SPANJË - Myrto Uzuni është përzgjedhur nga prestigjozja Marca në formacionin më të mirë të javës së tretë në La Liga. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte vendimtar për Granadan, teksa me golin e tij nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 70-të i dha fitoren të tijve kundër Mallorcas, 3-2.
Kjo ishte fitorja e parë e Granadas që pas rikthimit në elitën e futbollit spanjoll. Tanimë beratasi vijon të bëjë mirë edhe në La Liga, ndërsa një sezon më parë u shpall golashënuesi më i mirë në La Liga 2 me 23 gola.
Duket se forma e mirë e 27-vjeçarit ka bërë që Granada të dalë te pikët e plota në shtëpi, me objektivin që është i qartë, mbijetesa në La Liga. Në prag të ndeshjeve të Kombëtares kundër Çekisë dhe Polonisë (7 dhe 10 shtator), Uzuni është "ndezur" në Spanjë.