Humbja e thellë e PD-së më 14 maj, Astrit Patozi për Report Tv: Shkak përçarja! Nëse Berisha dhe Basha vijojnë ‘luftën’, s’ka bashkim

Opozita doli me një humbje të thellë nga zgjedhjet e 14 majit. Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike foli në Report Tv për rezultatin e 14 majit dhe riktheu edhe njëherë në fokus shkaktarët e humbjes së opozitës dhe triumfit të mazhorancës.

I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin e Report Tv, Nertil Agalliu, Ish-drejtuesi i Bindjes Demokratike Astrit Patozi, foli mbi rezultatet e zgjedhjeve të 14 majit, koalicionin e Bindjes Demokratike me partitë e tjera opozitare dhe për dinamikat e fundit në Partinë Demokratike. Ai tha se nuk është i kënaqur me rezultatet e Bindjes Demokratike në këto zgjedhje, por zhgënjimi më i madh sipas tij nuk është ai personal por i gjithë opozitës, e cila nuk mundi të fitonte garën përballë Partisë Socialiste.

“Nuk mund të them që jam i kënaqur sepse përditshmëritë tona kanë qenë më të larta se sa kaq, po tek e fundit ne nuk kemi qene ne fokus të kësaj fushate dhe duhet thënë që kemi arritur një rezultat përtej të qenurit modest, një rezultat të pritshëm në një farë mënyre pasi ne kemi marrë rreth 27 mijë vota në këto zgjedhje që po t’i konvertojmë me deputetët e parlamentit të ardhshëm i bie 3 deputetë. Por sigurisht zgjedhjet lokale janë të ndryshme me ato politike, ne nuk jemi të kënaqur me këtë rezultat, pasi  prozhektoret e opinionit publik nuk kanë qenë drejtuar nga ne por nga partitë mazhoritare. Zhgënjimi im nuk ka të bëjë me rezultatin personal por me rezultatin që ka arritur e gjithë opozita në raport me mazhorancën, ku sipas meje ishte një rezultat i pamerituar dhe i padrejtë që nuk përfaqëson ekuilibrat politikë që ka Shqipëria sot”.

Sa i përket dështimit të PD-së dhe opozitës në tërësi, Patozi tha se humbja e thellë erdhi si pasojë e situatës në të cilën opozita ndodhej para zgjedhjeve dhe vazhdon të jetë edhe pas tyre.

“Opozita i humbi zgjedhjeve për shkak të disa qasjeve të gabuara dhe për shkak të disa premisave negative me të cilat u fut në zgjedhje, opozita ishte e përçarë nuk kishte imazhin e duhur për të bërë rotacionin dhe aq më pak për të bërë ndryshimin. Fushata ishte e personalizuar tek udhëheqësit kryesor, ndërkohë që duhet të ishin kalorësit pra kandidatët për bashkitë ata që duhet të ishin në fokus dhe të ishin protagonistë të këtyre zgjedhjeve”, u shpreh Patozi.

E teksa foli për zhvillimet e fundit në PD, ai u shpreh se risitë që sjellin drejtuesit  PD-së së përçarë vetëm sa e thellojnë më tepër krizën.

“Kam përshtypjen që zhvillimet që ndodhin në pjesët e PD zhvillime janë anti-historike, të cilat e thellojnë më shumë krizën me të cilën u futën në zgjedhje, por tek e fundit mendoj se është problem i tyre. Ndaj nuk kemi arsye pse t’i mbajmë sytë tek zhvillimet dramatiket te tyre pasi aty nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie dhe asnjë reflektim pas rezultatit” tha Patozi.

Ndërsa për bashkimin e PD-së ai tha se për sa kohë do vazhdojnë të vihen në jetë planet personale të liderëve të saj me mentalitetin dhe qasjet e tyre, PD nuk ka shpresa për t’u bashkuar.

“Sa më shumë të insistojë Berisha në filozofinë e tij politik edhe sa më shumë të rizgjohet apo të rilindë Lulzim Basha aq më shumë largohen shanset e bashkimit të PD-së. E vetmja rrugë që PD të bashkohet është të ndryshojë mentalitetin dhe qasjen me të cilën i drejtohet shoqërisë dhe së dyti të largojë nga protagonizmi të gjithë sherrxhinjtë dhe përgjegjësit e kësaj katrahure”, tha ai.

M.T/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?