TIRANE - 10 mijë euro ishte paguar Julian Shorja për të vrarë në Tiranë emigrantin shqiptar që kishte ardhur për pushime verore në atdhe, atentat i cili fatmirësisht u parandalua nga policia të martën më 4 gusht. Sipas Prokurorisë, verën e kaluar Shorja kishte hyrë në “borxh” me porositësin e atentatit i identifikuar me inicialet Sh.O dhe ndaj ishte i ‘detyruar’ ta vriste emigrantin. Porositësi kish organizuar ta vriste emigrantin edhe verën e një viti më parë në Bari të Italisë, por atentati dështoi për “faj” të Shorjes. Kjo pasi lënda plasëse dhe detonatorët elektrikë që 29-vjeçari kish përgatitur për vrasjen e emigrantit nuk shpërthyen.
 
Julian Shorja kish marrë në atë kohë 1 mijë euro. Në maj të këtij viti Shorja është kontaktuar sërish për të përgatitur bombën plasëse, për të cilën duhet të sigurohej se do të shpërthente duke e vendosur vetë në makinën e emigrantit. Ai është takuar në një lokal në Kombinat me personin që i ka dhënë porosinë kundrejt 10 mije eurove. Por as këtë mision, Shorja nuk mundi ta realizonte pasi policia mori informacione se 29-vjeçari po përgatiste një minë me tritol të telekomanduar dhe e arrestoi atë në banesë duke e përgatitur. Sipas hetimeve, porositësi donte të vriste emigrantin, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia, pasi ai kishte lidhje dashurie me bashkëshorten e tij.  

Akuzat kundër Julian Shorjes Prokuroria e Tiranës i ka artikuluar këtë të enjte në Gjykatë, në një seancë ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.  Ai akuzohet edhe për kultivim të bimëve narkotike pasi gjatë kontrollit në banesë policia i gjeti një rrënjë bime narkotike kanabisi të mbjellë në një vazo brenda shtëpisë. Policia gjeti në shtëpi edhe mjetet me të cilat Shorja por përgatiste minën.

4 rrënjë të tjera kanabisi të mbjella po në vazo u gjetën në banesën e të dashurës së tij R.Toma, për të cilat policia dyshon se janë mbjellë nga 29-vjeçari. Deri në përfundim të hetimeve, vajza e cila u arrestua me të fejuarin e saj, do të duhet të paraqitet në Gjykatë për akuzën e “kultivimit të bimëve narkotike”. Këtë masë, pra "detyrim paraqitje" vendosi ndaj saj Gjykata e Tiranës.
 
per atentantin e parandaluar ndaj emigrantit shqiptar Policia ka shpallur në kërkim dy persona të dyshuar si porositës.

Informacioni zyrtar nga Prokuroria e Tiranes
Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për të konsideruar të ligjshëm arrestimin në flagrancë nga ana e Policisë së shtetasit J. Shora, i dyshuar për veprën penale të “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve për vrasje” e “kultivim të bimëve narkotike”, si edhe shtetases R. Toma, e dyshuar për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Në përfundim të seancës për vlerësimin e arrestit, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për J. Shora dhe “detyrim paraqitje” për R. Toma.
Nga veprimet e deritanishme hetimore rezulton se:

Në kuadër të veprimtarisë së saj parandaluese, Policia e Shtetit ka marrë informacion se shtetasi J. Shora po përgatiste një minë me telekomandë (me lëndë ekspozive C4) për llogari të një personi tjetër, kundrejt pagesës. Për të parandaluar këtë veprimtari të dyshuar kriminale, nga ana e Policisë së Shtetit është ushtruar kontroll në shtëpinë e shtetasit Shora,
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan si provë materiale dy kapsolla detonatore, një fishek model 54, kal 7.62 mm, një fishek kalibër 6. 35 mm dhe një rrënjë bimë e ngjashme me lëndë narkotike, të dyshuar cannabis sattiva e mbjellë në një vazo, brenda banesës.
Po kështu, gjatë kontrollit të banesës së shtetases R. Toma, u sekuestruan katër rrënjë bimë, të ngjashme me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sattiva, të mbjella në vazo.

Nga hetimet e deritanishme, ka dyshime se shtetasi Shora, në verën e vitit 2014 ka siguruar një lëndë plasëse dhe detonatore elektrike kundrejt shumës 1 000 euro, me porosi të një personi tjetër. Po kështu gjatë muajit maj të vitit 2015, ka dyshime se është kontaktuar nga një person, i cili iu prezantua si i njohur tij. Me këtë person, është takuar në Kombinat në një lokal.

Ky person i ka kërkuar shtetasit Shora që t’i sigurojë lëndë plasëse, me pretendimin se lënda plasëse e marrë vitin e kaluar nuk ka shpërthyer. Në këtë mënyrë, ky person duket se i ka përmendur në mënyrë indirekte se ishte “në borxh” për faktin se herën e parë lënda plasëse nuk kishte shpërthyer.

Nga veprimet e deritanishme parandaluese, rezulton se shtetasi ende i papërcaktuar, i njohur deri tani me inicialet SH.O., këtë lëndë plasëse e donte për t’ia vendosur një personi, që kishte lidhje dashurore me bashkëshorten e tij. Sipas dyshimeve, lënda plasëse duhej të përgatitej dhe të vendosej nga i dyshuari Shora dhe për këtë veprim, ai do të paguhej në shumën 10 mijë euro.

Duke qenë se ka qenë në borxh me këtë person, i dyshuari Shora duket se ka pranuar të veprojë sipas porosisë, por nuk ka arritur të përfundojë ndërtimin e minës me telekomandë.

Po ashtu, gjatë kontrollit policor, në shtëpinë e tij u gjet një rrënjë bime narkotike e dyshuar si cannabis. Gjithashtu, 4 rrënjë të dyshuara si të tilla janë gjetur të mbjella në shtëpinë e shtetas R. Toma, për të cilat ka dyshime se janë mbjellë nga i dyshuari Shora.

Për këtë arsye, ndërkohë që po kryhen veprimet e nevojshme procedurale në kuadër të këtij hetimi, në këtë fazë paraprake, ndaj shtetasit Shora janë krijuar dyshime se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje” dhe “kultivim i bimëve narkotike”. Ndërsa ndaj shtetases R. Toma janë krijuar dyshime se ka kryer veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”.
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)