Mbështetja e Irlandës për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit ishin në fokus të takimit që ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Dublin me ministrin irlandez të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se bisedimet u përqendruan te progresi i Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe perspektiva e procesit të negociatave.
Ministri theksoi se Shqipëria ka bërë përparim përmes agjendës së reformave dhe mbetet e angazhuar për të ruajtur ritmin e negociatave me synimin për t’i përmbyllur ato deri në vitin 2027.
" Diskutimet tona u përqëndruan në veçanti në progresin dhe perspektivën e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Pata mundësinë të theksoja progresin e arritur përmes agjendës sonë të reformave dhe të riafirmoja angazhimin tonë të palëkundur për të ruajtur momentumin e fortë të procesit të negociatave, për të përfunduar me negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur objektivin tonë strategjik të anëtarësimit në BE deri në vitin 2030. Gjithashtu diskutuam rëndësinë e ruajtjes së një procesi të besueshëm zgjerimi të bazuar në meritë, që shpërblen progresin dhe ofron përfitime të prekshme si për vendet kandidate ashtu edhe për vetë BE-në. Në mjedisin gjeopolitik të sotëm, zgjerimi nuk është vetëm një politikë transformuese, por edhe një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Evropës. Shpreha vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për zgjerimin e BE-së dhe i urova çdo sukses Presidencës së ardhshme irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian," shkruajti Hoxha në X
Lajmi kryesor:
Shqipëria hap së shpejti ambasadën e saj në Dublin, Ministri Hoxha takohet me zyrtarët e lartë të Irlandës: Thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve









