Një 50-vjeçar i identifikuar si Bledar Mansaku është arrestuar nga policia në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian.
Mansaku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia ku dhe është dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Apelit në 2024 për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
“Policia e Shtetit
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 88”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Vihet në pranga një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, i dënuar në Itali me 7 vjet burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në Tiranë u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Bledar Mansaku, 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Firence, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet burg për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Arrestimi provizor i këtij shtetasi u krye me qëllim ekstradimin drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente











