Kombëtarja ka mbyllur sot ditën e katërt të përgatitjeve për dy ndeshjet shumë të rëndësishme të eliminatoreve të Botërorit kundër Hungarisë me datë 9 tetor dhe kundër Polonisë me 12 tetor. Trajneri Reja vijon ta ketë grupin e plotë dhe është afër fiksimit të titullarëve për ndeshjen e parë, ndërsa optimizmi është shumë i lartë. Mbrojtësi Elseid Hysaj, i pyetur se me sa pikë është i kënaqur, përgjigjet:
Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares: “6 pikë, ne shkojmë për 6 pikë. Me të gjithë këta lojtarë që kemi në grup, shkojmë motivisht shumë lart për t’i fituar të dyja sepse i kemi mundësitë. Duhet të besojmë te vetja jonë.”
Ndërkohë sulmuesi Sokol Cikalleshi nga të dy ndeshjet e sheh përballjen me Hungarinë si më të rëndësishme. Nëse do kishte mundësi të zgjidhte ai preferon që golin e vetëm ta realizonte në transfertën e ditës së shtunë.
Sokol Cikalleshi, futbollist i Kombëtares: “Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në Air Albania dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim.”
Ndërkohë UEFA ka zgjedhur edhe katërshen e arbitrave që do të arbitrojnë të shtunën në ‘Puskas Arena’. Ata do të jenë një katërshe spanjolle me kryesor Carlos Grande.
Komente







