I çliruan nga survejimi i babait tiran, por po i flakin në arenën e bullizmit

I çliruan nga survejimi i babait tiran, por po i flakin në arenën e bullizmit

Tjetër thonë e tjetër bëjnë. Kjo shprehje të kujtohet këto ditë ndërkohë që ekranet e portalet, thuajse njëzëri përcjellin detaje nga seriali më i ri i kronikës së zezë: historia e ekonomistit 35-vjeçar në Tiranë që kishte ngujuar në apartamentin e familjes gruan, nënën dhe dy fëmijë 5 e 9 vjeç dhe i monitoronte me kamera të vendosura kudo.

Gazetarët e kronikës, qysh në tituj njoftojnë se po sjellin detaje të reja nga apartamenti i supermbykqyrur. Është kjo një teknikë e njohur dhe e stërpërsëritur për t’i dhënë lajmit trajtë seriali dhe për të tërhequr sa më shumë shikues e lexues. Të gjithë sulmojnë babain tiran dhe marrin në mbrojtje familjen e ngujuar e të dhunuar. Empatia më e madhe shprehet për fëmijët që flinin në burg e jetonin në klimë terrori.

Parë më hollë e në thelb, sulmi mediatik drejtohet kundër tiranit po vete e godet fëmijët për t’ua bërë jetën edhe më të vështirë sesa gjatë burgimit nga babai. Përfytyrohet se ç’i pret dy fëmijët e gjorë në kopshtin dhe në shkollën ku shkojnë. Jetojmë në hapsira të ngushta e pak të populluara, ndaj thuajse secili njeh secilin. Veç kësaj bullizmin dhe stigmatizimin i kemi të fortë e të egër sidomos në ambiente fëmijësh dhe adoleshentësh. Me një familje të bërë telef nëpēr ekrane, me një baba të përmendur me emër e mbiemër, të dy fëmijtë do përjetojnë gjatë turpërimin në publik, por edhe sulme të llojllojshme nga bashkëmoshatarët me prirje bullizuese.

Në raste të tilla, sidomos kur rrezikohet mirërritja e fejeve, mediat do bënin mirë të respektonin anonimatin dhe të tregoheshin të kursyera në detaje e shtim publiciteti. Më të kursyera e më të kujdesshme do të duhej të tregoheshin organet e policisë dhe të drejtësisë. Vras mendjen dhe s’e gjej dot pse të gjitha detajet e hetimit u përcillen mediave? Është bërë si punë zakoni apo veprojnë motive të tjera?

Natyrisht ngjarje të tilla ngjallin interes publik dhe janë rast i mirë për të ndërgjegjësuar shoqërinë. Por kjo nuk arrihet duke publikuar detaje gjithfarëllojesh për marrëdhënie familjare e intime, por duke zgjedhur çfarë është e dobishme të bëhet objekt raportimi e temë diskutimi.

Në rastin e babit tiran, që pas të gjitha gjasave ka patur shqetësime të shëndetit mendor, vëmendja duhej përqendruar mbase tek një plagë e shoqërisë sonë: prirja për të mbajtur të fshehura këto çrregullimet e sëmundje. Ngjarje të tilla zgjojnë interes të gjerë dhe janë rast i mirë për të diskutuar më me efikasitet pse kemi stigmë kaq të rëndë ndaj problemeve mendore, ç’duhet të bëjmë që edhe këto të shihen e të konsiderohen si gjithë sëmundjet dhe shqetësimet e tjera të shëndetit?

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë