Politika shqiptare ka ngushëlluar familjarët e Imzot Rrok Mirditës për ndarjen nga jeta në moshën 76 vjeçare. Kreu i Demokratëve Basha dhe Kryeministri Rama kanë shprehur ngushëllimet e tyre me anë të postimeve në rrjetin social Facebook. Rama shkroi "Lamtumirë miku i të gjithëve". Edhe presidenti Nishani ka ngushëlluar duke theksua se Imzot Mirdita do të mbahet mend për rolin e tij domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste.

Meta: Imzot Rrok Mirdita simbol i solidariteti dhe sakrificës
Edhe kreu i Kivendit Meta ka shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta drejtuar familjarëve për humbjen e Imzot Rrok Mirditës duke lartësuar figurën e tij si simbol të sakrificës njerëzore.

"Imzot Rrok Mirdita do të mbahet mend dhe nderohet si një ndër pionerët e rikthimit tek besimi hyjnor dhe ringritjes së kishës katolike në Shqipëri, pas errësirës së gjatë shpirtërore të regjimit komunist, i cili u mohoi shqiptarëve edhe të drejtën e besimit. Jeta dhe vepra e Imzot Rrok Mirditës është një shëmbull i përkushtimit të thellë ndaj njerëzve dhe vecanërisht më të pamundurve, simbol i solidaritetit dhe sakrificës, ringritjes kombëtare dhe ringjalljes shpirterore, bashkëjetesës e harmonisë së besimeve."-shkruan Meta 

Nishani: Imzot Mirdita do të mbahet mend për rolin e tij domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani  ka shprehur keqardhje për humbjen e Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranës dhe Durrësit duke theksua se Imzot Mirdita do të mbahet mend për rolin e tij domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste. Si dhe i shprehu ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta  familjarëve, komunitetit katolik dhe Kishës Katolike në Shqipëri dhe të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.

Presidenti Nishani vlerëson se Imzoti Mirdita u bë mishërimi i asaj që me të drejtë ai e quante “dalja e Kishës Katolike në Shqipëri nga katakombet e dhunës diktatoriale”.

Që pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në vend në vitin 1992, Imzot Mirdita riktheu mes komunitetit katolik, por jo vetëm, ritet, vlerat dhe traditat më të mira shumëshekullore të krishtera .

Imzot Mirdita do të mbahet mend me mirënjohje edhe për rolin e tij shumë domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e lartë të besimeve të tjera fetare në Shqipëri. Mesazhet e tij, shkonin përtej predikimeve fetare, duke prekur zemrat dhe mendjet e bashkatdhetarëve të tij për një shoqëri vlerash.

Presidenti Nishani, duke u lutur që Imzot Rrok Mirdita të gjejë prehjen e amshuar, shpreh bindjen se imazhi dhe mesazhet e të ndjerit prelat katolik do të mbesin gjatë në kujtesën e mbarë shqiptarëve.


Basha: Jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pasi nje jete te tere ne sherbim te Zotit, besimtarëve dhe popullit te tij
Ndërkohë që kreu Demokrat në ngushëllimin e tij ka theksuar edhe njëherë përkushtimimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamiat.

"Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të Monsinjor Rrok Mirditës. Monsinjor Mirdita do të mbahet mend për përkushtimin e madh në ringritjen shpirtërore të vendit, pas regjimit kriminal që privoi shqiptarët nga e drejta e besimit e që shembi kishat e xhamiat.
Kam pasur privilegjin të takohem shpesh me të, dhe nuk i harroj kurrë shqetësimet e tij dhe lutjet e tij për të varfërit, të pamundurit, kërkesat e tij të vazhdueshme për drejtësi shoqërore. Monsinjor Mirdita, i shuguruar Ipeshkëv në vizitën apostolike në Shqipëri të Papa Gjon Palit II në vitin 1993, jam i bindur se po shkon i qetë në shtëpinë e Atit të tij, pasi nje jete te tere ne sherbim te Zotit, besimtarëve dhe popullit te tij"
-shkruan Basha në një status në rrjetin e tij social Facebook

Redaksia online
(S.m/shqiptarja.com)