Pasi Shqipëria kundërshtoi deklaratat e Aleksandër Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, ka reaguar zyrtarisht edhe ministri i Jashtëm serb, Marko Djuriç. Në një postim të gjatë në rrjetin X, ai sulmon qëndrimin e Tiranës dhe ministrit Ferit Hoxha, duke pretenduar se vendi ynë nuk ka të drejtë të ndërhyjë në mënyrën se si Serbia menaxhon burimet e saj ujore.

Sipas Djuriçit, Shqipëria po përpiqet të largojë vëmendjen nga, sipas tij, shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë dhe nuk ka asnjë bazë për të ndërhyrë në çështjet që lidhen me menaxhimin e burimeve ujore të Serbisë. Kryediplomati serb flet edhe për "Shqipërinë e Madhe", i kërkon Tiranës të ulë retorikën dhe këmbëngul se Serbia do të vendosë vetë për administrimin e burimeve të saj natyrore.

Në reagimin e tij, Ferit Hoxha theksoi se “uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për të ndëshkuar një shtet ose popullsi tjetër”, dhe kërkoi që çdo projekt që prek ujërat ndërkufitare të trajtohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. 

"Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik apo si mjet për të ndëshkuar një shtet ose popullsi tjetër. Shqipëria mbështet fuqimisht të drejtën e Kosovës për siguri, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e burimeve të saj ujore. Ne besojmë fort dhe presim që çështje të tilla të trajtohen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe standardeve evropiane, e jo përmes kërcënimeve apo ndërhyrjeve dhe veprimeve të njëanshme" tha Hoxha në deklaratën e tij. 

Deklatata e plotë e Djuric në X

"E kam parë me vëmendje deklaratën e ministrit Ferit Hoxha lidhur me lumin Ibër. Ajo që po shohim është një përpjekje e qartë për të ndryshuar temën dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e vazhdueshme të të drejtave themelore të popullit serb në Kosovë e Metohi, për të cilat Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mbetet dukshëm në heshtje. Kur shqetësimi shprehet vazhdimisht vetëm në një drejtim, ndërsa të drejtat dhe siguria e një komuniteti të tërë etnik injorohen, bëhet gjithnjë e më e vështirë që një qasje e tillë selektive të konsiderohet politikisht ose etnikisht neutrale.

Lumi Ibër nuk kalon nëpër Shqipëri dhe Shqipëria nuk është shtet breglumor në pellgun e tij. Për këtë arsye, Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe detyrimet e saj ndërkombëtare. Vendimi i Tiranës për t’u përfshirë në këtë çështje, ndërkohë që shpërfill presionin sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulmet ndaj pronës serbe, ngre në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje për motivet politike të kësaj ndërhyrjeje. Ai ringjall gjithashtu shqetësime legjitime për koncepte të njohura rajonale që synojnë ta trajtojnë territorin dhe burimet e Serbisë si pjesë të një sfere më të gjerë politike shqiptare.

Dua të jem gjithashtu i qartë: nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe, apo për çdo projekt tjetër të bazuar në zgjerimin etnik dhe ndryshimin e kufijve, në të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ajo për të cilën kemi nevojë nuk është krijimi i shteteve të reja apo më të mëdha kombëtare, por një rajon ku kufijtë ta humbin gradualisht fuqinë për të na ndarë; një rajon i hapur për njerëzit, tregtinë, bashkëpunimin dhe mirëqenien e përbashkët, duke respektuar plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të çdo shteti.

Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime dhe as askush tjetër jashtë Serbisë.

Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e popullit tonë, integritetin e territorit tonë dhe interesat tona legjitime kombëtare. Përpjekjet për të larguar vëmendjen nga situata në terren ose për të pretenduar një rol në çështje që nuk janë në juridiksionin e Shqipërisë nuk do të kenë sukses.

Veçmas kësaj, kemi vënë re edhe interesimin e fundit të Shqipërisë për mënyrën se si Serbia e zhvillon politikën e saj të jashtme, përfshirë kë takojmë dhe përse, i shoqëruar me një dozë të panevojshme përçmimi. Vëmendja është prekëse, por diplomacia me megafon nuk i shërben asnjërit prej vendeve tona. Do të ishte më e mençur të ulej retorika dhe t’i riktheheshim të vetmes rrugë që mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për rajonin tonë: marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, barazinë sovrane dhe bashkëpunimin e sinqertë.”


Lajmi kryesor:

Serbia kërcënon me devijim të Ibrit, përplasje e fortë mes Tiranës e Beogradit, Hoxha: Uji s’është mjet presioni politik! Vuçiç: Shqipëria s'ka lidhje, është çështje e brendshme!