Ish-Prokurori Arjan Ndoja, njëkohësisht deputet i Partisë Demokratike, ka dëshmuar këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjyqin që po mbahet për të pandehurit në lidhje me atentatin ndaj tij në nëntor të 2019-ës. I vrarë mbeti Andi Maloku, shoferi i Andi Ndojës.
Të pandehur në këtë proces janë Amar Shkëmbi dhe Bledar Polovina, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në atentatin në mbikalimin e Shkozetit. Ndërkohë gjatë dëshmisë së tij, Ndoja ka theksuar se në atë kohë ushtronte detyrën e prokurorit në Durrës dhe, sipas tij, nuk kishte probleme apo konflikte të drejtpërdrejta, përveç “anatemimit nga figura të larta politike". Ndër të tjera ai nënvizon se nuk i ka merituar ato plumba.
" S’i kam merituar ato plumba. Në 2019 kam qenë prokuror në Durrës, përveç anatemimit që më kanë bërë figura të larta politike nuk kam pasur asnjë lloje problematike tjetër, kam pasur në pronësi një automjet familjar që ishte në emër të bashkëshortes time. Një muaj para se të ndodhte ngjarja e ka përdorur shtetasi i ndjerë Andi Maloku.
Në datën 1 nëntor 2019 kam dalë nga shtëpia si zakonisht në orën 7 të mëngjesit kam shkuar tek puna me Andi Malokun. Rreth orës 12:00 kam dal nga puna dhe jam zhvendosur në drejtim të lokalit me emrin 'Koral' pasi kam qenë i ftuar për drekë me disa persona mes tyre Aleksandër Laho.
Nga ora 13:00 deri rreth orës 16:00 kam qëndruar aty, kemi qenë më dy makina, jami zhvendosur në drejtim të urës së Dajlanit. Andi Maloku ka qenë drejtues i automjetit pasi unë nuk ndihesha mirë. Unë ndodhesha në vendin e parë dhe Aleksandër Laho ishte mbrapa, ai kishte dhe makinën e tij por erdhi me mua për të bërë muhabet", dëshmoi Ndoja.
Ndoja rrëfeu gjithashtu se në fillim nuk e ka kuptuar që ishin të shtëna me armë zjarri, teksa shton se të shtënat nuk kanë qenë me breshëri, por të ndara. Ai thotë se fillimisht kur mbeti i plagosur Andi Maloku makina e tyre u përplas me barrierën e rrugës dhe përfunduan jashtë aksit. Në fund Ndoja thotë se pasi ka dalë nga makina ka humbur ndjenjat dhe nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur më pas.
"Kur kam dalë nga lokali deri kur ka ndodhur ngjarja s'kam konstatuar asgjë të dyshimtë. Kur kemi kaluar gomisteria që nis kilometri i parë i autostradës deri tek ura e Shkozetit kanë nisur krismat, automjeti im ishte në karrexhatën ngjitur me trafikndarësenn. Në momentet e para nuk e kam kuptuar se ishin të shtëna me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë më breshëri kanë qenë të ndara. Kanë qenë dy orë pasi bënin zhurma të ndryshme dhe intervali i kohës i gjuatjes. Që kur kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga ka zgjatur rreth 20 sekonda.
Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës dhe kemi përfunduar jashtë rruge. Kur kemi dalë nga rruga dhe ka ndalu se ka ngec makina në kanal vetëm Andi Maloku ishte më i vetëdijshëm dhe ai ka marrë babin në telefon dhe i ka thënë 'babë na kanë gjuajtur'. Kur kam tentuar të dalë nga makina kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën sepse mesa duket plumbin e kishte në shtyllë kurrizore", thotë ai.
Në vitin 2019 një atentat iu bë ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj pranë mbikalimit të Shkozetit. Ngjarja ndodhi më 1 nëntor të vitit 2019 në autostradën Tiranë-Durrës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.
Ditën e ngjarjes Ndoja ishte në automjet me një person me precedentë penalë, të njohur si i "forti i Sukthit", Aleksandër Laho (alias Pëllumb Muharremi) i njohur si 'Rrumi i Shijakut', dhe me Andi Malokun, ish-punonjës i policisë në komisariatin e Krujës, shofer i prokurorit, i cili mbeti i vdekur.
Komente










