dhe aryeja se përse disa personazhe që shkruajnë për historinë reaguan fort. Përtej shmangies së debatit të fundit mbi tregtinë e armëve të një Institucioni shtetëror, Kryeministri i vendit arriti që edhe kësaj here të tërhiqte vëmendjen e publikut me interpretimet e tij mbi ngjarje të caktuara të historisë shqiptare.
Ashtu si edhe miku im Fevziu unë besoj se historia e Shqipërisë është mjaft e manipuluar dhe e instrumentalizuar për qëllime politike. Historianët e periudhës komuniste errësuan mjaft figura me kontribute për historinë për shkaqe të lidhura ngushtë me politikën e kohës. Askush nuk mund të harrojë se si në librat tanë të shkollës, ne nxënësit që mësonim histori fshinim me bojë fytyrat e atyre që diktatura i eliminonte pa mëshirë nga rradhët e saj. Figura të ndritura të nacionalizmës shqiptare me kontribute në historinë shqiptare nuk përmendeshin kurrë nga historiografia komuniste. Lider komunistë të cilët kishin luftuar me armë në dorë për idealin e tyre papritmas shndroheshin në tradhëtarë. Kur Lasgush Poradeci i madh vdiq shumëkush në shkollen time u habit. Ne e dinim ate të vdekur prej kohësh dhe ja papritur mësuam një ditë se diktatura e kishte mbajtur Lasgushin të fshehur nga rinia që e lexonte me ëndje. I gjithë ky manipulim zyrtar i historisë bëri atë që psikologjia e shqiptarit sot kundrej të kaluarës së vet të jetë dyshuese.
I neveritur deri në kulm nga ky manipulim masiv i historisë së Shqiptarëve personalisht për vite me rradhë jam munduar të mësoj historinë e vendit tim nga bashkëkohës të huaj të paanshëm apo protagonistë në ngjarje historike. Kam lexuar dhe kërkuar në arkiva e botës për të parë një histori ndryshe të Shqipërisë dhe kam gjetur një histori larg ndikimeve politike dhe egocentrizmit të liderve shqiptarë të cilët janë përpjekur dhunshëm të imponojnë rolin e tyre. Për këtë arsye ndërhyrja e pak ditëve më parë nga Berisha në rishikimin e historisë m'u duk e pavend dhe jo e natyrshme. Ndërhyrja e politikës në punët e historisë mban akoma njerzit në llogore ideologjike duke penguar rishikimin normal të shumë figurave dhe ngjarje të rëndësishme të kohës. Sot pas 20 vjetësh në liri mendimi është shumë e turpshme që historianë dhe zëra publike pranë Oborrit të pushtetit të vazhdojnë me të njëjtin stil dhe mënyrë të manipulojnë historinë e shqiptarëve. Me të drejtë Fevziu për të disatën herë kërkon publikisht që figura e Ahmet Zogut të rishikohet. Jam nga ata që e kam mbështetur këtë mendim. Eshtë shumë e vërtetë që historiografia komuniste ka qenë e pa mëshirshme me figurën e Zogut. Tashmë nga distanca e viteve brezat e rinj kanë nevojë të mësojnë për figurën reale të ish Mbretit Shqiptar. Por a nuk do të ishte në nderin e Zogut që ky rishikim ti behej nga historianët e papolitizuar shqiptar që edhe ai si shumë figura të tjera të zinte vendin që meriton? Përse politika e kësaj Qeverie kërkon me dhunë ta vendose Zogun në piedestale që nuk i meriton? A është e hijshme që kryeministri i sotëm i cili 15 vite më parë i përzuri djalin Zogut ashtu si dikur edhe Duçja, tashmë kërkon ti ngrejë një bust në mes të Tiranës? Bust në mes të Tiranës për çfarë? Nëse Enver Hoxha i kërkonte aleateve pas Luftes rikthimin e Zogut si kriminel Lufte, a nuk ishte përzenia e Zogut të ri nga Hotel Dajti dhe rrethimi i tij me Shikun e famshëm një turp i ngjashëm? Nëse deklarata e Zogut mbi mos pranimin e zbarkimit italian në Shqipëri tregon formalisht mos aprovimin e tij për këtë pushtim a nuk ishte politika e tij ajo që i shiti vendin Italisë fashiste?
Mjafton të lexosh fjalët e ish mikut të tij të ngushtë Catin Saraçi për të kuptuar se piedestali që kërkojnë ta hypin me zor Ahmet beun e Matit nuk e mban dot. E thënë me fjalët e Konicës, "nëse kërkojmë ti japim seriozitet Monarkisë le ti lëmë karnavalet menjane" Zogu ka vendin e tij në histori. Le tja japim me dinjitet dhe jo me përdhunë.
Fevziun ka shumë të drejtë mbi egzagjerimin e "Markës" Qemal Stafa. Eshtë e kuptueshme që historiografia komuniste e përdori sakrificën e të riut shkodran për propagandë. Ashtu siç la në hije sakrificën e shumë të rinjve të tjerë shqiptarë që lanë jetën në luftën për atë që besonin. Por a nuk është e turpshme që 5 të rinj malësore që sakrifikuan jetën e tyre duke besuar në një Shqipëri më të mirë tu hidhet Statuja në plehra? A nuk është politika e sotme e cila me frymën revanshiste kërkon të turpërojë një qytet me kulturë si Shkodra duke përdhosur bustin e 5 heronjve të Vigut? A nuk po vepron Qeveria jonë ashtu si dikur propaganda komuniste duke zhdukur çdo gjurmë të idealizmit shqiptar për faktin se ky idealizëm u shfrytëzua për propagandë nga regjimi komunist? Po ç'faj kanë 5 djemtë malësorë të cilët dhanë jetën për një Shqipëri tjetër, shumë ndryshe nga ajo që Hoxha ndërtoi dhe shumë më tjetër se ajo që Berisha po grabit sot?
Fevziu pyet nëse kulti i Qemal Stafës është i egzagjeruar. Mendoj se Po dhe se vendosja e një numri objektesh emrin e Qemal Stafës është i tepruar. Megjithatë kanë kaluar mbi 20 vjet dhe askush deri më tani nuk i ka tentuar të vendosë një balancë të ndershme pa revansh politik të emrave mbi një sërë rrugësh dhe monumentesh jo vetëm në Tiranë. Heqja e emrit të rrugës së 4 Shkurtit përshembull e cila tenton të fshijë nga kujtesa masakrën që trupat kosovare nën udhëheqësin pro gjerman Xhafer Deva, bënë në Tiranë është një turp për Bashkinë e Tiranës e cila e filloi punën e saj duke falsifikuar historinë e Kryeqytetit. Nëse teprimi me emrat e heronjve të Luftës është real a nuk është fshirja nga memorja historike e ngjarjeve të Luftës po aq i dëmshëm?
Fevziu pyet nëse mundet të ketë paralele midis komunistëve Qemal Stafës dhe Mustafa Gjinishit? A është fati tragjik i Mustafa Gjinishit i vrarë pas shpine nga shokët e tij të Luftës i denjë për një përmendore në Tiranë? Unë nuk e di, por di nga arkivat britanike të hapura për këdo se një komunist i vendosur si Gjinishi i cili pasi përfshihet në listat e MIR britanik në Beograd me rekomandimin e Kryezinjve, trajnohet në përdorimin e shifrës sekrete, të shkrimit me bojë të padukshme i jepet një pseudonim i cili citohet shpesh nga Radio Londra dhe i dërgohen para nga Zyra e SOE në Stamboll. A ka ndryshim midis Stafës dhe Gjinishit? Çdo lexues mund të nxjerrë përfundimin vetë.
Një tjetër pikë interesante ku Fevziu e orienton shkrimin e tij janë Radiogramet e Misioneve Britanike në Shqipëri. Sigurisht puna e Misioneve Britanike duhet parë dhe gjykuar në tërësinë e tyre. Misionet Britanike kishin disa funksione pranë grupeve që operonin, Misionet Ushtarake por edhe oficeret e Shërbimit Sekret dokumentat e të cilëve deri me tani janë shumë pak të studiuara. Kabllogramet e tyre nuk janë e vërteta por analiza dhe gjykime të ngjarjeve të cilat linin gjurmë në zhvillimet e vrullshme të asaj kohe. Prandaj vetëm studimi i tyre në tërësi do të bëjë të mundur sjelljen e përfundimeve realiste mbi gjykimin që britanikët i bënin faktorëve politikë shqiptarë. Ja përshembull se si i verifikonte burimet e veta SIS britanik mbi disa figura që Kryeministri ynë i ka për zemër.
Në Dosjen e SIS materialit të mbledhur nga Zbulimi Italian.
"Gani Bej Kryeziu, ish-kapiten i ushtrisë jugosllave i kthyer në Shqipëri më 1924 me Zogun, më pas u emërua prefekt i Kukësit. Mbante lidhje të vazhdueshme me autoritetet serbe... Pas vrasjes së të vëllait, Ceno Bej rekrutohet nga shërbimet jugosllave. Gjithmonë një pro serb ka dëmtuar interesat shqiptare me aktivitetin e tij. Është rekrutuar nga 'Inteligjent Service' anglez dhe ka organizuar një bandë prej 300 vetash në bashkëpunim me një oficer anglez duke penetruar ne Shqipëri, deri në Shalë. Ka informacion se për këtë aktivitet ka marrë 12 milionë dinarë...Jeton tashmë në Beograd me të vëllanë, Hasanin dhe me vëllanë e vogël, Said një komunist i ri që ka studiuar në Paris" Dosja WO204/9559
SIS ka bashkangjitur dëshminë e vet të verifikimit: "Sipas burimeve tona në Ministrinë e Jashtme Jugosllave, Gani Beu merrte 10 mijë dinarë në muaj nga burime sekrete të kësaj Ministrie" (Arkivi Britanik, TNA Dosja HS 7/212).
Këto dhe plot të tjera janë dëshmitë e Arkivave Britanike të kohës për disa nga figurat që Kryeministri ynë i propozon historisë për tu vendosur në Piedestalin e 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar. A ka të drejtë? Le ta gjykojnë shqiptarët por si qytetar i këtij vendi refuzoj të zhytem në llucën e injorancës dhe manipulimit historik që politikanët tanë kërkojnë të na imponojnë. Prandaj rreshtohem përkrah Fevziut me idenë për të mos lejuar për hir të fëmijëve tanë vazhdimin e manipulimit të historisë së Shqiptarëve.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Pamjet mbresëlënëse, Parku i Drilonit nën petkun e dëborës

Pamjet mbresëlënëse, Parku i Drilonit nën petkun e dëborës