Ditën e sotme, në Apelin e Gjykatës së Posaçme është zhvilluar seanca gjyqësore në ngarkim të Ilir Selmanit, i akuzuar si pjesë e ‘klanit Duka’ dhe i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko në 2019-ën, i njohur si krahu i djathtë i Ervis Martinaj.

Selmani u paraqit në Apelin e GJKKO-së nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga forca të shumta policie. Seanca nisi në orën 14:30 dhe përfundoi rreth orës 16:45.

SPAK ka kërkuar dënimin me 28 vite burg të Selmanit, ndërkohë që vetë Iliri ka pretenduar se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me vrasjen e Santiago Malkos.

“Jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje në këtë ngjarje”, ka deklaruar Ilir Selmani në Apelin e Gjykatës së Posaçme.

Nga ana tjetër, e ëma e Santiago Malkos ka kërkuar që Selmani të dënohet me 28 vite burg, pasi sipas saj, ai është vrasësi i djalit të saj.

“Ky më ka vrarë djalin, të dënohet me 28 vite burg, ose më sillni djalin në shtëpi ta shikoj. Nxirreni jashtë këtë”, ka deklaruar e ëma e viktimës.

Ndërkohë Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur që vendimi për Ilir Selmanin të shtyhet për në 17 korrik. Kujtojmë se Selmani u lirua pak kohë më parë në 'arrest shtëpie', për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Selmani është shpallur fajtor nga GJKKO për ekzekutimin e Santiago Malkos më 19 gusht 2019. Disa ditë më parë, pranë banesës së tij që ruhet nga forca të shumta policie, u arrestua me armë Emiljano Nina, një prej personave më të afërt të Ervis Martinajt. Ky episod çoi hetuesit të dyshojnë se po tentohej një atentat për hakmarrje.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë