Hungaria ka humbur sot zyrtarisht një miliard euro nga fondet evropiane, të cilat janë “ngrirë” për shkak të shkeljeve në sundimin e ligjit për të cilat akuzohet Budapesti, sipas Komisionit Evropian.
Brukseli kishte aktivizuar në pranverën e vitit 2022 mekanizmin e përputhshmërisë në kurriz të vendit të Europës Qendrore, proces që çoi në pezullimin e disa pagesave.
Komisioni atëherë kishte folur për "shqetësime serioze" në lidhje me përdorimin e buxhetit evropian nga Hungaria, të lidhura me kushtet e prokurimit publik, si dhe me mungesën e kontrollit dhe transparencës.
Që atëherë, Budapesti ka zbatuar reforma që kanë lejuar lirimin e një pjese të parave, por 19 miliardë kanë mbetur të lidhura sipas procedurave të ndryshme.
"Bazuar në rregulloren e pajtueshmërisë, (...) kësti i parë" i parave të premtuara, në shumën 1.04 miliardë euro, skadoi "në fund të vitit 2024", tha një burim i Komisionit për AFP.
Orban vs Komisioni
Pas kthimit në udhëheqjen e vendit në vitin 2010, kryeministri nacionalist i ekstremit të djathtë Viktor Orbán konsolidoi pushtetin e tij dhe rrethi i tij i ngushtë u bë jashtëzakonisht i pasur.
Në korrik, Komisioni Evropian vlerësoi në një raport se Hungaria nuk respektoi rregullat demokratike të Bashkimit Evropian, veçanërisht për çështjet e korrupsionit, financimit politik, konfliktit të interesit dhe pavarësisë së medias.
Viktor Orbán u zotua të "luftojë" për të mbrojtur paratë "që janë tonat".
"Ata po përpiqen të marrin paratë hungareze në mënyra të ndryshme dhe për arsye të ndryshme," tha ai në dhjetor, duke kërcënuar se do të bllokojë buxhetin e BE-së për të arritur qëllimin e tij.
Në këtë kontekst të vështirë për liderin hungarez në sfondin e recesionit ekonomik, kundërshtari i tij i ri Peter Magyar bëri thirrje sot për zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërsa sondazhet tregojnë se partia e tij kryeson. Zgjedhjet aktualisht janë planifikuar për në pranverën e vitit 2026.
“Koha po shtyp. Le të shpejtojmë datën e zgjedhjeve që vendi të mos humbasë edhe një vit më kot”, tha ai në urimet e tij për vitin 2025. “Ne do të kthejmë miliardat që na ka borxh Bashkimi Europian”.