“Unë jam një familje shumë në mjerim pa katandi, po vuaj për bukën e gojës me 18000 lekë që i marrë ndihmë ekonomike. Ku të shkoj ? Kam në kujdestari nipin, edhe prej nipit marr 9000 lekë që e kam me vendim gjykate. Nuk kam një batanije, nuk kam një krevat, asgjë nuk kam,”thotë Mimoza Tela.
Mimoza, sot 60-vjeç, shprehet e pamundur të përballet me sfidat që përditshmëria i vendos përballë. Të kujdeset për vajzat e sëmura? T’i qëndrojë afër nipit që e ka në kujdestari apo t’i japë forcë vetes nën peshën e viteve që bëjnë të tyren.
“Me tension vet jam, më vjen keq për çunin është i dashur për çdo gjë siç e shikoni edhe vet nuk kam asnjë gjë. Ku mund të më fali ndonjë rrobë ose ndonjë gjë?Ku do ti gjej unë? Ku të shkoj të përplasem? Prandaj u bëj thirrje për ndihmë kush të ketë mundësi,” apeloj Mimoza.
Për Mimozën, jeta e saj është vetëm një detyrim ndaj nipit të mitur.
"Kam tentuar t'i jap fund jetës", thotë ajo mes trishtimit.
“Zgjidhja e fundit nëse nuk më ndihmon kush do ti jap fund jetës sime. Nuk mund t’ia dal dot. Do thuash ti po fëmijët ku do ti lësh? Nuk e përballoj dot jetën, skam për të ngrënë as për tu larë asnjë gjë,” tregoi Mimoza.
Edhe nipi i Mimozës, Xhevahiri, rritet mes kërkesash dhe ëndrrash të shumta. Po ndryshe nga fëmijët e tjerë, për 8-vjeçarin dëshirat i kanë lënë vend halleve.
“Nuk shkoj rregullisht në shkollë sepse nuk kam kushtet më mungon çdo gjë, nuk kam këpucë, çorape çdo veshje. Do doja të kisha një makinë lodër me telekomandë, kam shumë dëshirë ta kisha,” tha Xhevahiri.
Xhevahiri nuk mban mend të ketë marrë ndonjëherë dhuratë në fundvit, por ruan me veten një dëshirë për lodrën e preferuar.
Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

VIDEO








