I dërguari i Ministrisë së Jashtme Italiane Fabrizio Petri në Shqipëri për LGBT+: Dyert e Ambasadës janë të hapura, në të ardhmen edhe Shqipëria me përfaqësues të këtij komuniteti në institucione

Vetëm 6 muaj pasi Ministria e Punëve të Jashtme në Itali e zgjodhi për pozicionin e krijuar të të dërguarit të posaçëm për të drejtat e njeriut dhe të komunitetit LGBT+, Fabrizio Petri viziton Shqipërinë.

Si specialist i këtyre çështjeve dhe me një eksperiencë prej 3 dekadash në funksione diplomatike para autoriteteve shqiptarëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve ai e shpjegon ndjeshmërinë e tij të veçantë ndaj këtij diskutimi, jo vetëm për detyrën që ka, por edhe për faktin se është pjesë e këtij komuniteti. 

Vizita për t’i shprehur përkrahjen vendit tonë, pas takimeve në Uashington, Bruksel, Madrid etj., vjen në një moment të veçantë, pasi Shqipëria ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit LGBT për vitet 2021-2027. Ai shpjegon, se si në këtë detyrë, që e vendos Italinë në një projeksion ndërkombëtar, mund të ndihmohet edhe Shqipëria.

"Pas shumë viteve eksperiencë në detyra të ngjashme, mund të them me bindje se për të tilla tema askush nuk mund t’i jap leksione askujt. Janë rrugëtime komplekse, që çdo vend i përballon në bazë të historisë, kulturës dhe shoqërisë përkatëse. Por janë tema, ku duhet të jemi të bashkuara. Qëllimi im nuk është ai i të krijuarit raporte të shkruara, por dialogë, unitet, të krijoj momente ku mund të imagjinohet një e ardhme së bashku", shprehet Petri. 

Petri rrëfen se kjo është vizita e tij e dytë në vendin tonë pas 20 vitesh, dhe se ndryshimet e jashtme që vëren janë kolosale. Prania e shoqatave të LGBT në rezidencën italiane, është një sinjal sipas tij, që këto ndryshime ndihen edhe në mentalitet.

“Ajo çka është interesante mbi Shqipërinë është se ju jeni një vend që po bëni përpjekje të mëdha, madje në disa aspekte jeni edhe më para Italisë. Për shembull mund të përmend këtu zhvillimet me Ligjin kundër terapisë së konvertimit. Pra jeni një vend me rrugëtim të rëndësishëm, pavarësisht që çdo realitet ka vështirësitë e tij. Unë sot pata mundësinë që të takoj shoqërinë civile LGBT plus, dhe mu dukën njerëz shumë të motivuar, të kujdesshëm dhe të përgatitur. Kështu që unë shpresoj të mund të ndihmoj në një rrugëtim të përbashkët, rrugëtimin e tyre në Shqipëri. Sfidat janë të ndryshme kudo, por sipas meje është shumë e rëndësishme dhe thelbësore të punohet me shoqëritë civile në çdo vend...”, tha Petri.

Në takimin e mbajtur, i dërguari i posaçëm premton se dyert e Ambasadës Italiane do të jenë të hapura, kjo edhe përtej vlerës simbolike. Në ndihmën që mund t’i jepet Shqipërisë, thelbësor është sipas tij dialogu i vazhdueshëm me shoqërinë LGBT të vendit. Petri shpjegon më tej , nëse krahas ndihmës brenda vendit, do të jetë e mundur një bashkëpunim dypalësh për ata persona të LGBT-së, veçanërisht të zonave periferike shqiptare që shpresojnë se mund të projektojnë të ardhmen e tyre edhe në shtetin fqinj, Italinë.

“Në Itali unë po punoj me të gjitha shoqatat LGBT në vend që merren me ndihmën që mund ti japin anëtarëve të LGBT-së në vende të tjera. Dhe ka një sërë mundësish që mund të bëhen aktive. Prandaj është shumë e rëndësishme që të vendoset kontakti mes shoqërisë civile shqiptare dhe asaj italiane, sepse janë procedura që duhet të menaxhohen nga ato. Problemi i vërtetë i kësaj çështje është se duhen fonde, duhen para. Dhe kjo është pika më e vështirë, pasi në këto raste emigracioni, paratë nuk mund të jenë të shtetit. Por, ajo ç’ka mund të bëhet është përfshirja e sektorit privat, e ndërmarrjeve të mëdha. Pra duhet të veprohet përmes financimeve private, përndryshe ndihma bëhet shumë e vështirë”, vijon ai.  

I dërguari Fabrizio Petri, prej 30 vitesh në funksione diplomatike, është vetëm një nga rastet kur anëtarë të komunitetit LGBT në Itali janë në pozicione me peshë politike e diplomatike. Ndërkaq, në Shqipëri një prezencë e tillë mungon...

“Këto janë pyetje, ku përgjigja duket qartazi nga fakti, nga realiteti që shohim. Por, me sa kuptoj, në Shqipëri janë të gjithë elementët e mundshëm që në të ardhmen të ketë një përfaqësi nga LGBT dhe në institucione. Ndonëse Italia në aspektet e legjislacionit që prek LGBT, nuk është e avancuar si Holanda, Suedia etj., në nivel institucional, në nivel Parlamenti, ne kemi arritur që të kemi figura të rëndësishme të komunitetit LGBT. Kjo mund të ndodhë edhe me Shqipërinë! Së paku, e shpresoj të ndodhë”, thotë Fabrizio Petri.

Një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT, luan sipas tij edhe media, por edhe arti e kultura.

“Këto janë me shumë rëndësi! Mbi të gjitha gazetaria, që duhet të japë një këndvështrim sa më objektiv, të ndihmojë edhe duke dhënë histori personale. Sepse ajo që kam vënë re unë është se kur njerëzit dëgjojnë eksperienca personale, krijohet një tjetër lloj perceptimi. Dhe kjo sipas meje është shumë e rëndësishme...”, vijon ai.

Rrëfen se beteja e tij, si i dërguar i posaçëm i Italisë prek pikën më të rëndësishme me luftën kundër kriminalizimit.

“Ka ende 70 vende që e kriminalizojnë homoseksualitetin. 11 prej tyre kanë ende dënimin me vdekje. Pra është një punë e madhe që duhet të bëjmë në nivel ndërkombëtar”, thotë Petri.

Për në zonat e vendet ku të qenit homoseksual paragjykohet, nismat, historitë personale, por edhe mesazhet pozitive janë një domosdoshmëri...

“Është një nga mënyrat e të shprehurit të natyrës njerëzore! Kështu që normalisht duhet njerëzit ta pranojnë dhe të bëjnë të mundur që personat LGBT plus të jetojë në mënyrën më të lirë të mundshme orientimin e tyre seksual...”, vijon ai.

Të shikoja shoqërinë civile shqiptare sot këtu më gëzoi shumë! Jemi të gjithë njësoj, janë si ne!

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj