I lindur dhe i rritur në Abidjan të Bregut të Fildishtë, Yan Diomande është vetëm një nga të rinjtë e shumtë afrikanë që kanë zgjedhur futbollin si "varkën e shpëtimit" nga problemet e shumta ekonomike dhe sociale që i shoqërojnë në vendet e tyre.

19-vjeçari i cili është pjesë e RB Leipzig në Gjermani ka arritur një marrëveshje prej më shumë se 100 milionë eurosh për të kaluar në 'Bernabeu' dhe për të mbajtur veshur fanellën e Real Madridit.

Por historia e tij është prekëse, nga humbja e të motrës kur ajo ishte vetëm 15 vjec, te varfëria dhe refuzimet, ai i shpjegon të gjitha në një letër të shkruar për të motrën, Roksanën, pasi kjo e fundit ndërroi jetë e helmuar.

"E dashur Roksanë,

Të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë false të Manchester United dhe unë shkrova "Ronaldo 7" në shpinë me një laps të zi? Ne nuk e dinim çfarë ishte të ishe i pasur apo i varfër. Ne njihnim vetëm lumturinë.

Të kujtohet kur 25 veta flinim në një shtëpi në Abidjan? Mami donte të shihte telenovelat, ndërsa të gjithë të tjerët donin të shikonin filma. Të kujtohet si bëja sikur flija dhe sapo kalonte mesnata, futesha fshehurazi në dhomën e televizorit? E ulja zërin pothuajse në minimum, vetëm dy vija. Shikoja futboll në errësirë dhe ëndërroja.

Të kujtohet kur të rriturit më shihnin duke luajtur futboll në pluhur dhe më vunë nofkën "Roberto Carlos", sepse godisja topin shumë fort? Dhe të kujtohet sa shumë mërzitesha në fshehtësi, sepse idhulli im ishte Cristiano Ronaldo? Të kujtohet kur shkova të luaja shumë larg shtëpisë? Isha vetëm 9 vjeç. Te Inter Foot Sud Comoé, pranë kufirit me Ganën. Vetëm një djalë i vogël, larg familjes.

Nuk e di nëse ta kam treguar ndonjëherë këtë histori, por unë dhe djemtë e tjerë futeshim në fshat dhe vidhnim patate, sepse ishim aq të uritur. Ishte si një grabitje banke. Dy djem shpërqendronin shitësin, ndërsa 18 të tjerë dilnin me nga dy patate në duar. Nuk ishin as të mira, por për ne kishin shijen më të mirë në botë. Edhe sot patatet e ziera me pak vaj janë ushqimi im i preferuar. Më kujtojnë ato kohë.

Të kujtohet kur mora këpucët e mia të para të vërteta të futbollit dhe flija me to? Deri atëherë luaja gjithmonë me ato sandalet e bardha plastike. Edhe sot, sa herë kthehem në shtëpi, luaj me to. Është bërë tradita jonë.

Të kujtohet kur kthehesha në lagje dhe ti u thoshe shokëve të mi:

"Po ju pse e keni lënë stërvitjen? Yan nuk do t'ju blejë makina. Duhet të vazhdoni të punoni."

Ti ishe vetëm 10 vjeçe, por silleshe sikur ishe menaxherja ime. Të kujtohet si uleshim bashkë dhe ëndërronim të shpërnguleshim në Francë? Flisnim se si do të bënim pazar, do të kishim apartamentin tonë dhe unë do të bëhesha një futbollist i pasur, me makina dhe një shtëpi të madhe, që ti të mos shqetësoheshe më për asgjë.

Ti ishe e vetmja që besoje se mund të bëhesha Cristiano Ronaldo i ardhshëm, kur të gjithë të tjerët qeshnin. Të kujtohet kur shkova në Amerikë për shkollën e mesme, në moshën 15-vjeçare dhe më merrte malli pafund për shtëpinë? Për muaj të tërë nuk kuptoja asnjë fjalë nga anglishtja. Më ulën pranë një djali francez, i cili përpiqej të më përkthente gjithçka që thoshte mësuesi.

Të kujtohet kur të mora në telefon dhe të thashë:

"Nuk do ta besosh... këtu nxënësit debatojnë me mësuesit." Tek ne nuk do të guxonim as t'i shikonim drejt në sy të rriturit. Të kujtohet sa i habitur isha kur pashë nxënës që pinin duhan pas mbarimit të shkollës? Ti më thoje se dukej sikur po jetoja brenda një seriali amerikan.

Të kujtohet kur shkova në prova te Bournemouth? Pastaj te Chelsea, Rangers, Olympiacos dhe Crystal Palace? Madje, pas një stërvitjeje, Eze dhe Olise erdhën tek unë dhe më thanë: "Hej, djalosh, je vërtet shumë i mirë." Por prapëseprapë nuk më morën. As ekipet B të MLS-së nuk më donin. As sot nuk e di pse. Askush nuk më dha ndonjë shpjegim. Të rriturit merreshin me gjithçka. Ata thjesht më çonin nga një vend në tjetrin nëpër Evropë dhe kudo përgjigjja ishte e njëjtë, jo.

Viza ime skadoi. Ëndrra ime mori fund. Më kthyen në Afrikë dhe ne qamë bashkë. Por ti nuk pushove kurrë së besuari tek unë. Vetëm pak javë më vonë firmosa me Leganes dhe kësaj here qamë nga lumturia. Kjo ndodhi në kohën kur ende kisha emocione. Tani nuk ndiej më asgjë. Është sikur nuk jam më njeri.

Fëmijëria e Yan Diomande

Që kur ti u largove nga kjo botë, brenda meje ka mbetur vetëm boshllëku. As nuk besoj se kam derdhur një lot ditën kur më thanë se nuk ishe më. Isha thjesht i mpirë. Kishin kaluar vetëm disa javë nga debutimi im me Leganes. Kush debuton në moshën 18-vjeçare kundër Real Madridit? Ishte diçka e pabesueshme. Një ëndërr. Dhe pastaj, menjëherë pas saj... Një makth.

Dikush vazhdonte të më telefononte nga shtëpia. U mërzita. Nuk e kuptoja pse më telefononin pa pushim. Më në fund u përgjigja. Askush nuk u përpoq ta zbuste lajmin. Ti e di si është tek ne. Pa shumë emocione. Vetëm...

"Motra jote nuk jeton më."

"Çfarë?"

"Ka vdekur."

"Për çfarë po flet?"

"Dikush i hodhi diçka në pije gjatë një feste dhe ajo nuk u zgjua më. Ajo iku."

Ti ishe vetëm... 15 vjeçe. Vetëm 15. Nuk mora kurrë përgjigje. As sot nuk e di nëse dua t'i marr. Ndoshta ishte xhelozi. Ndoshta është thjesht diçka që ndodh në vendin tonë. Ndoshta mund të të kisha mbrojtur. Nuk e di. Përpiqem t'i besoj planit të Zotit. Është e vetmja gjë që mund të bëj. Nuk përpiqem të harroj, sepse e di që nuk do të harroj kurrë. E vetmja gjë që mund të bëj është ta shndërroj dhimbjen në forcë, të punoj edhe më shumë dhe të realizoj gjithçka që kemi ëndërruar bashkë.

Roksanë Diomande

E shkrova këtë letër sepse nuk arrij të flas për të. E shkrova sepse dua që ta dish se do të bëj gjithçka që emri yt të jetojë përgjithmonë. Do të sigurohem që e gjithë bota ta njohë emrin tënd. Çdo gjë që bëj në fushën e futbollit... është për ty.

Kanë ndodhur kaq shumë gjëra që kur të pashë për herë të fundit. Nuk do t'i besoje. As unë ndonjëherë nuk i besoj. E di çfarë është më e pabesueshmja? Pas debutimit tim kundër Real Madridit, ndërrova fanellën me Mbappe. Të kujtohet kur e shikonim në televizor dhe ti thoshe: "Mbappe? Po, është i mirë. Por vëllai im është më i mirë." Gabohesha për një gjë. Nuk dua të jem i pasur. Kam parë se çfarë u bën njerëzve pasuria. Edhe familjes. Kur isha te Leganes, çdo euro që fitoja e dërgoja në shtëpi. Arriti një moment kur nuk doja më as para. M'u dukën barrë.

Njerëzit nuk pushonin së kërkuari. Ndoshta mendonin se isha bërë milioner. Ndërkohë unë nuk kisha as apartament. Jetoja në qendrën stërvitore, në një dhomë pa televizor. Vetëm futboll dhe gjumë. Futboll dhe gjumë. Nuk doja një vilë të madhe. Nuk doja makina luksoze. Doja vetëm t'i kushtoja gjithçka futbollit. Që t'i tregoja botës se motra ime kishte pasur të drejtë. (Këtu do të qeshje.)

Kur shkova te RB Leipzig, isha gjithmonë "me vonesë". Në fakt jo. Mbërrija pikërisht në orar. Por në Gjermani, të jesh në orar do të thotë se je vonë. Prandaj bëra atë që di të bëj më mirë. Fillova të shkoja 90 minuta përpara në çdo takim. Isha aq herët sa shokët e skuadrës nisën të më thërrisnin: "Gjermani." Unë gjithmonë e teproj me gjithçka. Nuk di të bëj gjërat përgjysmë. Ti ma thoje gjithmonë këtë. Fusha e futbollit është i vetmi vend ku ndihem ende si në shtëpi. Është vendi ku gjej qetësi. Vendi ku mund të flas me ty. Vetëm do të doja të ishe ende këtu që të të thosha, ia dolëm.

Gjithçka që ti kishe parashikuar u bë realitet. Nesër nisemi për në Kupën e Botës 2026. Po, vërtet. Vëllai yt do të luajë për Bregun e Fildishtë. Ashtu si Drogba. Ashtu si Yaya Touré. Ashtu si Gervinho. Për mua nuk është thjesht një turne futbolli. Është skena ku mund t'i tregoj botës atë që ti pe tek unë shumë vite më parë.

Sa herë të shënoj gol, do të sigurohem që të gjithë ta mësojnë emrin tënd. Që askush të mos të harrojë. Ti gjithmonë më thoje se mund të bëhesha edhe më i mirë se Cristiano Ronaldo. Nëse e takoj atje, do ta përshëndes edhe në emrin tënd. Do ta bëj realitet atë që ti ke parashikuar. Ta premtoj.

Edhe para se të kisha një palë këpucë të vërteta futbolli, ti u thoshe të gjithëve: "Vëllai im do të bëhet më i miri në botë." Do të bëj gjithçka për të të provuar se kishe të drejtë. Edhe nëse më duhet të jap gjithçka deri në frymën e fundit.

Vëllai yt, Yan - qershor 2026