Gjykata e Posaçme Antikorrupsion la në fuqi masën “arrest në burg” për italianin Cosimo Notaristefano, që u arrestua në kuadër të aksionit të SPAK kundër një call center-i të dyshuar për mashtrime financiare, në një nga kullat e Tiranës. Notaristefano u arrestua dje në Portin e Durrësit teksa po largohej drejt Italisë.

Notaristefano tha në gjykatë se ka qenë i punësuar dhe se nuk kishte dijeni për skemën që pretendon SPAK. Ai tha se bënte shërbim teknik, dhe se nuk ka pasur funksion mbi investimet që bënin shtetasit e huaj.

Ai parashtroi në gjykatë se vuan nga probleme të shumta shëndetësore, dhe kërkoi çdo masë tjetër, përfshirë vënien e garancisë pasurore, përveç arrestit në burg. Italiani tha se nuk ishte në dijeni që ndodhej në kërkim, dhe ishte nisur të shkonte në vendin e tij siç bën një herë në dy muaj.

Nga goditja e këtij rrjeti, në pranga kanë rënë 8 persona të tjerë, ndërsa në kërkim janë shpallur 3 vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj, drejtues të skemës së mashtrimit.

Investigimi mori shkas nga ankesat e disa italianëve të mashtruar. “Le Iene” mundi të infiltrojë një person, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat se jo vetëm shqiptarë, por edhe italianë janë përfshirë në krim, që jetojnë në Itali apo Shqipëri. Transaksionet e fituara nga aktiviteti kriminal kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga kokat e grupit.