TIRANË- Baristi i famshëm shqiptar, Dritan Alsela, i cili jeton dhe punon në Dusseldorf është përfshirë në një përplasje në distancë me kreun e PD, Sali Berisha. Ky i fundit, pa marrë lejë, ka përdorur një video të Alselës duke e hedhur në profilin e tij në Facebook për të kritikuar kryeministrin Edi Rama lidhur me nivelin e korrupsionit.
Në videon e realizuar nga baristi shqiptar për rrjetin e tij social, ai shfaqet duke qeshur ndërsa mbi video ka vendosur një frazë të kryeministrit Rama “Korrupsioni në Shqipëri është vetëm një perceptim negativ.” Pikërisht kjo video u publikua nga Sali Berisha, duke shkruar “ky person ka 4 milionë ndjekës dhe jeton në Düsseldorf. Kësaj i thonë “kur bëhesh gaz i dheut”.
Por, ky postim i kryedemokratit nuk është pritur mirë nga shqiptari, i cili i është përveshur me kritika, duke e cilësuar Berishën si shkakun pse ai vetë dhe mijëra shqiptarë të tjerë emigruan në vitet ’90, duke u detyruar të braktisin vendin. Alsela shkruan se Berisha i detyroi njerëzit të mos e shohin më të ardhmen në vendin e tyre dhe të largohen.
“Ky person në këtë video ka një emër dhe një mbiemër: Dritan Alsela – të cilin ju, zoti Berisha, jeni i detyruar të paktën ta përmendni. Përdorimi i kësaj videoje pa informimin dhe pa pëlqimin tim është një shkelje e qartë e të drejtës së autorit, një koncept që ju, i formuar me mentalitetin “unë jam mbi gjithçka”, as nuk e njihni dhe as nuk e pranoni. Unë kam mundësinë që këtë video ta fshij brenda pak minutash, por nuk ia vlen të merrem me dikë që koha vetë e ka vendosur aty ku është sot.
Unë jam Dritan Alsela. Kur ju erdhët në pushtet, unë nuk i kisha mbushur ende 18 vjeç, dhe ajo që ju i bëtë Shqipërisë – ekonomikisht, shoqërisht dhe mbi të gjitha një brezi të tërë të rinjsh si unë – është ndër dëmet më të mëdha që i janë bërë këtij vendi. Unë e kam përjetuar vetë, jo nga larg, por nga brenda: ishte politika juaj, ishte drejtimi juaj, ishte stili juaj. Ju morët në dorë një lëvizje që nuk ishte e juaja, një lëvizje që mbante shpresën e një Shqipërie europiane, dhe e shkatërruat.
Ju i detyruat njerëz si unë të mos e shohin më të ardhmen në vendin e tyre dhe të largohen. Ajo që erdhi më pas, dhe ajo që vazhdon edhe sot, është pasojë direkte e asaj kohe. Për mua nuk ka pasur kurrë ndryshim thelbësor mes partive në Shqipëri; emra të ndryshëm, por të njëjtat rrënjë: njëra anë përfaqësonte të vjetrën komuniste, tjetra strukturat e fshehta që e mbajtën atë gjallë.
Këto struktura të errëta nuk janë zhdukur kurrë, ato vazhdojnë të jetojnë edhe sot. Demokraci e vërtetë nuk ka pasur kurrë. Dhe ajo që ndodh sot nuk është rastësi. Ajo që bën Edi Rama sot është thjesht vazhdimi i asaj që ju keni nisur. Ai po e çon deri në fund një sistem që e mban Shqipërinë peng, një vend që nuk i shërben vetes, por strukturave të vjetra të pushtetit. Ky është realiteti, dhe ky është edhe rezultati i asaj që ju keni ndërtuar”, shkruan Alsela.

Postimi i Sali Berishës
Reagimi i baristit është mbështetur nga shumë ndjekës dhe shqiptarë të tjerë, të cilët e vlerësojnë për reagimin e tij ndaj Berishës, duke e quajtur edhe si shembull të një shqiptari të ndershëm dhe punëtor, siç mund ta shihni edhe në fotot më poshtë.
Komente











