I biri Buroni, një rrëfim për veprat e panjohura të Sadik Kacelit (FOTO)

I biri Buroni, një rrëfim për veprat e panjohura të Sadik Kacelit (FOTO)

Buron Kaceli

Studioja e Buron Kacelit, piktorit të njohur shqiptar, është e ndarë në dy kohë, në dy botë. Aty janë gjurmët e babait të tij, Sadik Kaccelit (1914- 2000), piktorit të shquar shqiptar, "Piktor i Popullit" dhe "Nderi i Kombit", që ishte pjesë e plejadës së piktorëve të rëndësishëm të shekullit XX-të, atyre që konsoliduan artin modern shqiptar.

Një shëtitje në këtë studio me të birin, Buron Kacelin, të bën të rikthehesh tek veprat e hershme. Janë vlerat estetike, të rigjallëruara në kohë që të thërrasin, është fryma e krijuesit ende e gjallë. Të shpërndara në harmoni perfekte krahas veprave të Buronit- një individualitet tjetër i artit shqiptar, pikturat e Sadik Kacelit rrinë bukur së bashku, pa prekur “në ngjashmëri” njëra-tjetrën. Por ja që studioja të duket ende si e Sadik Kacelit, sepse të birit, i pëlqen të ruajë thesaret e krijimtarisë aty, në shenjtërinë e vet. E këto thesare shkojnë përtej çdo çmimi si një vlerë e patjetërsueshme e artit shqiptar.

Buron Kaceli në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen me modesti veprat e rralla, të cilat zbulohen aty fjalë pas fjale, ndërsa duke i fotografuar, edhe ato pak fjalë duken të tepërta. Le t’i tregojmë përmes fotove të bëra nga “Shqiptarja.com” se çfarë zbuluam në studion “Kaceli”. Së bashku me Buron Kacelin kemi kujtuar fillesat e artit modern pamor shqiptar, vitet tridhjete kur Kaceli studionte në Shkollën e vizatimit të Tiranës nën drejtimin e pedagogëve Mario Ridola, Andrea Kushi e me pas edhe Abdurrahim Buza.

Kujtuam vitin 1936, kur Sadik Kaceli shkoi në Paris dhe ndoqi studimet në “Ecole National Supperieurs des Beaux-Arts”. I biri Buroni, tregon se pedagogu kryesor i tij në vitet e akademisë ishte Fernand Sabatte., personalitet i pikturës dhe bashkënxënës e mik me artistet e mëdhenj Henri Matisse dhe Zhorzh Ruo. Kujtuam studimet në Paris, ku Kaceli ndiqte leksione edhe në atelienë e afreskut të prof. Dycos De L’Halle. Buroni flet për kthimin në atdhe në vitin 1941, ku i ati punoi si mësues vizatimi dhe më pas deri në 1970-n ka qenë pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku edukoi disa breza piktorësh të njohur.

Ka dhe kujtime të trishta.... Edhe pse ishte autor i kartëmonedhës se pare shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946) dhe i dizajnit të flamurit Kombëtar Shqiptar, Sadik Kacelit kurrë nuk iu dha një titull i lartë përkorë meritave, me përjashtim të titullit Artist i Merituar. Megjithatë, ashtu i mënjanuar nga ngarkesat politike të kohës, por kurrë nga arti, Sadik Kaceli punoi në studion e tij, në studion “Kaceli” ku ende frymon një koleksion i pasur, ku ka dritë. Janë veprat që flasin aty, dhe një trashëgimtar i denjë i gjakut dhe i artit, Buron Kaceli që ruan këto thesare të artit shqiptar.

Intervista

Zoti Buron, dihet që arti shqiptar trashëgon një korpus të çmuar të veprave të Sadik Kacelit, kryesisht të bëra gjatë periudhës së Realizmit Socialist, por nga ana tjetër mbeten në një dimension të panjohur veprat e tij të shkollës së vizatimit, para viteve ’40. Çfarë mund të na tregoni për to. Ka shumë nga kjo krijimtari e tij?

Së pari në Galerinë Kombëtare te Arteve ruhet portreti i "Myzeqarit" qe mbetet një nga veprat me te rëndësishme te asaj periudhe e që kritika e huaj e ka cilësuar si " Rembrandi Shqiptar" . Një pjesë të mirë te krijimtarisë së asaj periudhe e ruajmë në koleksionin e familjes, vepra që nisin që nga vizatimet e tij që fëmijë; janë disa vizatime te ngjyrosura dekorative që ai i shihte nga reklamat apo shishet e kolonjës si dhe ndonjë peizazh apo vizatim të Skënderbeut . Vjen dhe periudha e shkollës së vizatimit nga e cila ruajmë disa vepra. Është vizatimi i pare ne karbon i konkursit për të hyrë në Shkollën e Vizatimit si dhe te tjera vepra në vizatim, në karbon, ose detyra që i bënte jashtë shkolle; këto janë vizatime, por edhe piktura me vaj, peizazhe si dhe portrete të nivelit mjaft të lartë që ju po i shikoni edhe këtu. 

Çfarë rëndësie kanë për ju dhe më tej për artin shqiptar këto vepra?

Im at i takon brezit të parë të artit modern shqiptar. Me hapjen e shkollës së vizatimit në Tiranë u krijua një periudhë e re e artit shqiptar, ku u krijua një brez artistësh qe më vonë ata do të hapnin Liceun e parë artistik, Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ishte nga të parët artistë që nisën të vinin themelet e zhvillimit të artit modern pamor shqiptar. Ruajtja e veprave të pionierëve të artit shqiptar, në këtë rast po flasim për Kacelin, kanë rëndësi shumë të madhe, jo thjesht se janë vepra të Sadikut si artist, por sepse i takojnë asaj periudhe kur merr hov e zhvillohet arti ynë. Kane rëndësi për artin në përgjithësi, për zhvillimin e pikturës shqiptare.

Kjo skulpturë që fotografuam, cilës periudhe i përket? (skulptura është një femër nudo e ulur në shkëmb, me fytyrë të mbuluar nga flokët)

Është e vitit 1961. Ishte një periudhë që im atë gjatë ditëve të dimrit, ku kishim një sobë qeramike të nxehtë në shtëpi, bënte me terakotë skulptura, ka bërë një seri skulpturash të vogla, dhe kjo është një nga ato. Është më përfaqësuese në fakt. Edhe i piqte aty. Im atë skulpturën e ka pasur gjithmonë shumë qejf. Shkolla që ka bërë im atë, shkolla superiore e Arteve të Bukura në Paris, i formonte artistët, jo vetëm në pikture. Ishte një nga shkollat më mira të kohës, dhe i mundësonte nxënësit të frekuentonin edhe atelietë e tjera si te grafikes, skulpturës apo të afreskut. Im atë është i pari që ka realizuar linogravurat e para apo gravurat ne dru. Shumë prej tyre ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve. Dy me te njohurat janë linogravurat e Krujës dhe të Petrelës. Është njëkohësisht pllakatisti i parë shqiptar. Atëherë organizoheshin aktivitete e konkurse të piktorëve dhe të arkitektëve për skulpturë, ose konkurse te skulptorëve dhe arkitekteve për pikturën. Ne një konkurs të tillë im atë ka marrë medalje të artë në skulpturë. Ai ka marrë medalje të artë edhe si vizatuesi më i mirë i të gjithë akademisë . Dhe kemi një seri koleksionesh me skulptura të vogla, këto dhe autoportreti që ju patë janë skulpturat e viteve ‘60-‘70

Sadik Kaceli ka pasur dhe ka ekspozuar nudo, një gjë që ka qenë pjesë e censurës komuniste. Kur kanë filluar të ndalohen nudot në Shqipëri. Kam parasysh këtu dramën që ndodhi me veprat e Janaq Paços që pasoi më thyerjen e nudove më të bukura të tij?

Ka filluar më vonë censurimi i tyre. Në vitin 1964 im atë me rastin e 50- vjetorit te lindjes ka bërë një ekspozitë tek ish ndërtesa e lidhjes së miqësisë me botën e jashtme, ku sot është Instituti i të Përndjekurve Politike tek rruga e Elbasanit. Atje bëheshin ekspozitat e pikturës. Ne atë ekspozite Kaceli ka ekspozuar dy nudo. Dhe unë rrija aty për të parë se mos dëmtoheshin dhe shihja se njerëzit vinin ndonjë borzilok, ose ndonjë lule tek këto nudo. Njera nga ato eshte kjo qe po publikoni. Më vonë nga vitet 1964, ‘65, ‘66, nisën të ndalohen, por në ‘67-’68-n ndalimet arritën kulmin. Nisi ndalimi i çdo vepre nudo dhe mbaj mend që në atë kohë kur ishim studentë, modelet nuk i bënin dot nudo, por vinin të na pozonin me rroba banje. Atëherë ka qenë edhe periudha kur Janaq Paços ju ndaluan nudot e tij të bukura dhe u kritikua dhe kështu e detyruan të thyente veprat e tij më të mira.

Cilat nga veprat e Sadik Kacelit të kanë ngelur në mendje me syrin tuaj si artist, që kanë një jetëzgjatje emocionale dhe artistike pavarësisht se i krijoi në moshë të re?

Po flasim për periudhën e rinise së tij. Janë disa realizime të asaj moshe që janë nga veprat më përfaqësuese të artit shqiptar të asaj periudhe. Që në moshën 17-18-vjeëare e më pas ai realizoi disa portrete si "Portreti i Mësuesit”, i “Hamallit", i " Mixhës" apo “Myzeqari”, që është në Galerinë Kombëtare të Arteve, dhe që kritika e artit kur u ekspozua ne Beograd arti shqiptare e cilësoi si “Rembrandin shqiptar”.

Mendon se këto vepra janë studiuar sa e si duhet për të krijuar historinë e saktë të zhvillimit të pikturës shqiptare dhe për të krijuar librat e shkollës së artit sot?

Janë krijuar disa monografi, Eli Xoxa ka bërë një monografi të mirë për Sadik Kacelin, ka edhe studiues te tjerë si Zana Varvarica dhe te tjere që kanë bërë monografi të disa prej artisteve të njohur shqiptarë te financuara kryesisht nga familjaret por kjo nuk mjafton. Mungon interesi nga shteti për të pasur kolanën e artistëve shqiptarë me libra me monografi të plota. Është e domosdoshme një kolanë me artistë shqiptarë, me librat e monografitë e tyre, sidomos të atij brezi që hodhën themelet e artit shqiptar. Bëhen aktivitete masive e harxhohen miliona, por kjo punë nuk do kaq miliona. Duhet evidentuar dhe kërkuar që të paraqesim vlerat tona te krijuara nga këto artiste qe do t’i shërbejnë edukimit estetik te rinisë sonë por edhe për t’u paraqitur denjësisht karshi botës në art. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme të bëhet puna e ruajtjes dhe evidentimit të këtyre vlerave.

Bëhet fjalë për vlera estetike dhe artistike?

Sigurisht e gjithë ajo plejadë artistësh me krijimtarinë e tyre ka mjaft rëndësi. Është ajo periudhë që ka një frymë të përgjithshme emancipimi ku Shqipëria kalon një periudhë interesante historike si për letërsinë tone ashtu edhe për shtypin e shkruar, gazetarinë, etj. Është siç thamë një periudhë e mirë e artit shqiptar me këto portrete të realizmit kritik shqiptarë. Dhe për sa i përket kësaj periudhe ndodh që letërsinë e njohim më mirë, por mungon njohja e mire e pikturës me këto realizime që përmendëm te Kacelit me këtë rast por jo vetëm këto. Janë disa artiste të tjerë mjaft te shquar të periudhës në fjalë që të gjithë se bashku hodhën themelet e këtij arti si Abdurrahim Buza, Odhise Paskali, Janaq Paco, Lazar Nikolla, Nexhbedin Zajmi, Foto Stamo, Kel Kodheli etj.

Çfarë ju tregonte babai për miqtë e shokët e tij?

Unë kam arritur që të shihja në shtëpinë time kur vinin personalitete të mëdha të kulturës shqiptare, si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Pashko Gjeçi-përkthyesi i shkëlqyeshëm i Dante Aligierit etj. B

Sa vjeç ishit, sepse janë personazhet të viteve të shkuara?

Unë që fëmijë jam rritur në studion ë babës, kaloja një pjesë të madhe aty dhe pikturoja.

Si i kujton vizita e tyre?

Unë hapja derën dhe dëgjoja nënën që me thoshte: -Mos u fut në studio, se është Lasgushi! Ata trajtonin çështje të artit e të kulturës e shpreheshin lirshëm me njëri-tjetrin si miq te mire. 

Çfarë bisedonin?

Sigurisht, gjërat më të mira që dinin dhe sillnin në art. Ndaj duhet studiuar ajo periudhë, ajo jetë, se pse po të kujtojmë Tefta Tashkon, ajo la Parisin dhe famën dhe erdhi këtu. Babai im ka qenë me medalje ari në Paris dhe erdhi në Shqipëri duke marrë me vete ca metoda për të dhënë mësim në shkollën e vizatimit. Im atë hedh i pari idenë që duhet pasur një galeri arti në Shqipëri, dhe ishte koha kur diskutohej jo vetëm për artin, por edhe për letërsinë e fusha te tjera për ngritjen dhe emancipimin e shoqerise shqiptare ndaj duhet studiuar me kujdes ajo periudhë e mrekullueshme në historinë e artit shqiptar.

Lasgushin si e kujton?

Isha fëmijë dhe kur vinte ai më fërkonte pak kokën me përkëdheli dhe futej në studio në biseda më babën, por kam një kujtim të bukur nga Lasgushi. Unë isha student dhee kisha nisur ne studio një autoportret të cilin s’e kisha përfunduar. Dhe një ditë, siç po hyja në shtëpi drejt e nga plazhi, i mbushur me rërë, dëgjoj nënën të më thotë: -Shko, shko në studio takoje pak babën se do të thotë diçka.
Dhe shkoj unë e baba më tregon sesi ishte shprehur Lasgushi për autoportretin tim. Më tha: -Buron më ke lënë pa fjalë, më ke prishur gjithë bisedën me Lasgushin sot...Dhe më tregoi se Lasgushi kishte shprehur fjalë mjaft të mira për pikturën time. Atëherë nuk po e vazhdoj i thashë tim eti. Dhe baba ashtu më tha: -Aty lëre, derisa kështu ta ka vlersuar Lasgushi.

Në cilat pika takoheshit dhe largoheshit me babanë tuaj në art?

Im atë ishte një burrë shumë i kulturuar, dhe unë vetëm duke lexuar nënvizimet e tij nëpër librat e bibliotekës se tij kam kuptuar se më ka ndihmuar shumë. Nuk i kritikonte kurrë nxënësit por duke vlerësuar cilsite e mira te veçanta te gjithsecilit i orientonte me këshilla dhe shembuj . Edhe mua më inkurajonte e përpiqej që të ruaja individualitetin tim. Ai pati fat të kishte pas ne formimin e tij si artist por edhe si pedagog i artit profesorë me kulturë të gjere nga dy drejtime, nga zhvillimet ne artin Italian dhe nga zhvillimet e artit ne France. Ne Shkollën e Vizatimit ne Tirane mjeshtrin Mario Ridola qe vinte si nxënës i artistit te shquar italian Vincenso Iroli , dhe ne akademine e Parisit pedagogun e shquar francez, piktorin Fernard Sabate bashkënxënes me Henri Matis dhe Zhorzh Ruo të artistit të shquar dhe pedagogut te madh Gustav Moro. Po ashtu ai ndiqte leksione edhe në atelienë e afreskut të profesorit të madh Dycos De L’Halle. Pikërisht kultura e madhe e tij dhe vlerësimi individualitetit të nxënësit bëri që të ruaja vlerën individuale. Natyrisht unë nuk mund të shpëtoja nga ndikimet, sepse im at ishte një piktor i madh, por më vjen mirë që kritika sot më thotë se kam një individualitet në artin tim.

Çjanë këta libra kaq të vjetër në studion tuaj?

Janë libra të historisë së artit, pasuri e bibliotekës së babait tim, Sadikut. Këta libra kanë vlejtur për shumë miq e të afërt që i lexonin në studio, se nuk gjendeshin në bibliotekat tona. Unë vetë fotografoja ca piktura po edhe skulptura të Rodenit dhe i ndanim me shokët për të parë e diskutuar rreth tyre. Kam pasur fat me që i kam pasur këto materiale studimi në shtëpi, libra arti, letërsie si dhe filozofie arti të blera prej tim eti përgjatë viteve të studimeve ne Paris si dhe në Firence, sepse pat bere edhe një vit specializim atje pe pikturën e afreskut. Përveç librave te artit te asaj periudhe kam pas fatin te kem ne periudhën e formimit tim edhe libra arti te kohës sepse ndonëse tim eti nuk i dhanë meritë me tepër se sa vetëm titullin Artist i Merituar, nuk e pengonin te kishte korrespondencë me artiste të shquar ne France, ish shokët e tij të akademisë të cilët i sillnin here pas here edhe libra arti. Nuk ishte pak në atë kohe të kishe literaturë të artit që në atë periudhe mund ta gjeje në Francë e qe unë nuk rrija pa i ndare, natyrisht me kujdes, edhe me miq të mirë të mitë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare