Në dëshminë e tij dhe pse nisi fillimisht me tension midis Doshit e Prokurorit për shkak të lapsusit ku Prokurori e quajti Doshin të pandehur, ky i fundit u shpreh se është dëshmitar dhe sipas tij në hotelin që ai ka në pronësi sot s’ka patur asnjë ndërtim të paligjshëm
“Si kur ja kam shitur Frrokut me një kontratë të ligjshme, ashtu kur e kam marrë sërish në pronësi godinën tek Rruga e Durrësit, nuk ka patur asnjë ndërtim të paligjshëm. Aty ka qenë duke u punuar dhe një hapësirë në formë tende ka qenë për të ruajtur materialet e ndërtimit nga shiu. Nëse kjo quhet ndërtim i paligjshëm atëherë e gjithë Tirana duhet të ishte në burg për tendat dhe akuza që prokuroria ka ngritur ndaj Frrokut nuk qëndron”.
Ishte kjo dëshmia që Doshi dha para gjykatës, ndërsa procesi ndaj Mark Frrokut ndaj të cilit rëndojnë tre akuza do të vazhdojë me dëshmitarët e tjerë të thirrur nga prokuroria.
Në seanca të mëparshme ka qenë Frroku që ka mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria duke deklaruar disa herë se akuzat ndaj tij janë sulm me prapavijë politike dhe se ai është i pafajshëm.
Hoteli
Sipas prokurorisë në rrugën e Durrësit, tek ish-hotel “Pensioni”, mbi një ndërtim ekzistues 4 katësh, janë kryer ndërtime pa leje konkretisht, shtesë anësore, një kat. Sipas prokurorisë Mark Frroku ka blerë disa prona të paluajtshme si truall, apartamente, njësi biznesi dhe garazhe nga shtetasi Tom Doshi, ku vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 740.000.000 (shtatëqind e dyzetë milion) lekë të reja. Me anë të kësaj kontrate deputeti Mark Frroku ka blerë dhe pasurinë, e cila është një sipërfaqe trualli 314 m2. Mbi këtë sipërfaqe trualli është ndërtuar ndërtesa 4 katëshe ,ish “Hotel Pensioni”, dhe mbi këtë ndërtesë ekzistuese është shtuar edhe një kat shtesë, si dhe është bërë edhe një shtesë 1- katëshe anësore e cila është pa leje ndërtimi.
Doshi: Do jem sërish deputet
Fushata elektrorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 janë ende larg, po për deputetin Tom Doshin tashme ajo ka nisur.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kandidojë sërish për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Doshi tha; “Do të jem sërish në parlament”
Deklarimet Doshi i bëri në dalje të Gjykatës Penale të Tiranës ku dëshmoi në procesin ndaj ish deputeti Mark Frroku nën akuzë për vrasje, ndërtim të paligjshëm dhe pastrim parash.
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)