Hoffmann: Trashëgiminë e ruajtur që
nga antikiteti e shkatërruat për 20 vjet

Hoffmann: Trashëgiminë e ruajtur që<br />nga antikiteti e shkatërruat për 20 vjet
TIRANE- Ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmuth Hoffmann, u ka bërë dje një apel institucioneve të kulturës për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, duke tërhequr vëmendjen se Durrësi i ruajtur që nga antikiteti e Bizanti u shkatërrua vetëm për 20 vjet. Ambasadori gjerman Hellmuth Hoffmann e ka nisur fjalën e tij me një vlerësim që i ka bërë dje profesor Gjergj Frashërit gjatë promovimit të librit “Dyrrahu ilir dhe gërmimet në Lulishten 1 Maj” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Ndërsa na kujton se ruajtja e trashëgimisë është një ftesë për hyrjen në Europë, Hoffmann u shpreh ndër të tjera se “Profesor Gjergj Frashëri bënë pjesë në rrethin e  shkëlqyer të hulumtuesve” dhe e vlerësoi autorin e librit “Dyrrahu Antik”, jo vetëm për veprën aktuale, por edhe për punën që ka bërë kur ka drejtuar në Gjermani projektet arkeologjike. Pasi vlerëson cilësinë e lartë të punimit monografik tregjuhësh shqip-gjermanisht-anglisht për Durrësin, Hoffmann tha se “Edhe më i rëndësishëm është fakti se ato rrëfejnë historinë e vendit tuaj, domethënë sesi Shqipëria ishte dhe u bë kjo që është sot.”.

hofman

Ambasadori gjerman nxori në dukje mangësitë që kemi në ruajtjen e trashëgimisë dhe problemet që kanë dalë me ndërtimet pa leje në Lulishten Një Maji në Durrës, të përmendur edhe në librin e arkeologut Frashëri. Hellmuth Hoffmann theksoi se “Është bindja ime, se për të formësuar të ardhmen e Shqipërisë në Europë, ruajtja dhe mbrojta e Trashëgimisë Kulturore është me rëndësi thelbësore. Në këtë kontekst, dokumentimi i profesor Frashërit është një kontribut i vyer.

Përmes librit bëhet i qartë dimensioni i trishtë i shkatërrimit të pasurisë historike të Durrësit dhe tregohet sesi qytetërime të tëra që u ruajtën përmes shekujve në botën antike dhe bizantine, u shkatërruan për jo më shumë se 20 vitesh.”  Hoffmann tërhoqi vëmendjen se institucionet duhet të reflektojnë në përpjekjet për t’i ruajtur këto vepra. “Kjo mbetet një detyrë e rëndësishme që specialistët dhe institucionet të tërheqin të njëjtën anë të litarit dhe të ruajnë veprat e trashëgimisë”, tha ndër të tjera ambasadori Hoffmann.  

hofman
 
Fjala e plotë e ambasadorit Hoffmann: Institucionet të ruajnë veprat e trashëgimisë 
 Nevoja e ndërtimeve bashkëkohore që kushtëzuan ndërmarrjen e gërmimeve arkeologjike  në vitin 2010 në Durrës nga prof. dr. Gjergj Frashëri me ekipin e arkeologëve gjermanë në vendin e quajtur “Lulishtja 1 Maj” dhe problemet që dolën me ndërtimet pa leje në këto mjedise arkeologjike kanë qenë thelbi i çështjes që ngriti me forcë ambasadori gjerman Hellmuth Hoffmann gjatë promovimit. Duke vlerësuar punën e specialistëve, Hoffman u ka bërë një apel institucioneve të kulturës dhe atyre qeveritare që të ruajnë veprat e trashëgimisë.

 “Profesor Gjergj Frashëri bënë pjesë në rrethin e shkëlqyer të hulumtuesve. Prej 1990-s deri në vitin 1992 studioi në Institutin e Kulturës së lindjes dhe në universitetin e Bonit.
Pas kësaj ka punuar si arkeolog dhe studiues në Gjermani, ku ka drejtuar dhe ka bërë projekte arkeologjike dhe ndër të tjera në Këln dhe në Ahen. Një punë që gjithashtu ai e dokumentoi me kujdes. Për sa i përket veprës që prezantohet sot, jam tejet i impresionuar, dhje kjo jo vetëm për shkak të peshës apo volumit të faqeve të këtij libri, por edhe për shkak të përmbajtjes që ai afron.  

Një studim rreth historisë antike dhe mesjetare në qytetin e Durrësit, si dhe dokumentimin e gërmimeve që me sa di unë janë të parat shpëtimtare të realizuara deri më tani në Shqipëri. Kjo vepër paraqet shumatoren e një pune sintetike pesëvjeçare të përbashkët me zonjën Antonia Shyt. Gjetjet  e këtyre gërmimeve janë dokumentuar në një vepër mbresëlënëse në më shumë se 600 faqe dhe kjo vepër meriton një respekt vërtetë të madh. Kjo është një vepër themeltare për hulumtimin e topografisë së qytetit antik të Durrësit.

Në tre vitet e qëndrimit tim në Shqipëri, jam befasuar  në mënyrë të përsëritur sesa thesare dhe vlera arkeologjike fsheh vendi juaj. Edhe arkeologët gjermanë, të cilët kanë qenë këtu në kuadër projektesh të ndryshme raportojnë rregullisht mjaft entuziastë dhe me sytë që ju shkëlqejnë rreth potencialit arkeologjik të këtij vendi. 

Sjell këtu shembullin e Institutit të mirënjohur Gjerman të arkeologjisë, i cili është angazhuar për disa vite në Shqipëri në mënyrë të veçantë në Apoloni.
E vura theksin pak më parë, jo pa qëllim mbi fjalën potencial, pasi shpesh ekspertët informojnë edhe rreth gjendjes kritike, madje për të ardhur keq në të cilën ndodhen monumente e kulturës, Edhe një amator i thjeshtë, por që ka interesa në këtë fushë dhe udhëton syhapur përmes vendit, nuk mbrohet dot nga një përshtypje e tillë, dhe kjo është e dhimbshme, jo vetëm për atë që ka një formim prej historiani si unë, por për këdo që interesohet për kulturën e këtij vendi.

Monumentet  e Kulturës në Shqipëri janë një shembull i mirë i potencialit të vendi tuaj. Nëse ruhen si duhet ato mund të tërheqin turistët nga e gjithë bota, dhe më  e rëndësishme është se ato rrëfejnë historinë e vendit tuaj, se Shqipëria ishte dhe u bë kjo që është sot.

Është bindja ime se për të formësuar të ardhmen e Shqipërisë në Europë, ruajtja dhe mbrojta e Trashëgimisë Kulturore është me rëndësi thelbësore. Edhe në këtë kontekst dokumentimi i profesor Frashërit është një kontribut i vyer. Përmes librit bëhet i qartë dimensioni i trishtë i shkatërrimit të pasurisë historike të Durrësit dhe tregohet sesi zona të tëra të njërit prej qytetërimeve më të rëndësishme që u ruajtën përmes shekujve në botën antike dhe bizantine, u shkatërruan për jo më shumë se 20 vitesh.”

E në këtë sens iluminimi uroj që vepra e profesor Frashërit të gjej vend në një rreth të gjerë lexuesish, jo vetëm për ekspertët por edhe në shoqërinë civile dhe uroj të kontribuoj më shumë në pasurinë kulturore. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që kam takuar dhe njohur është krenare për potencialin dhe vlerat kulturore. Ajo që është me rëndësi është t’i forcojnë dhe ruajnë këto vlera. Kjo mbetet një detyrë e rëndësishme. Unë mund të inkurajoj vetëm ekspertë që gjenden në Shqipëri se kjo mbetet një detyrë e rëndësishme që ekspertët dhe institucionet të tërheqin të njëjtën anë të litarit dhe të ruajnë veprat e trashëgimisë”.


“Dyrrahu ilir“ i Gjergj Frashërit, zbulohet Durrësi që prej themelimit të tij si qytet arkaiko-antik 
 Libri i Gjergj Frashërit “Dyrrahu ilir dhe gërmimet në Lulishten Një Maji” prek në mënyrë direkte dhe indirekte problemet aktuale të trashëgimisë që burojnë nga neglizhenca e institucioneve, të cilat ndërsa u anashkaluan nga akademikët, janë kritikuar ashpër nga ambasadori gjerman Hellmuth Hoffmann, por edhe arkeologu i njohur Moikom Zeqo. Libri i Gjergj Frashërit “Dyrrahu ilir dhe “ është një prurje tërësisht e re e sintezës shkencore mbi historinë antike dhe mesjetare e qytetit të Durrësit që kemi deri më sot.

Në 726 faqet e këtij libri voluminoz në formatin A4 dhe luksoz, shoqëruar me 530 foto cilësore me ngjyra dhe Katalogut prej 98 tabelash të gjetjeve arkeologjike ku përfshihen 1002 foto të tyre shumica e të cilave gjithashtu me ngjyra, na shfaqet një trajtesë me përmasa madhore për nga premtimet dhe me rezultate të papritura (befasuese) shkencore.

E shkruar njëherazi e tëra në gjuhën gjermane prej 640 faqesh, vepra shoqërohet nga një përmbledhje në anglisht prej 36 faqesh dhe një përmbledhje të zgjeruar në gjuhën shqipe prej 50 faqesh. Për herë të parë në këtë vepër është përmbledhur, filtruar dhe analizuar i gjithë dokumentacioni historik, bibliografik , arkivor, gjeologjik, etj. për historinë e Durrësit qysh prej fillesave të tij si vendbanim në lashtësi (Epidam), themelimit të tij si qytet arkaiko-antik (Dyrrah) dhe zhvillimeve të tij në mesjetë (Durrës).

Trajtesa ka përmasa komplekse për nga llojshmëria e gjurmimit. “Si asnjëherë më parë është paraqitur shkencërisht në këtë monografi situata e hapësirës natyrore të Durrësit me gjeologjinë dhe gjeomorfologjinë e saj, gjeografia historike e qytetit prej antikitetit deri më sot.”, tha ndër të tjera Moikom Zeqo.  

hoffman


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com) 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor