Një deklaratë që ka bërë bujë sot në mediat e huaja ka ardhur nga Péter Magyar, kryeministri i ri i zgjedhur i Hungarisë, i cili ka paralajmëruar se do të arrestonte Benjamin Netanjahun nëse ai hynte në territorin hungarez.
Deklarata erdhi ndërsa Magyar sqaroi politikat e qeverisë së tij të re për qëndrimin e Hungarisë në Gjykatën Penale Ndërkomvbëtare, e cila ka lëshuar edhe urdhër arrest ndaj Netanjahut. Kur ky urdhër u lëshua Viktor Orban ishte në pushtet. Asokohe ai nisi procesin e daljes së Hungarisë nga kjo Gjykatë, që pritet të hyjë në fuqi më 2 qershor. Për më tepër, Orban refuzoi të arrestonte Netanjahun gjatë vizitës së tij në Budapest në prill të vitit 2025.
Por Magyar duket se nuk ka ndërmend ta lejojë më këtë.
Më herët, ai kishte deklaruar se tërheqja e Hungarisë nuk mund të ndalej dhe se vendi duhej të dilte fillimisht nga Gjykata për t’u rikthyer më pas. Por tashmë qëndrimi ka ndryshuar.
“Ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit izraelit. Pas shqyrtimit të çështjes nga kolegët e mi, kemi kuptuar se mund ta ndalim këtë proces deri më 2 qershor”, u shpreh Magyar.
Ai theksoi se objektivi i qeverisë së tij është i prerë: Hungaria të mbetet pjesë e ICC.
“Nëse je anëtar i ICC-së dhe një person i kërkuar hyn në vend, atëherë ai duhet të merret në paraburgim”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet qartë se ligji do të zbatohej edhe në rastin e Netanyahut.
Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi Magyar kishte zhvilluar një telefonatë me Netanyahun, ku e kishte ftuar të marrë pjesë në një ceremoni në tetor, me rastin e 70-vjetorit të Kryengritjes Hungareze.
“Nuk kam nevojë ta them hapur në telefon. Supozoj që çdo lider shteti apo qeverie i njeh këto ligje”, shtoi ai.
Ndërkohë, në planin më të gjerë, Bashkimi Europian po përballet me presion në rritje lidhur me qëndrimin ndaj Izraelit. Disa vende nga ana tjetër kanë insistuar se mund të jenë anëtarë të Gjykatës ICC pa zbatuar urdhër arrestet e saj.
Franca, për shembull, argumenton se arrestimi i Netanjahut shkon ndesh me marrëveshjet që ka me Izraelin. Italia gjithashtu i ka dhënë imunitet liderit izraelit ndërsa ish kancelari gjerman Olaf Scholz tha vitin e shkuar se nuk e imagjinonte dot që vendi i tij të arrestonte Netanjahun.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndaj Netanyahut ekziston një urdhër arresti aktiv. Ai akuzohet për krime lufte, përfshirë përdorimin e urisë si metodë lufte sulme të qëllimshme ndaj popullsisë civile, krime kundër njerëzimit si vrasje, përndjekje dhe akte të tjera çnjerëzore të pretenduara nga 8 tetor 2023 deri të paktën më 20 maj 2024.
Komente











