Hoxhaj në Bruksel, me Reynders diskuton për Këshillin e Evropës, MSA-në dhe vizat

PRISHTINË, 1 Dhjetor /ATSH/ -Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Bruksel pas lobimit për njohje në Afrikë dhe pjesëmarrjes në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Nga Brukseli, në njoftimin e dërguar MPJ kosovare bën të ditur se, Hoxhaj ka takuar ministrin e Jashtëm të Belgjikës, Didier Reynders, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe e ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit belg për Kosovën, veçmas mbështetjen për t'u anëtarësuar në Frankofoni.
Temat kryesore të diskutimit, sipas ministrit Hoxhaj, janë fokusuar në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës gjatë presidencës belge, dhe çështjen e MSA-së e heqjes së vizave për kosovarët.
"Sot kam takuar ministrin e Jashtëm të Belgjikës të cilin e falënderova për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës për anëtarësimin në Frankofoni. Me ministrin belg diskutuam edhe për tre çështje tjera. Së pari që ta nënshkruajmë marrëveshjen e MSA-së, së dyti të merret një vendim për vizat dhe së treti që Belgjika të ketë një rol të fuqishëm sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, meqë Belgjika do ta drejtoj këtë organizatë gjatë muajve të ardhshëm", ka thënë Hoxhaj, pas takimit.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj takon Reynders, në Bruksel
Edhe ministri Reynders e ka falënderuar Hoxhajn për takimin duke u ndalur në përkrahjen që Belgjika i ka ofruar Kosovës, e veçmas iniciativën për të aplikuar në Këshillin e Evropës.
"Belgjika e ka mbështetur Kosovën jo vetëm në anëtarësimin në organizata të ndryshme, si në FMN, Bankën Botërore, por edhe të tjera të ngjashme. Tani jemi shumë të kënaqur të dëgjojmë se ka zhvillime pozitive sa i përket Këshillit të Evropës, sikurse edhe me Komisionin e Venedikut, dhe mbase gjatë udhëheqjes tonë mund të ecim tutje. Elementi tjetër që diskutuam kishte të bënte me dialogun Prishtinë-Beograd, pasi siç e dini kemi pasur mjaft takime këtu në Bruksel dhe Belgjika është e kënaqur me atë që është arritur", ka thënë Reynders.
Belgjika, nga 13 Nëntori i këtij viti udhëheq me Këshillin e Evropës deri në Maj të vitit të ardhshëm dhe takimi është shfrytëzuar për të diskutuar edhe për këtë çështje. Kryediplomati kosovar do të vazhdojë me takime të tjera në ditët e ardhshme gjatë qëndrimit në Bruksel./b.j//a.ke/
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!