Historiku/ Asnjë president
nuk ka përjashtuar parti

Historiku/ Asnjë president <br />nuk ka përjashtuar parti
Presidenti Nishani është vënë nën akuzë nga ish-presidenti Bamir Topi, njëherësh dhe kreu i Frymës së Re Demokratike, për mungesën e një ftese zyrtare në konsultimet e ditës së djeshme për vendosjen e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Presidenca tha se janë ftuar në këtë takim vetëm ato parti që në zgjedhjet e vitit 2009 kanë qenë parlamentare dhe jo parti të krijuara së fundmi. Por në fakt, historiku i takimeve dhe tryezave partiake e parlamentare me Presidentin është e gjatë, dhe gjithmonë, ka pasur nëpër takime parti parlamentare dhe jo parlamentare, kur është vendosur dhe diskutuar për ngjarje të rëndësishme politike në vend, përfshirë dhe ditën e zgjedhjeve.

PRESIDENCA
Presidenca ka dhënë shpjegimin zyrtar. "Presidenti ka thirrur në takim partitë politike parlamentare që kanë dalë si të tilla nga zgjedhjet përkatëse, të 2009 e që tashmë janë parti parlamentare. Presidenti i është referuar rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të shpallur nga KQZ", tha për gazetën "Shqiptarja.com" zëdhënësja e Presidencës, Irma Bogdani. Duke qëndruar strikt kësaj ideje dhe këtij qëndrimi Presidenti Nishani nuk ka thirrur në këtë takim ditën e djeshme për të diskutuar për ditën e zgjedhjeve FRD-në e udhëhequr nga ish-presidenti Topi. Pa toleruar aspak si në rastin e paraardhësve të tij, duke filluar nga ish-presidenti Berisha, Meidani, Moisiu e deri tek ish-kreu i shtetit Topi që dje e ndjeu veten të përjashtuar. Por dhe duke pretenduar se meqënëse e kanë një deputet në Kuvend, Oketën, ishin parti parlamentare dhe duhej të kishin qënë pjesë e konsultimeve formale për caktimin e datës për zgjedhjet e 2013. Madje kanë akuzuar dhe për aplikimin e dy standardeve duke thërritur në tryezë PDIU e Idrizit. Por burimet zyrtare brenda Presidencës saktësojnë se thirrja e PDIU është ndryshe nga FRD. Pasi ajo ka marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2009, si partit përfaqësuese e komunitetit çam nën siglën e PDI të drejtuar nga Tahir Muhedini dhe ka një deputet në qarkun e Vlorës, Dashamir Tahirin, rezultat i fiksuar dhe në tabelën e rezultateve në KQZ. Pra ka qënë që më 2009 si parti parlamentare me një deputet, ndërsa në shkurt të 2011 janë bashkuar me partinë e Idrizit, duke u bërë me dy deputetë dhe duke ndryshuar siglën nga PDI në PDIU, që nuk e ndryshon faktin që çamët janë të përfaqësuar në Kuvend që më 2009 me deputetë dhe janë parti parlamentare.

PRECEDENTET
Presidentët shqiptarë kanë takuar gjithnjë partitë politike, parlamentare ose jo për të diskutuar për procesin zgjedhor, datën e zgjedhjeve por dhe situatat e rëndësishme politike.

1996 është zhvilluar një tryezë me Presidentin për zgjedhjet, ku morën pjesë 9 parti, 5 prej tyre parlamentare. Morën pjesë edhe PAD, PDD, DBSH, që u krijuan në vitet 1992-1996.

1997 tryeza me presidentin për zgjedhjet e 11 partive, vetëm 5 parlamentare, morën pjesë dhe 6 parti joparlamentare.

Në shtator 2003 tryeza për zgjedhjet, ku morën pjesë 12 parti, nga 9 parti parlamentare ku erdhën edhe dy grupet rivale të PAD.

2005, tryezë e partive për zgjedhjet, ku mori pjesë dhe LSI, parti e krijuar më 2004 në Parlament.

2007 tryeza e partive për zgjedhjet lokale ku mori pjesë çdo parti politike në Parlament. Por dhe gjatë 2008-2011 kur s'ka pasur tryeza por konsultime, janë përfshirë dhe grupe të reja politike si LZHK që nuk ka pasur fare deputetë. Ndërsa vetëm këtë vit parkashtohet nga konsultimet një parti që ka një deputet.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë