Britaniku u dënua pas dëshmisë së dy djemve, 6 dhe 13 vjeç, që ishin banorë të qendrës “Fëmijët e Tij” ku strehoheshin fëmijët e braktisur dhe në nevojë ekonomike.
10 djem të qendrës dhanë dëshmi kundër Brownit dhe dy të bashkë-akuzuarve të tij, Dino Kristodulu 52 vjeç i dënuar për pedofili, dhe Robin Arnold 63 vjeç.
Në një intervistë të dhënë për Sunday Mail, Andon Qoshlli dhe Denis Aliu, sot 18 dhe 22 vjeç, kanë thënë se janë të gatshëm të pranojnë gënjeshtrat e tyre në gjykatë që Brown të lirohet.
Ata kanë pohuar se e kanë dhënë dëshminë të detyruar nga psikologu dhe oficeri i policisë për të thënë se Brown kishte abuzuar me ta.
(Andon Qoshlli dhe Denis Aliu, akuzuesit e Brown se kishte abuzuar me ta)
Andoni tha për Mail Sunday se kanë qenë psikologu dhe oficeri i policisë ata që e shtynë të akuzojë Davidin.
‘’Më vjen keq që ai është në burg. Unë dua ta shoh atë jashtë dhe ta përqafoj. David na mori nga rruga dhe na dërgoi në shkollë’’, ka thënë 22 vjeçari.
Nëna e Andonit, Luisa 53 vjeç, thotë se nuk ka qenë me djalin e saj kur ai ka dhënë dëshminë.
‘’Davidi nuk duhet të jetë në burg. Ai i shpëtoi jetën djalit tim dhe Andoni më ka thënë se ishte Dino i cili ka abuzuar me të”, ka thënë Luiza.
Më tej ka shtuar se ishin një familje e varfër dhe pa mundësi financiare për të rritur dhe edukuar fëmijët.
Dëshmitari i dytë Denis Aliu, sot 18 vjeç, thotë se ai ishte frikësuar nga keqtrajtimi i policisë kur ishte vetëm 6 vjeç, prandaj edhe kishte deklaruar se është abuzuar edhe nga Brown.
“Davidi nuk duhet të jetë në burg. Isha i ri në atë kohë dhe i thashë gjykatës çfarë më kishte udhëzuar psikologu për të thënë’’, ka shtuar ai.
“Më premtuan top futbolli, ëmbëlsira, ushqim, para për të më bërë të lumtur nëse do të thoja para gjykatës çfarë dëshironin ata. Unë e di unë kam bërë një gabim të madh dhe dua të shkoj në gjykatë për ta korrigjuar atë. Në momentin para se të jepja dëshminë psikologu i shtetit më tha: Shko dhe thuaj atë që të kam thënë”, ka shtuar ai më tej.
(David Brown në qelinë e burgut)
Avokatja e Brown, Gjystina Golloshi, thotë se me 20 mars në Gjykatën e Lartë dy djemtë do të japin dëshmitë e reja. Sipas Golloshit Andoni edhe në gjykimin fillestar kishte deklaruar se nuk është abuzuar nga Brown, por gjyqtari nuk e mori parasysh dëshminë.
Prej vitit 2006 skocezi David Brown vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë 302 në Tiranë, ndërkohë që po atë vit kishte depozituar një kërkesë kundër dënimit të tij në Gjykatën e Lartë, kërkesë që ishte refuzuar.
Sipas Sunday Mail zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë nuk ka preferuar të japë koment për këtë çështje. Ndërkohë Albert Malaj, drejtor i burgut “Mine Peza” thotë se: “David Brown është një person i devotshëm. Çdo ditë ai merr më shumë se 10 letra nga mbështetësit e tij nga vende të ndryshme, e rrallë kjo për një të burgosur në Shqipëri."
(David Brown, drejtues te qendra sociale “Fëmijët e Tij")
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com