Kongresmeni amerikan Eliot Engel është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.
Ai përfaqësoi shtetin e New York-ut në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA për më shumë se tre dekada, nga viti 1989 deri në vitin 2021, duke qenë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane.
Engel njihej si një mbështetës i fortë i çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht për angazhimin e tij në mbrojtje të Kosovës gjatë viteve të luftës me Serbinë.
Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën ka bërë që edhe një rrugë në Kosovë të mbajë emrin e tij.
Më 8 dhjetor 2020, në një seancë dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve, Engel kishte folur për Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për Kosovën.
“Nuk e dija pasionin që do të zhvilloja për një cep të vogël të Evropës, të quajtur Ballkan. Kam udhëtuar në çdo vend të Ballkanit Perëndimor disa herë, jam takuar me aq shumë udhëheqës nga aq shumë parti dhe kam dashuruar larminë e pasur të kulturave, etnive dhe feve. Por, asnjë vend nuk më ka prekur zemrën më shumë se Kosova”, deklaroi asokohe ai.
Komente










