DURRËS - Shefi i Antidrogës në Policinë e Durrësit, Gazmir Preçi është arrestuar me urdhër të SPAK dhe kërkesë të AMP, për shpërdorim detyre dhe Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike. Ai ka rënë në pranga me urdhër të SPAK, pas një skemë gjobvënie ndaj një biznesmeni në qytetin bregdetar të Durrësit.

Gazmir Preçi ka shantazhuar pronarin e një klubi nate te Ura e Dajlanit se do t’i mbyllë biznesin dhe i ka kërkuar si ‘gjobë’ 20 mijë euro. Duke shfytëzuar pozitën e tij drejtuese, shefi i Antidrogës në Durrës ka arritur që t’i marrë pronarit të lokalit në fazën e parë vetëm 10 mijë euro.

“Arrestimi i tij u bë i mundur, pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke aplikuar metoda speciale, si rezultat i të cilave u siguruan prova dhe fakte që ky punonjës policie, duke shfrytëzuar funksionin organik, i ka kërkuar 20 mijë euro dhe marrë shumën prej 10 mijë euro në fazën e parë, nëpërmjet shantazhit për bllokimin e aktivitetit në biznes një shtetasi, posedues i një lokali në qytetin e Durrësit”, njofton policia.

Pas hetimeve që AMP ka zhvilluar për disa javë, i është drejtuar SPAK me kërkesë për urdhërarrest për policin Preçi. Ai u arrestua mbrëmjen e sotme, 15 gusht 2024, ndërsa në momentin që mbërrin në komisariat dallohet me pranga në duar, shapka dhe pantallona të shkurtra.

Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera monetare prej 10 mijë euro, dokumente që lidhen me ngjarjen dhe dy aparate telefonikë celularë.

Emri i Preçit del edhe në një shkelje tjetër në vitin 2021, ku ndaj tij ishte caktuar masa detyrim paraqitje, pasi bashkë me efektivë të tjerë lejuan kultivimin e kanabisit në afërsi të Urës së lumit Vjosë, në Poçem të Mallakastrës. Preçi ishte ish-Shefi i Komisariatit të Policisë Mallakastër.

1723751684_1723750833gazmirprei.jpg

Shefi i Antidrogës së Durrësit, Gazmir Preçi